Personazhit që s’i del e keqja nga femrat

12 Maj 2017, 10:37Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Ditët e fundit bëri shumë bujë një postim që kish bërë në faqen e vet në Facebook një Personazh publik që i pëlqen të thurë teori konspirative për çdo ngjarje që ndodh këtej e matanë kufijve tanë. Ai është i fiksuar sidomos ndaj seksit femëror, pas së cilës do të gjejë doemos një të përdalë që s’ka parë kurrë me sy dysheme, veç tavan. Aq i fiksuar është të hyjë në detaje edhe seksuale, saqë i ka mbetur pa përshkruar vetëm akti seksual. Kam përshtypjen se këtë e ka bërë ngaqë nuk ka dashur ta akuzojnë se i ka përgjuar poshtë krevatit çiftet që merr nëpër gojë. Është ankth i madh të të kapë paranoja se poshtë krevatit ke Personazhin.

Ato që e bënë tabelë qitje Personazhin ishin jo thjesht termi “kurvë” që përdori për një ambasadore të rëndësishme në Shqipëri, por fakti se ai kaloi në ekstrem duke kërkuar eliminimin e saj fizik. Eliminim që edhe vetë Kanuni i Lek Dukagjinit e kish të ndaluar ndaj femrës edhe për çështje gjakmarrje, jo më për alergjinë që Personazhi në fjalë ka ndaj femrës në përgjithësi, për të cilën nuk po i del e keqja.

Personazhi, kur ka bërë thirrje publike për vrasjen e ambasadores, e ka trajtuar thirrjen në mënyrë shumë tinëzare. Ai është frymëzuar nga akti heroik i Heroit të Popullit Avni Rustemi, i cili palosi në mes të Parisit tradhtarin e Kombit, Esad Pashë Toptanin. Gjithë artikullin e ngritur mbi fyerjen e ambasadores si “kurvë”, Personazhi e ka patur vetëm për një qëllim: si e si të kamuflojë arsyen e vërtetë, arsye të cilën e nxjerr në mbyllje të shkrimit kur thotë: “Kështu që çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë ………. dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist”. Ai nxit, pra, çdo shqiptar që ta ndërmarrë këtë akt. Logjikisht ai ia shtie në mendje këtë veprim. Personazhi e dëshiron një akt të tillë, por jo që ta kryejë vetë, por nëpërmjet dorës së dikujt tjetër të cilën ai e kërkon mes radhëve të patriotëve. Për t’i prekur sa më shumë në sedër vrasësit patriotë, ai e lidh vrasjen e ambasadores si një shërbim ndaj atdheut. A nuk u mbrojt edhe Avni Rustemi përpara gjykatës pariziene pikërisht me faktin se ai ishte një krim pasioni, që u frymëzua nga tradhtia që Esadi po i bënte Shqipërisë? Duke krijuar këtë lidhje të shkurtër shkak- pasojë, Personazhi ka dashur që vrasësi potencial i ambasadores ta ndërmarrë këtë hap si një të mirë që po i bën vendit të vet dhe, për këtë, meriton t’i këndohet kënga në shekuj. Siç Avniut. Më tej, Personazhi vrasës-nxitës, kujdeset që t’i heqë edhe frikën e ndëshkimit autorit potencial që po e shtyn në krim; se kjo vrasje nuk përbën terrorizëm, por është antiterrorizëm. Vetë fakti që ai i ka shërbyer atdheut, ia përligj veprimin dhe e bën të padënueshëm, sipas Personazhit. A nuk u lirua edhe Avniu kështu?

Tek ne në Shqipëri thjeshtëzohen gjërat dhe ndonjëherë i neglizhojmë duke thënë: hë mo se s’e merr kush seriozisht atë; e kush e merr atë barrë e të shkojë të vrasë një ambasadore; po lëreni he burra se s’ia ka ngenë kush të merret me një grua; etj., etj mënyra të ngjashme arsyetimi.

Në botë ka shumë të çmendur dhe në këtë rast Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim për mungesë të çmendurish. Ka nga ata që i marrin seriozisht këto thirrje dhe duan të bëhen të famshëm, pse jo, të hyjnë në histori me akte të tilla. Ka që e kanë kryer edhe për shkaqe politike a fetare. Bota ku jetojmë ka njohur Luftën e I-rë Botërore vetëm prej vrasjes së ambasadorit apo arkidukës Franc Ferdinand, vrasësi i të cilit, Gavrilo Princip, tashmë është pjesë e historisë. Sot jetojmë në një shekull tjetër, por ende ruhet e freskët situata e tensionuar që ndodhi pas vrasjes së ambasadorit Karlov, ku bota u tremb nga një reagim i fuqishëm rus mbi Turqinë, por që u shmang me diplomaci. Vetë sekretarja Klinton e akuzua në vitin 2012 për mos reagim në kohë për vrasjen e ambasadorit amerikan Stivens në Bengazi, pas së cilës në Libisë u stacionuan dy luftanije amerikane.

Ka shumë shembuj të ngjasim, por gjithsesi Shqipëria është jashtë kësaj vorbulle sepse jemi vend i vogël. Thjesht do shiheshim si një vend anadollak, që s’e meriton hyrjen në gjirin e familjes evropiane, me gjasë do vononte në kohë integrimin e shumëdëshiruar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në mendimet që i shfaqim publikut, aq më tepër kur këto bëhen nga Personazhe mediatikë. Imediate bëhet kjo kur përfshihet emra ambasadorësh, të cilët nuk përfaqësojnë veten e tyre, por vetë shtetet që i kanë emëruar.

Është në psikologjinë e njeriut që të inspirohet nga ngjarje të ngjashme. Po ta keni vënë re, sa herë ka një vetëvrasje që del në media, brenda pak ditësh ajo shoqërohet me raste të ngjashme. Po kështu edhe kur ka një vendosje tritoli në makina, edhe kur ka ndonjë vrasje apo grabitje me armë. Çdo ngjarje që merr publicitet përsëritet në të njëjtat kushte, por me personazhe të ndryshme. Mjafton fakti që dikush ia shtiu në mendje se ambasadorët janë të cënueshëm, se të bësh thirrje për vrasjen e tyre nuk ke asnjë përgjegjësi, qoftë edhe të një ndjese publike, do të thotë që t’u japësh zemër të çmendurve që duan të bëhen “VIP”-a në mbarë botën, të kryejnë akte kaq ekstreme. Apo mos duhet vallë të ndodhë e keqja e atëherë të akuzojmë edhe vrasësin edhe nxitësin? E ç’vlerë do të kish pastaj?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje