Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp paraditen e së shtunës, një ditë pas zgjedhjes president.
Ai njoftoi se do të lërë postin e kryetarit të LSI-së para kohe.
“Pas konsultimeve me këshilltarët juridikë, edhe pse detyrimet e mia si president i ardhshëm nisin pas betimit në 24 korrik, e deri atëherë mund të vijoj me angazhimet e mia politike dhe institucionale.
Ju bëj të ditur se do jem kryetar i Kuvendit deri në ditën e betimit si president i vendit, do të jap dorëheqjen para betimit, për arsye të vetë lidhjes mes dy institucioneve edhe në planin kushtetues dhe institucional, por edhe për faktin se të enjten e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare.
Për të gjitha këto arsye do të jem në këtë detyrë deri para betimit si president.
Së dyti, edhe pse mund të jem kreu i LSI deri në 23 korrik, kam vendosur që sot në mbrëmje pas përfundimit të listave, të heq dorë nga ky funksion dhe nga gjithë funskionet drejtuese në LSI.
Emri në listë do të jetë ai i nënkryetarit, Petrit Vasili.
Po ashtu, jap dorëheqje nga detyrimet dhe funksionet edhe brenda koaliciont, që i kalojnë Petrit Vasilit”, tha Meta.
Meta tha se në listën e partive që dorëzohen dhe publikohen nga KQZ, në krah të LSI nuk do jetë emri i tij, por ai i Petrit Vasilit, i cili merr drejtimin e kësaj force politike.
“Nga ana etike nuk është mirë që të bëj premtime në emër të LSI. Të gjitha kompetenca do t’i kalojnë zotit Vasili. Kjo nuk ja të bëjë me faktin se unë po e lë në baltë LSI-në, absolutisht, por çdo forcë duhet të jetë pjesë e një modeli demokratik”, tha Meta.
Në lidhje me bojkotin e opozitës, Meta theksoi se është i gatshëm të takohet me kryetarin e opozitës Basha dhe me cilindo faktor tjetër politik në të mirë të situatës politike në vend.
“Opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje dhe të kontribuojë në orët e ditët në vijim, me qëllim që të rrisim besimin te qytetarët dhe të kthehet qetësia në vend”, u shpreh Meta.