Shkarkimi i drejtorit të FBI-së nga Donald Trump shkakton stuhi politike në SHBA. Comey e mori vesh lajmin nga TV

10 Maj 2017, 13:00Bota TEMA

Shkarkimi i James Comey u kthye në shkëndijën e një stuhie të vërtetë politike në Uashington. Lëvizja e Donald Trump ka ngjallur menjëherë te demokratët, dhe jo vetëm ata, dyshimin se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të pengojë hetimin e FBI-së mbi lidhjet e bashkëpunëtorëve të tij me Rusinë.

Një pjesë e këtyre zërave e krahasuan veprimin e Trump me atë që njihet si “masakra e së shtunës mbrëma” në vitin 1973, kur presidenti i atëhershëm Richard Nixon pushoi nga puna një prokuror të posaçëm të pavarur, i cili po hetonte mbi skandalin “Watergate”.

“Është vërtet për t’u çuditur sesi mund të shkarkosh njërin prej zyrtarëve të tu më të lartë hetimor, në kohën kur ai person është në mesin e një hetimi, i cili mund të përfshijë edhe individë në radhët e administatës qeverisëse. E kemi parë një president t’i pezullojë njerëzit që hetonin për të, por ai ishte Richard Nixon dhe në fund u detyrua të jepte dorëheqjen. Administrata ‘Trump’ mbase shpreson që të tjerët nuk do ta heqin këtë paralele, por të gjithë e shohin ngjashmërinë mes dy situatave”, tha Sam Erman, “USC Gould School of Law”.

Për kreun e demokratëve në Senat, ky ishte një gabim i madh.

“Çfarë është kjo që ndodhi? E dimë se Dhoma e Përfaqësuesve po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhje, nga të cilat përfitoi fushata e Trumpit. E dimë se Senati po heton. FBI-ja ka kërkuar gjithashtu të hedhë dritë mbi këtë çështje. Akuzat janë të rënda. Mos vallë këto hetime po i afroheshin pak si shumë presidentit?”, pyet Chuck Schumer, kreu i demokratëve në Senat.

Vet Hillary Clinton u përpoq të tregonte se Comey nuk e ka ndihmuar aspak.

“Unë isha duke fituar deri në momentin që Comey dërgoi në Kongres letrën ku njoftonte rinisjen e hetimeve mbi përdorimin e serverit tim privat”, tha Clinton.

Për demokratët, shkarkimi nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të mbuluar hetimin mbi lidhjet me Rusinë, ndërsa disa republikanë thonë se ndoshta ky nuk ishte momenti i duhur për ta marrë një vendim të tillë.

Comey e mësoi lajmin e shkarkimit nga televizori

James Comey mendoi se dikush po e vinte në lojë, kur mësoi fillimisht shkarkimin e tij nga detyra e drejtuesit të Byrosë Federale të Hetimit.

Sipas “New York Times”, Comey po fliste me stafin e tij në Los Angeles, e në ato momente lajmi nisi të shfaqej në një televizor pranë tij. Pak pas kësaj, – vazhdon gazeta prestigjioze, – u dorëzua në FBI letra e presidentit Donald Trump, ku njoftohej largimi i njeriut që po hetonte lidhjet e stafit të tij të fushatës me Rusinë.

Lëvizja e Shtëpisë së Bardhë e ka lënë të shokuar Uashingtonin. Pretendimi i Trump është se, Comey nuk mund ta drejtonte në mënyrë të efektshme Byronë Federale të Hetimit, e për këtë iu referua mënyrës sesi ai i udhëhoqi hetimet ndaj Hillary Clintonit në kohën e skandalit të “e-mail”-eve.

Demokratët thonë se shkarkimi është vetëm pasojë e verifikimeve që Comey po bënte në lidhje me Moskën. Në letrën e dërguar prej tij, Trump thotë se pavarësisht faktit që e vlerëson informimin në 3 raste të veçanta se nuk ishte subjekt hetimi, pajtohet me gjykimin e Departamentit të Drejtësisë se Comey nuk është në gjendje ta udhëheqë në mënyrë të efektshme FBI-në.

“Është me rëndësi të madhe që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në, për të rikthyer besimin e publikut dhe besimin në misionin e saj jetik për zbatimin e ligjit. Ajo është një nga institucionet më të respektuara të vendit dhe kjo ditë do të shënojë një fillim të ri për të”, shkruhej në letër.

Comey, prokuror prej një kohe të gjatë, ka qenë zëvendëskryetar i Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së presidentit George W. Bush dhe u emërua shef i FBI-së me mbështetjen e gjerë nga të dyja partitë në Kongres.

6 komente në “Shkarkimi i drejtorit të FBI-së nga Donald Trump shkakton stuhi politike në SHBA. Comey e mori vesh lajmin nga TV”

  1. loni says:

    mire ja bere ketij plere me dy fytyra o Tramp,ky ishte njeriu me i deshtuar i FBI,ky njeri pervec shkarkimit duhet te denohet edhe per lidhjet secrete me mafjen e lekistave ne mbare ameriken dhe boten per pastrim parash,pis burre u more vetem me hetimet e Clitonit,jo se ajo ishte e paster ne biografi se hale ishte,por kur detyra jote eshte te hetosh dy perfaqesues,duhet ti hetesh qe te dy pa asnje medyshje njelloj,kurse ti u more vetem me njerin me Clintonin,tani qe e kuptove qe po te shtergohesh rrethi kur Trump u be president fillove te hetosh edhe kete te dytin me idene qe ta shkaterroje me shantazhe lidhur gjasme me Rusine gjate kohes se votimeve,e dije qe atehere por nuk veprove,tani eshte teper vone o Comey njeriu dy fytyra nje plere ne administraten me te rendesishme ne amerike,shume mire ja bere z Tramp ketij plere rrase dhe ne burg mafjozin.

    1. Zonja e Lonit says:

      Ik ere Loni , ik ere laço se ti thyeva kembët ere !

  2. LORA says:

    Kokdylli trump po i beka varrin vetes,,,,hajt qofte e mbare udha e tij, sikurse e r.nikson.

    1. Sefer Loku says:

      Lora, Si ekzaktesisht po ja ben varrin vetes Trump? Eshte kompetence e tij ne ligj shkarkimi I drejtorit te FBI. Comey nuk bente per ate pune. Te ishte I drejte e kish derguar Clinton ne prokurori .

  3. Kushi says:

    Cka per tu habitur?!Trampi e kishte then dhe madje e kishte sllogan”Ju te paret”..dmth populli i pari…Trampi mbajti fjalen qe dha…ne fillim e meson populli…pastaj individi.Keshtu eshte..ka shtet aje oreee.

    Hajde tani te besh politike te jashteme…me trapin!
    Demokracia eshte sistemi me pak i keq se te tjeret…sec tha nje presidend amerikan.E tha kur politikanet kishin koqe…e tha mor e tha…por kujt ja tha.
    Ndaj edhe populli nganjehere ska te drejt…ne raste te rradha…por eshte e vertet ama.
    E shikoni mor amerikan se cfare bete? Sollet ne presidence nje te “padejte,te pa-afte”…eshte per te ardhur gjynah kur shikon renjen e nje perandorie..nga vete populli.

  4. T.T says:

    Po ku dreqin e dini ju qe e mesoj lajmin nga TV, apo u lajmeru cadra Sales e para,mos i fusni hundet aty ku sju tako idjota,shikoni turpin tuj,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje