Teksa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako është përqëndruar në fushatën e diskutimeve me të zgjedhurit vendor, për çështjen e kultivimit të kanabisit, ai nuk ka shkëputur vëmëndjen e tij, nga dosja e paisjes përgjuese “IMSI Catcher” për të cilën prokuroria e ka vënë nën hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Pak ditë më parë prokuroria e Tiranës ka vendosur të shtyjë hetimet dhe me tre muaj të tjera, për çështjen e paisjes përgjuese. Ky vendim i prokurorisë mësohet të jetë kryer me argumentin se nevojiten veprime të tjera hetimore.
I vënë në dijeni për këtë vendim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, nuk ka pranuar që të vijojë të hetohet më tej nga prokuroria.Sipas tij, çështja nuk mund të tejzgjatet pa fund nga organi i akuzës, i cili sipas Çakos ka pasur kohën e mjaftueshme për të zbardhur të vërtetën nëse paisja “IMSI Catcher” e sjellë nga misioni Interforcë në Shqipëri dhe e përdorur nga policia, ka përgjuar ose jo.
Nisur nga kjo situatë, Haki Çako i është drejtuar gjykatës së Tiranës me një kërkesë penale, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të prokurorisë së Tiranës, për zgjatjen e hetimeve. Kjo çështje është marrë në administrim nga gjyqtari Astrit Faqolli dhe se sot (Dje) ishte séance e parë gjyqëosore.
Me këtë lëvizje Çako kërkon të mbyllë përfundimisht dosjen e prokurorisë, dhe kjo do të ndodhë nëse Gjykata e Tiranës pranën kërkesën e tij. Sipas akuzës, i pari që është pyetur për paisjen “IMSI Catcher”, është pyetur drejtori Çako i cili ka shpjeguar se pajisja për të cilën ka nisur hetime prokuroria, është vetëm për identifikimin e numrave të telefonit. Pajisje kjo që sipas tij, është përdorur vetëm për trajnime për efektivët e Policisë së Shtetit.
Sa i përket përgjimit, mësohet se Çako ka thënë se ajo pajisje nuk përgjon numra telefoni por vetëm identifikonte numrat që kanë personat në përdorim. Ndërsa për vendndodhjen e saj, kryepolici është shprehur se ajo është në pronësi të Interforcës italiane.
Sipas prokurorisë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike,“IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit.
Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundorantenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të.
Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të Policisë Shqiptare nga ana e INTERFORZEs italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë.
Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe, për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.