Paqe në luftën me fjalë

7 Maj 2017, 16:46Blog TEMA
Paqe në luftën me fjalë

Nga Ilir Yzeiri

Tërheqja e PS-së nga gara për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë dhe për pasojë anulimi i demonstrimit të forcës nga tubimi i paralajmëruar prej PD-së më 7 maj në Kavajë, nuk i shtuan ndonjë gjë intrigës së konfliktit që ka nisur qysh më 18 shkurt mes PD-së dhe aleatëve të saj, nga njëra anë, dhe PS-së e qeverisjes së saj, nga ana tjetër. Paqja e përkohshme u vendos vetëm në njërën anë të ligjërimit dhe retorika e triumfit dhe e betejës së fituar u ngjiz në anën tjetër. Publiku ishte përgatitur që të dielën në Kavajë do të shihte provën e përgjithshme të forcës mes dy kampeve politike që janë projektuar si kundërshtare që do të përplasen dhe do të eleminohen jo me anë të lojës demokratike të zgjedhjeve, por me anë të përplasjes fizike.

Në konferencën për shtyp që lajmëroi tërheqjen e kandidatit të tij, Edi Rama tha se kishte informacion që protestuesit mund të ndërmerrnin veprime të dhunshme. Nëpër disa media qarkulloi lajmi se protestuesit e PD-së do të digjnin Bashkinë e qytetit dhe do t’i vinin flakën monumentit  me dy gishta në qendër të Kavajës. Ky njoftim i pakonfirmuar zyrtarisht dhe lajmi që dha kryeministri, nuk u shoqëruan me informacione nga organet e specializuara. Publiku nuk e mori vesh nëse agjencitë investigative në Shqipëri kishin zbuluar grupe paramilitare që do të ndërmerrnin veprime të tilla të dhunshme apo kjo ishte thjesht një justifikim për të vazhduar intrigën e lojës politike dhe për ta mbajtur luftën të ndezur vetëm në ligjërim, pra vetëm me fjalë.

Lulëzim Basha e quajti fitore këtë tërheqje të Edi Ramës dhe kërkoi t’i bindë fanatikët e tij se retorika e luftës dhe lufta me fjalë e prodhoi suksesin e parë. Mirëpo, ajo që huk u sqarua ende është diçka tjetër. Lulëzim Basha bashkë me Sali Berishën kishin shpallur se në Kavajë do të merrnin zvarrë Edi Ramën se Kavajën do ta çlironin nga narkotrafikantët dhe nga Noriega i Shqipërisë e plot aksione të tjera. Ndërkaq, në një moment, Lulëzim Basha, i gjendur përballë presionit të jashtëm për të mos shkaktuar dhunë, ishte shprehur se ai vërtet do t’i bëjë të gjitha ato që tha më sipër, po në Kavajë nuk do të prekej asnjë lule. Nëse do ta vështrojmë këtë ligjërim të Bashës nga pikëpamja e komunikimit, fatkeqësisht na duhet të themi se ose Lulëzim Basha me anë të këtij ligjërimi konfuz është në gjendje të brishtë mendore dhe zotërohet nga pasiguria apo frika e brendshme ose ai po shqipton në këtë rast vetëm një retorikë boshe që është karakteristikë për ligjërimet e vendeve komuniste të cilat i shkatërrojnë, i mundin, i vrasin dhe i eleminojnë armiqtë e tyre vetëm në ligjërim. Shikoni sot se çfarë ndodh në konfliktin mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve. Diktatori koreano-verior thotë se do ta zhdukë nga faqja e dheut Amerikën, se do ta rrafshojë botën dhe gjithë ata që mbështesin SHBA-në. Karakteristikë e ligjërimit politik komunist diktatorial është se midis fjalëve dhe objekteve që ato shënojnë këputet marrëdhënia. Karakteristikë e slloganeve është se ato u ngjanë aksiomave pa vertetim dhe janë ushqim vetëm për militantët. Diktatori i Koresë së Veriut është pranuar nga populli i tij si autori suprem i ligjërimit dhe si bartësi i të vërtetave të përjetshme. Populli koreanoverior nuk mundet dhe nuk ka asnjë dëshirë që të vertetoje thëniet e udhëheqësit të tij. Nëse ai shpall se do ta zhdukë Amerikën për një sekondë, kjo jo vetëm që besohet nga fanatikët e tij, por merret edhe si një formulim shtesë për t’u ndierë krenarë dhe për të vdekur me këngë në gojë për liderin suprem. Edhe ligjërimi i luftës i Lulëzim Bashës synon që ta asgjësojë Edi Ramën fillimisht në fushën e fjalëve dhe të ligjërimit. Fanatikët që e besojnë Lulëzim Bashën dhe Sali Berishën besojnë se këta të dy në betejën e luftës retorike janë të pamposhtur. Sali Berisha e projekton veten disa herë si luftëtari malësor që shfaros armiq e thyen male. Ai përfaqëson karikaturën e retorikës folklorike që reciton emocionet e veta dhe frikën e tij. Ky lloj ligjërimi që përdor Berisha dhe Basha që ndërtohet me metaforat e luftës dhe që e paraqet liderin si komandant të popullit që do të udhëheqë masat në revolucion, që do të marshojë drejt Tiranës, që do të hedhë në koshin e historisë këtë armik apo atë armik, është karakteristik për ligjërimet e diktatuarve në kohë paqeje. Siç dihet, në kohë paqeje, diktaturat si ajo e jona fjala vjen, e përgatisnin popullin gjithmonë për një luftë që do të vijë nga çasti në çast. Fjalimet e Enver Hoxhës nëse do të shihen nga ky aspekt, i kanë dërrmuar të gjithë armiqtë e jashtëm. Lufta që zhvillonte Enver Hoxha me anë të retorikës dhe ligjërimit përjetohej nga shqiptarët që e besonin Enver Hoxhën si triumf real dhe të gjithë e ndienin se kishin triumfuar mbi të gjithë armqtë që kishte mundur diktatori.

Për fat të keq demokracia shqiptare ka mbetur peng i ligjërimit politik të luftës me fjalë dhe i mendimit politik folklorik. Shqipëria po vështrohet si vend problematik në Ballkanin Perëndimor dhe në krizë. Së bashku me Maqedoninë ajo është bërë shqetësim për diplomacinë perëndimore dhe aleatët tanë. Përpjekja për ta shpjeguar krizën tonë politike me anë të kulturës demokratike duke analizuar ligjërimin, është vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër është reforma në drejtësi. Gjithnjë e më shumë, të gjithë po binden se kriza që ka provokuar PD-ja dhe Sali Berisha përmes Lulëzim Bashës lidhet me reformën në drejtësi. Tani të gjithë kanë të drejtë të besojnë se Sali Berisha dhe Lulëzim Basha e kanë sajuar gjithë këtë konflikt vetëm sepse duan që reforma në drejtësi të bllokohet. Edhe nga pikëpamja e argumentit që po trajtojmë, miratimi i reformës në drejtësi e çliron edhe ligjërimin politik nga retorika e luftës. Pse ? Sot ambienti publik shqiptar zotërohet vetëm nga një ligjërim që është ai politik. Aktorët që recitojnë përditë janë vetëm politikanët që shfaqen si udhëheqës revolucionesh, si zjarrvënës apo si shenjtorë dhe të krijohet përshtypja se në këtë vend nuk ka as prokurorë as gjykatës, as polici, as shkrimtarë as historianë, as profesorë, as aktorë as këngëtarë as yje të sportit. Duket sikur fati i të gjallëve dhe të vdekurve, i qenve dhe i njerëzve, i të bardhëve dhe i të zinjve, i hetereoseksualëve dhe homoseksualëve varet vetëm nga ligjërimet dhe retorika e luftës që shqiptojën poltikanët tanë në mëngjes dhe në darkë. Ne të gjithë duhet të presim se çfarë do të thotë Lulëzimi në çadër dhe çfarë do të lëshojë Rama nga kryeministria. Ashtu siç ndodh në vendet komuniste gjithë këtë luftë e shoqëron konspiracioni. Në mëngjes publiku merr vesh se një ambasador ka thirrur Ramën dhe i ka vënnë në tryezë një plan, pastaj del Luli nga çadra dhe hedh në erë planet e aleancës së korruptuar perëndimore, pastaj duhet të presim ditën tjetër për të marrë vesh se si do të zhvillohet intriga dhe çfarë episodi do të ketë subjekti. Ndërkaq fabula dihet. Luftë me fjalë dhe përsëri luftë. Por nëse do të miratohej reforma në drejtësi, atëherë ka shumë mundësi që në mëngjes e në darkë të dëgjojmë më shumë pretencën e prokurorit dhe vendimet e gjykatësve për trimat e politikës që recitojnë sikur të jenë në një vend pa popull ose me popull të vdekur.

Të huajt dhe kanceleritë perëndimore që na asistojnë për të na ndihmuar nuk kuptojnë një gjë : pse politikanët tanë nuk bëjnë kompromis ? Kultura e kompromisit nuk ekziston në folklorin e ligjërimit politik. Po të vëresh këngët folklorike epike të Jugut e të Veriut që u nxitën sidomos në komunizëm, heroi apo trimi nuk dorëzohet, ai e jep jetën si me le, ai e hedh në det armikun ai i vë gjoksin topit. Meqenëse dhe aktorët tanë janë personazhe të këtyre këngëve ata e kanë të pamundur të bëjnë kompromis në luftën me fjalë. Poezia që ata recitojnë është heroike dhe epike dhe në ato poezi heroi ose jep jetën ose vret armikun. Luli është heroi i këtij ligjërimi luftarak. Berisha është lahutari që i shkruan tekstin, ndërsa frika nga Reforma në drejtësi është frmëyzimi i luftës me fjalë që ka nisur PD-ja qysh më 18 shkurt.

5 komente në “Paqe në luftën me fjalë”

  1. Lexues i TemA says:

    Mendoj se jeni krejt i saktë dhe i drejteperdrejte zotri Yzeiri.
    Suksese.

  2. grand says:

    Ilir, mos beje hartime!
    Dhe hartimin e mbyll me nje pyetje shume naive! Perse politikajte tane nuk bejne kompromis? Gjasme kultura u mungon,etj.” VETINGU! VETINGU! Po te mos te ishte Veting, as qe mendohej kjo situate e sotme! Biles edhe tani po t’ja marre mend perendia Rames dhe ti thote qe eshte dakort me vetingun sipas Berishes dhe Bashes, RAMA shpallet hero dhe kryeminister i perjetshem! USA dhe Europa tashme kane vendosur ta ndeshkojne kete klase politike mekatare! dhe… Vetingu eshte gracka ku shpirtrat mekatare kapen si laraska!

  3. Albani says:

    Nja dy fjale per artikullshkruesin:
    1) Nuk mendoj qe problemi te shtrohet kaq thjesht. Nuk kemi te bejme vetem me retorike, dhe kjo kryesisht me retoriken e Lulit dhe te Saliut, apo edhe te Rames.
    2) Mbas retorikes se PD-se, fshihen veprime dhe akte te mirefillta qe cojne ne situata te ngjashme me ate te 1 Prillit 1991 ne Shkoder, me ate te Pranveres se vitit 1998 (Grushti i Shtetit te Sali Berishes), dhe ne menyre te vecante me 21 Janarin.
    3) Nuk eshte Reforma ne Drejtesi, i dashur artikullshkrues, shkaku kryesor i Protestes ne Cader! Reforma eshte sebep, apo pretekst.
    4) Shkaku u vertete i Protestes eshte te vonohet dhe te sabotohet influenca euro-amerikane ne Shqiperi, per t’i lene vend ndikimit rus (ne Shqiperi dhe ne Ballkanin Perendimor).
    Siguirisht edhe Reforma ka rendesine e vet, sepse me miratimin e Reformes, mundesite per destabilizim zvogelohen shume, dhe kete gje Luli dhe Berisha nuk e duan. Ndersa destabilizimi, perleshja me arme (perse si mendoni ju se militantet dhe paramilitaret e Azem Hajdarit do te shkonin ne kavaje me duar ne xhepa?), si e vetmja menyre per te permbushur zotimin ndaj ruseve dhe serbo-grekeve.
    A e keni bere ndonjehere pyetjen se ku i gjejne parate keta te PD-se per ngritjen e Cadres, per energjine elektrike, per ushqimin, per transportin e njerezve nga rrethet ne Tirane dhe anasjelltas, per pagesat per pjesemarrje? Po Luli perse mori takim me ambasadorin e Rusise, me Gruevskin dhe Orbanin e Hungarise? Po specialistet e mosbindjes civile dhe konflikteve nderqytetare perse jasne ketu dhe paguhen nga PD-ja?
    Permbledhje: Qellimi i vetem i Sali Berishes dhe i Lulzim Bashes eshte destabilizimi i vendit, nxitjen e shqiptareve ne nje lufte vellavrasese, dhe shtrirjen e ketij destabilizimi edhe ne rajon. A do t’ia rrijne kesaj? Une them se po!
    Sa per shtet, shtet nuk kemi ende, te gjitha i ka Saliu: Gjykatat, prokurorite, oficeret e policise gjyqesore, presidentin. I vetmi institucion qe nuk ka rene ende ne dore te Saliut eshte Plocia e Shtetit, dhe po mri edhe kete atehere mund te themi me plot gojes se shtetti ka rene.
    Kthehemi tek periudha 2005-2013, kur mbreteronte Sali Berisha me klanin e tij. Sa te jete i gjalle Saliu, Shqiperia nuk mund te buzeqeshe!

  4. Landi says:

    NJë gjë ,ështê e sigurt!:
    AMERIKA ,e nisi, dhe do ta çojë deri në fund këtë proçes.!
    Nuk pjerdh as për SAL ,e as për LULUSH!!
    Ata boll tallën tr……, me perëndimin.!
    TANI ËSHTË RADHA E ????????????????????????????????????????????????????????????

  5. vaso says:

    Te dashur komentues ju genjen mendja shume.USA dhe EU jane kembekryq ne Shqiperi,dhe deri me sot prononcime direkte kunder realitetit shqiptar dhe faktoreve te ketij realiteti nuk kemi pare.Punojne ne dobi te interesave te tyre.Reformat duhet te behen me konsensus gjitheperfshires.Kemi 4 vjet nje parlament,qe pervec se te shaje e ofendoje,akuzoi dhe kercenoj nuk bene gje tjeter.Sot fatkeqesisht shumica nuk do te degjoje alternative tjeter zhvillimi pervecse kanabis.Sepse aty ka fitimin me te madh dhe me te shpejte.E ardhmja nuk eshte kjo.Zhvillimi nuk jane fasadat e lyera te pallateve,nga perpara se nga mbrapa eshte gjol.Si qytetare duhet te jemi ne opozite me cdo qeveri.Nuk ka kohe per batuta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje