Ngacmimet seksuale në administratë, ja çfarë thonë të anketuarit

5 Prill 2017, 18:32Sociale TEMA

Avokati i Popullit prezantoi sot studimin: “Ngacmimi moral dhe seksual në administratën publike”, nga ku vihej re ne baze te statistikave qe ishin nxjerre se në 3 vitet e fundit, 7.5% janë ngacmuar çdo vit dhe 17.5% e te anketuarve deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë për të njëjtën periudhë kohore.

“Ne duhet të hedhim dritë mbi këtë zonë gri të administratës publike, por edhe asaj private.

Si çdo fenomen tjetër, përpara se ai të trajtohet ka nevojë të njihet.

Ne po synojmë me këtë studim të njohim se si është gjendja.

Natyrisht pa pretenduar një njohje totale dhe kapilare, por gjithsesi ky është një hap i parë, i cili do të duhet të shoqërohet me veprime konkrete nga institucionet shtetërore, por duhet të ndiqet me po aq seriozitet edhe nga ato institucione shtetërore që monitorojnë bizneset private, në mënyrë që të merren të gjitha masat institucionale dhe organizative për t’u përballur me këtë gjë.

Ngacmimi moral është një dhunë, e cila sjell pasoja të pallogaritshme në shëndetin psiqik dhe psikologjik ndaj individit.

Ai reflekton edhe dhunën në familje , ndaj marrja e masave për parandalimin dhe ndëshkimin e tij do të ndikojnë pozitivisht edhe në reduktimin e dhunës në familje dhe forcimit të integritetit të gruas”, u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Studimi i kryer nga Qendra LIST, (Legal Information and Study Team) realizoi një analizë krahasimore të kuadrit ligjor dhe institucional shqiptar dhe atij europian.

Gjithashtu, ky fenomen u monitorua përmes një pyetësori pilot me punonjësit e administratës publike nëpër ministri, me qëllim krijimin e një pamje më të qartë për situatën reale të ngacmimit moral dhe seksual në administratën publike shqiptare.

Nga sondazhi rezultoi se një pjesë e madhe e punonjësve në administratë kanë njohje të ulët lidhur me ngacmimin moral, por edhe janë ngurrues e kanë frikë të denoncojnë qoftë rastet e ngacmimeve morale, ashtu edhe të atyre seksuale.

Disa nga statistikat e pyetesorit tregojnë se:

– Arsyet kryesore të cilat do të frenonin një punonjës administrate të mos e denonconte ngacmimin seksual dhe atë moral janë 1) pasojat që mund ti vijnë familjes (27.5%), 2) mungesa e besimit tek institucionet publike (20%) dhe 3) përhapja e opinionit të keq në publik (15%).

– Forma më pak e suksesshme ka qenë ajo e zgjidhjes nëpërmjet rrugës gjyqësore me 7.5%.

– 42.55 deklarojnë se janë informuar nga media rreth ngacmimit moral, 17.5% nga bisedat me miqtë (17.5%) dhe vetëm 10% e të anketuarve deklarojnë se janë informuar nëpërmjet trajnimeve.

– 75% nuk kanë pasur një eksperiencë personale në lidhje me ngacmimin moral në 3 vitet e fundit. 7.5% janë ngacmuar çdo vit në 3 vitet e fundit dhe 17.5% e tyre deklarojnë se janë ngacmuar të paktën 1 herë për të njëjtën periudhë kohore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje