Koalicioni, nis takimi i parë zyrtar Rama-Meta

15 Prill 2017, 10:21Politika TEMA

Aleanca e majtë Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbërritur në ambientet e “Hotel Tirana” ku dhe është takimi i parë zyrtar për rikonfirmimin e koalicionit për “Shqipërinë Europiane” edhe për katër vitet e ardhshme.

Dy kryetarët Rama dhe Meta do të shoqërohen edhe nga dy pjesëtarë secili, Gramoz Ruçi, Ëngjëll Agaçi nga PS, dhe Luan Rama e Petrit Vasili, nga LSI.

Kreu i Kuvendit ka folur për mediat para se të hynte në takim ku u shpreh se marrëveshja e vjetër PS- LSI është në fuqi. Ai tha se ASHE duhet të garantojë paprekshmërinë e votës, pasi nga vota e lirë nis çdo gjë.

Meta tha se ka marrë zotimin për garantimin e votës së lirë.

“Marrëveshja e vjetër është ende në fuqi dhe ajo ka angazhimin madhor të aleancës për të garantuar votën e lirë”, tha kreu i LSI.

“Angazhimi është total dhe kryesore është garantimi i paprekshmërisë së votës së lirë. Për mua konsensui është kryesor”, u shpreh Meta.

Duket se firmosja zyrtare e koalicionit, përveç modaliteteve të brendshme si dhe programit të përbashkët, do ketë pikë të fortë edhe mënyrat e zgjidhjes së krizës aktuale dhe përfshirjes së opozitës në zgjedhje si edhe çështjen e Presidentit të ri të vendit.

Seanca e parë është javën e ardhshme dhe megjithëse e majta i ka votat, ka lëshuar sinjale se do të kërkojë një President konsensual me të djathtën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje