A mund të fitojë Marine Le Pen nga abstenimet ?

31 Mars 2017, 13:58Bota TEMA
A mund të fitojë Marine Le Pen nga abstenimet ?

Aline Robert

Mobilizimi në shkallë të ndryshme të atyre në favor të Frontit Nacional dhe pjesës tjetër të elektoratit, mund të bëjë që të zgjidhet kandidatja e pakicës Marine Le Pen në raundin e dytë. Kështu del nga një studim i ri i Qendrës për Kërkime Politike të Parisit, Cevipof. Sipas sondazheve del se edhe një kandidat i pakicës mund të fitojë në zgjedhje. Këtë e pamë në SHBA, ku shtresa të ndryshme të zgjedhësve bënë të mundur fitoren e Donald Trump˗it. Këtë tregoi edhe Brexit˗i : brenda disa muajve dinamika e refuzimit të Evropës u kthye nga pakicë në shumicë. Serge Galam, fizikant dhe specialist për ndryshimet e elektoratit pranë Cevipof˗it, po vëzhgon fushatën presidenciale në Francë, duke studiuar rolin që mund të luajë aty abstentimi. « Unë jam nisur nga një konstatim i njohur. Disa zgjedhës nuk kanë dëshirë të shkojnë të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, sepse nuk duan Marinë Le Pen, François Fillon ose Emmanuel Macron. Duke specifikuar këtë abstenim, themi se nga ky mund të zgjidhet pikërisht Marine Le Pen », shpjegon studiuesi për Euractiv. Deri tani ka ndodhur që, kur Fronti Nacional kalonte në raundin e dytë, « fronti republikan » organizohej dhe pengonte shpesh zgjedhjen e kandidatit të FN˗së, qoftë në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme. Mirëpo, ky front republikan, që ka prirje të shkatërrohet, mund të gjendet keq në këto zgjedhje presidenciale të pazakonshme, në të cilat kandidatët kryesorë janë shumë të kundërshtuar nga zgjedhësit…Në raundin e dytë, me përjashtim të zgjedhësve të Marine Le Pen, një numër i madh votuesish ndihen të pamotivuar dhe mund të mos shkojnë të votojnë.  « Ky është abstenim nga harresa, pak a shumë siç ndodh me nevojën për të marrë një medikament efikas, por shumë të hidhur, kemi prirjen të mos e marrim », shprehet më tej, Serge Galam. Përkundrazi, mobilizimi i partizanëve të kandidates, e supozuar e pakicës, mund të bëjë që ajo të zgjidhet në disa rrethana që ka parasysh, në analizën e tij, Serge Galam. Po të nisesh nga hipoteza  se për Le Pen kanë si qëllim të votojnë  44 %, ajo mund të zgjidhet me 50,07 % të votave reale nëse elektorati i saj mobilizohet në masën 90 %, kundrejt vetëm 70 % të pjesës tjetër të votuesve, nëse pjesëmarrja e përgjithshme arrin në 76 %. « Gjithçka varet nga shkalla e abstenimit, por ajo që të habit është se ky nuk është, në vetvete, shumë i rëndësishëm », konstaton studiuesi. Vetëm me 20 % ndryshim të mobilizimit, shohim që pozicioni i pakicës në qëllimet e votimit mund të kthehet në shumicë nëpër sondazhe. « Kisha qëllim të mos votoja, por ndryshova mendje. Shpresoj që studimi t’u hapë sytë njerëzve për faktin se abstenimi kthehet në votë për Marine Le Pen në raundin e dytë », saktëson specialisti. Për momentin, sipas sondazhit të fundit të publikuar më 28 mars, Marine Le Pen parashikohet të marrë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale 26%, duke lënë pas Emmanuel Macron me 24 % dhe François Fillon me 20 %. Por, sipas sondazheve, ajo parashikohet të humbë në raundin e dytë me 39 % të votave përballë Macron ose me 42 % ndaj Fillon. (Euractiv)

Përgatiti : Gjovalin Kola

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje