Konçesioni i bakrit, ligjet kundër zgjatjes së afatit, Majko: Do miratojmë një ligj që do të shkelë ligjin?

25 Prill 2017, 16:30Kronika TEMA

Zgjatjen e konçesionit për kompaninë private “Nesco Metal” mbi shfrytëzimin e tre minierave më të mëdha të bakrit në vend, u shoqërua me disa replika në Komisionin e Ligjeve.

Sipas deputetëve, nuk mund të miratohet një ligj duke shkelur një ligj tjetër pasi ligji shqiptar parashikon që konçesionet të mos i kalojnë 35 vite, ndërkohë që marrëvshja e re me shoqërinë turke e çon kohëzgjatjen në 42 vite.

Deputeti Pandeli Majko tha se shtyrjet mund të bëhen vetëm në raste specifike apo kur kemi arsye të shkaqeve të mëdha.
 “Do miratojmë një ligj që do të shkelë ligjin? Ne si komision ligjesh duhet të japim një përgjigje lidhur me këtë punë. A duhet ta konsultojmë me zyrën juridike të parlamentit, diçka më gjerë apo diçka më pak? Por nesër nëse ne vazhdojmë kështu të gjithë koncensionarët, pavarsisht ligjit të koncesioneve, do vine të na thonë se kështu e keni bërë me këtë koncesionar, pse nuk e bëni dhe me mua?” u shpreh Majko.  

Argumentat e deputetit socialist u përkrahën edhe nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së Luan Rama, i cili tha se është nevoja për një konsultë më të gjërë.

Ndërkohë, raporti i komisionit të ligjeve mbi tejkalimin e afateve pritet që  t’i shkojë komisionit të ekonomisë, i cili do të vendosë përfundimisht mbi zgjatjen ose jo të konçesionit.

Në vitin 2001 industria e bakrit u dha me konçesion ku afati fillestar ishte 30 vjet.

Në bazë të marrëveshjes fillestare, kompania duhet të investonte 19 milionë dollarë, ndërkohë  Ministria e Energjisë nënvizon se investimet janë tejkaluar dhe kanë arritur në shumën e 55 milionë dollarë.

Sipas ministrisë, kjo është një ndër arsyet për shtyrjen e afatit me këtë kompani e cila cilësohet si serioze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje