Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka folur për përballjen që të kuqtë do të kenë në fundjavë kundër Vllaznisë.
Numri një i të kuqve në një intervistë të dhënë për “RTSH Sport” ka komentuar dhe fjalët që qarkullojnë për një aleancë për Vllazninë.
Demi i ka hedhur poshtë të gjitha këto zëra duke i quajtur si baracoleta që të bëjnë për të qeshur.
“Vllaznia luan për veten e saj , lufton për vendin e 4 që i mundëson pjesmarrjen në Europa League. Të gjithë presidentët e skuadrave e dinë mirë çdo të thotë pjesmarrje në Kupat e Evropës , një buxhet jo i vogël për skuadrat tona, ndaj kjo më duket si ajo shprehja ime barcoleta dhe është për të qeshur kur dëgjoj për aleanca . Aleanca mund të bësh kur je në lojë si në Kupë ashtu edhe në Kampionat , ndaj për çfarë aleance flitet mes nesh dhe Vllaznisë. Të mos harrojmë që pikërisht Vllaznia sezonin e kaluar na hoqi kampionatin dhe këtë e dinë të gjithë dhe ka luajtur deri në javën e fundit ashtu siç i takon këtij klubi ka respektuar ndershmërisht kampionatin karshi Partizanit. Ndoshta këto gjëra i bëjnë të tjerët ,por nuk mund të flas pasi nuk di asgjë. Ne u eliminuam nga ekipi i kategorisë së parë Beslidhja e Lezhës në Kupën e Shqipërisë përpara 3 muajsh, ndaj nuk e kuptoj për çfarë aleancash flitet . Aleancat bëhen kur ka interesa, si në politikë, ndaj se kuptoj çfarë interesi ka Shkodra të bëj aleancë me ne.Në Shkodër unë pres një ekip të fortë, dinjitoz, që luan me shpirt siç i takon Partizanit, dhe lojtarët të hyjnë në fushë për të marrë 3 pikët”
Më tej Demi tha se të gjitha ndeshjet në vazhdim do të jenë të gjitha finale për Partizanin.
“Mendoj se nuk ka ndodhur ndonjë çudi që jemi në vend të parë. Diferenca prej 2 pikësh nga Kukësi nuk do të thotë asgjë pasi jemi aty aty me pikë , siç gabojnë të tjerët mund të gabojmë edhe ne në ndeshjet në vazhdim, por shpresoj që ekipi im është kompakt i, fortë dhe shpresoj shumë që të mos gabojmë. Me respektin që kam për kolegun tim Z. Gjici unë nuk e di se si janë vendosur, unë kam parë ndeshjen time ndaj Luftëtarit dhe nuk është vendosur as nga arbitri as nga njeri , por fitorja është arritur falë djersës së lojtarëve në fushë dhe gjithë stafit teknik. Ndërsa ndeshjen e Kukësit të jem korrekt nuk e kam parë. Nga sfida e radhës që do të luajmë me Vllazninë e deri në takimin e fundit që luajmë me ekipin Kampion, do të jenë të gjitha finale finale, edhe me Korabin do të jetë finale, nuk ka ndeshje të lehta” tha Demi