Hapja e dosjeve në sekret të plotë, nuk do publikohen të dhënat e spiunëve. Ja marrëveshja

26 Prill 2017, 09:08Politika TEMA

Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit, në errësirë të plotë. Ndonëse u trumbetua me të madhe se ngritja e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve për Informim do të shënonte shkëputjen nga e kaluara e errët komuniste, procesi është futur në një hulli i cili ka zhgënjyer të gjithë ata qytetarë që dëshironin të diskreditohej në publik figura e spiunëve që i shërbyen komunizmit me devotshmëri, si dhe të largoheshin nga të gjitha postet zyrtare në administratë.

Hapja e dosjeve të komunizmit do të kryhet në sekret të plotë, pasi të dhënat e spiunëve të Sigurimit që bashkëpunuan për burgosjen dhe pushkatimit e intelektualëve dhe qytetarëve të thjeshtë që kërkonin fjalën e lirë, do të ruhen në siguri të lartë.

Të dhënat e spiunëve nuk do të publikohen ndonëse procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit në vendet e tjera të Europës Juglindore është kryer në transparencë të plotë. Të dhënat e viktimave, që janë përndjekur nga Sigurimi, nuk do të ruhen, ndërsa të dhënat e spiunëve nuk do të publikohen.

Pra, në këto kushte, askush nuk vihet në dijeni nëse po hapen ato dosje që i përkasin spiunëve, pasi në një proces të tillë jo transparent lindin dyshime se spiunët e vërtetë të Sigurimit po mbrohen me ligj, duke mos i hapur dosjet e tyre.

Të dhënat e spiunëve do të ruhen nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar mes Autoritetit të Dosjeve dhe Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. ‘Sot’ ka zbardhur marrëveshjen e nënshkruar mes dy institucioneve.

Kjo marrëveshje vjen në kuadrin e garantimit të  drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sipas marrëveshjes, Zyra e Komisionerit është e angazhuar që të shkëmbejë njohuritë dhe praktikat më të përparuara në mbrojtje të  dhënave personale.

Ndërsa Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, si një institucion i ri, ka garantuar se këtë proces do ta përmbushë në respekt të plotë të privatësisë së individit, pa cenuar interesin publik. Por, në thelb të kësaj marrëveshjeje, qëndron mbrojtja e spiunëve me ligj, të cilët do të gëzojnë edhe poste publike.

Ligji është bërë në atë mënyrë që spiunët të mos largohen nga administrata, pra është një marrëveshje e politikës shqiptare për të mos lejuar lustracionin, pasi në radhët e tyre ka akoma më shumë spiunë sesa në poste publike në administratë.

Tek Autoriteti i Dosjeve, sipas burimeve, vijnë tre kërkesa në ditë kryesisht nga qytetarë të thjeshtë. Asnjë kërkesë deri më sot nuk ka ardhur nga një kryetar partie, për të verifikuar deputetët dhe kandidatët për 18 qershorin. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe.

Ligji është bërë nga vetë politika, ku dihet mirë se spiunët shtrihen në dy partitë e mëdha politike, dhe synimi është ruajtja e tyre.

Por edhe nëse një parti do dërgonte kërkesë për një deputet, të dhënat për të do të ruheshin dhe askush nuk do ta merrte vesh se cili është deputet spiuni në një x parti politike dhe, për më tepër, ky deputet do vijonte të ishte pjesë e asaj partie.

Deri më tani janë dërguar kërkesa vetëm për verifikimin e punonjësve të administratës, por nuk ka asnjë të dhënë nëse një punonjës i administratës rezulton të ketë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit.

Duket qartë se Autoriteti po shpenzon më shumë kohë me kërkesat e qytetarëve të thjeshtë, të cilët kërkojnë të dinë nëse ishin  përndjekur nga Sigurimi.

3 komente në “Hapja e dosjeve në sekret të plotë, nuk do publikohen të dhënat e spiunëve. Ja marrëveshja”

  1. Brahoo says:

    Tranzicioni duhet te vazhdoje pa fund,se popull kot qe kot jemi.

    Mos i hapni dosjet se kan mbetur akoma 2.5 milion shqiptar,kur te ikin te gjithe hapini . Se do duhen si dokumente se si mundet te shkatrrohet nje komb,qe nuk do te pastrohet.

  2. ATDHEU says:

    Mje pyetje kam . Mqs hapja e dosjeve do te behet ne fshehtesi te plote, ku eshte qellimi i hapjes se tyre? Kujt do ti sherbej, atehere, hapja e dosjeve?

  3. emigranti says:

    Turp.
    Perfundimisht kjo klase politike e kalbezuar duhet permbysur e gjitha.
    Politikane te rinj te partive te reja duhet me ndihmen e votuesit te zevendesojne keto plehra majtas e djathtas, te gjitha pjella te Partise se Punes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje