Medinas ç'i panë sytë!

5 Maj 2017, 12:15Rajoni TEMA
Medinas ç'i panë sytë!

 

Delvina KËRLUKU

Viti 2001 njihet si vit i luftës në Maqedoni. Se i tillë ishte. U bë luftë për pak barazi politike – ekonomike më shumë, për pak drejtësi para ligjit, për pak dinjitet më shumë. Për një jetë me më paqe për ne shqiptarët, kuptohet. Të jetosh në një bashkësi e të jesh i nëpërkëmbur, revoltën e ke pjesë të përditshme, apo të bëhet mënyrë e të jetuarit. Mirë. Ja lufta u bë jo se e donte shqiptari i këtushëm, por zezona kishte kapluar çdo pore të jetës. Mbaroi lufta, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit (Marrëveshja e Paqes, si pas çdo konflikti të armatosur)… Dikush i dorëzoi armët (me besim se u arrit qëllimi), dikush një trofe lufte e fshehu në hatull e dikush qeshi me ironi, duke belbëzuar: naivët. Dhe, ç’bëri? Vari edhe një në krahun tjetër. Ishte i bindur se asgjë s’kishte përfunduar për së mbari. Pushteti i bëri një makijazh shtetit, por të kthjelltë e vërejtën se hilja i ka rrënjët e thella. U punësuan ca policë (fare e fis i Parisë; morën rrogë profesori universitar familjarët e Parisë; u bënë shefa e kryeshefa akraballëku i Parisë dhe morën ca rroga lëmoshe (pa punë) disa servilë të Parisë. Mirëqenie ekonomike nuk ka, se paratë i “fshiu” Strumica, Shtipi, Kavadari, Përlepi, Velesi dhe Shkupi 2014. Turma brohoriti: Kurrë s’kemi qenë më mirë. Dhe kishte të drejtë. Edhe thërrimet bereqet janë.

 

Po Medinia ku na mbeti. Ishte e vogël çupa e Lubotenit, atij fshatit të madh mbi Shkupin, fshatarët e të cilit përjetuan tmerrin e vërtet më 2001-shin. I dogjën e i poqën me njerëzi e bagëti, me kasolle e me shtëpi. Sa u vranë e sa u plagosën, as ata vetë nuk e dinë. Ato flakë e ato plagë; ato klithma e ato vaje fëmijësh, grash e burrash, janë skalitur thellë në shpirtin skofiar dhe në kujtesën e Medinës. Ato bisha me uniforma që vërsuleshin mbi gjithçka shqiptare (dhe në Luboten e tëra është shqiptare ), të etshme për gjak e për flak’. Asnjë pikë mëshirë s’kishte gjetur strehë në shpirtrat e tyre vrastarë. Fshatarët përpiqeshin të mbrohen me sfurqe e me lopata, si në kohën e kryengritjeve katundare. Medina vetëm i “incizonte” këto tablo të përgjakshme. Ishte koha e gjakrave të nxehta. Pastaj, pasi furtuna kaloi filluan të mendojnë lubotenasit: More ku shkoi gjaku ynë? As pardje, as dje, as sot përgjigje s’ kanë marrë. Do pëshpërima të vakëta arrin te veshët e tyre, por të pa artikuluara sa e si duhet: do bëhet mirë. Medinia po rritej dhe filloi të flasë me veten: Po ç’ishin ato rrufe që u shkrepën mbi ne? Kujt i bëmë një të keqe ne lubotenasit e urtë e punëtorë? Kujt ia turbulluam ujin? Duke medituar me aq sa mundej iu kujtua përralla e ujkut me qengjin. Pastaj nisi ta pyesë veten: Po kush do t’i shënojë në letër këto lemeri? Harresa është e llahtarshme. Vetë pyeti dhe vetë u përgjigj: Unë. Unë do t’a bëjë të pavdekshme këtë histori turpi e tmerri. Vendosi Medinia qysh atëherë: Do bëhem gazetare. E mbajti fjalë dhe premtimin që ia dha vetes – ajo tani është studente e gazetarisë. Në fillim fshati sikur nuk u entuziazmua, por javët, muajt e vitet kalonin dhe mjedisi jo vetëm që e pranoi, por edhe mburret me të. Çuditë si dhe historitë përsëriten në trajta e forma të ndryshme, por përmbajtja nuk ndryshon. Rrugëve të kryeqytetit po dëgjohen me të madhe po ato çirrje armiqësore kundër nesh. Edhe kundër lubotenasve.

 

I njëjti kor që ndjell vdekje dhe vjell urrejtje. Gati i vunë flakën edhe tempullit të ligjit dhe të shtetit – Kuvendit. Në ekranet televizive lubotenasit njohën të njëjtën dorë e të njëjtin surrat – Johanin, atë të 2001 që i vuri flakën fshatit. Këtë Johan të cilin Haga e dënoi, pushteti e shpërbleu. Deputet e bëri për t’ia vënë zjarrin shtëpisë së vet, të deputetëve – Kuvendit. Medinia sheh e shkruan sot. Nesër do ta botojë tmerrin që i panë sytë. Medines ç’i shohin sytë ia regjistron edhe zemra, edhe dora. Urojmë të mos jetë e vetme. Historinë duhet ta shkruajnë shumë pena, pasi luftën e bëjnë shumë armë.

6 komente në “Medinas ç’i panë sytë!”

  1. v says:

    Nqs je aq e forte qe te durosh tmeret,
    kalo ndonje here dhe ketej nga ne,
    te shikosh si shqiptari pi gjakun e tij.

  2. shqiptar says:

    te lumte pena moj vajze !

  3. syte e tu... syt e tu says:

    cfar Sysh paske moj aman

  4. struga says:

    Si gjithmone shum bukur zonja Kerliu.Por ama fajtore nuk eshte askush tjeter ,fajtur jemi vete ne shqiptaret,qe edhe atehere kur fati jone varet nga ne behemi sehirxhi ,interesxhi dallaverxhi …me nje fjale shitemi per pake.Kjo vlen per te gjithe recen shqipfolese.BDI nuk munde te zgjrdhe ceshtjen shqiptare ne Maqedoni,sepse eshte nje parti qe me besnikeri u sherbeu qarqeve shovene maqedone. Ne radhe te pare kjo politike beri shpernguljen masive te shiptareve duke mos pase asnje investim per punsimin e tyre dhe vazhdoj me shkartrrimin i cdo gjeje shqiptare.

  5. Dani says:

    Qenke jo vetem e bukur por dhe e zgjuar.

  6. konitza says:

    Lere prozen pa leng. Nuk eshte art kjo pune te thurren fjali per romane pa gjini. na lodhen fare rroge-gazetaret apo analistet e tepert me shenja serioze te skizofrenise. Thuaje pra ate qe nuk e thone shume klloune-gazetare si puna yte se cili eshte roli i Shqiperise ne vitin 2001 ne ngjarjet e pista ne Makedoni me banditet qe u armatosen e carmatosen kot fare. Sidomos roli i ketij klloun presidentit plot salltanate krimi qe do ta salltanosni me cdo forme pushteti shume shpejt. Atje kishte pushtim te shqiptareve nga shqiptaret dhe jo lufte per te drejta. Ne fakt publiciteti kesaj loje iu be per ndarje nga maqedonsit apo bashkim me Shqiperine, por u shkerdhyen keq per te drejta minoritetesh qe na nxjerr dhe ti dengla kot. Bej modelen me mire se nuk na duhen vargje per romane serialesh turke a spanjolle. pha, phuu…marrezira qe prodhojne 25 vite dhune. Troc thene populli shqiptar vuan kudo nga krimi-politika qe e sundon me kjeq se armiqte. kjo eshte e verteta e hidhur. kush gjen arsyetime folk-patriotike mbase i duhet nje test-idiotesie per veten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje