Problemi i ri është edhe korriku

11 Maj 2017, 11:09Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Korriku i këtij viti është muaji kur Lulzim Basha mbush 4 vjet në krye të Partisë Demokratike, Ishte 23 korriku i vitit 2013, fiks një muaj pas asaj goditje që pësoi Partia Demokratike në zgjedhje, ku Lulzim Basha triumfoi si kryetar me atë fitore plebishitare prej 80 për qind të votave të anëtarësisë demokrate. Është momenti për t’u rikthyer edhe njëherë në kohë, për t’i kujtuar ngjarjet që kanë ndodhur, sepse na ndihmojë për të kuptuar më qartë se më cilët politikanë kemi të bëjmë. Jo se nuk i njohim për bëmat e tyre të këtyre 27 viteve, por kur i paralelizon me zhvillimit aktuale politike, ato marrin një tjetër kuptim. Veçanërisht e domosdoshme bëhet sot, kur kjo dyshe ka marrë në duar dhe po tund gjithandej flamurin për zgjedhje të lira e të ndershme. Asnjëherë s’është vonë të rikujtojmë se cilët kanë qenë këta dy “dashnorë” të vonuar të votës së lirë.

Dhe, ja ç’gjeta nga ajo kohë, pikërisht një deklaratë e bërë nga rivali humbës Sokol Olldashi. Ai e komentonte kështu procesin e zgjedhjeve në PD:“Zgjedhja e kreut të ri të PD u bë përmes një procesi të deformuar. Në asnjë çast, nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe për më tepër në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Unë garova pa patur një informacion për korpusin e votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në lista, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit për kryetarin e Partisë Demokratike të anëtarësohen edhe në parti. Procesi për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë që do të ishte jashtë ndikimi, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë lokalë u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme. Ndërkohë që cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favorin tim u pezullua, gjë që ndodhi me ndonjë kryetar lokal të PD-së, u përjashtua siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Korçë dhe në Shkodër, apo u pushua nga puna, siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo në Vlorë”.

Shihet qartë në këtë pasqyrë shteruese që ka bërë i ndjeri Olldashi, se sa hapur është deformuar vota e demokratëve dhe se sa hakmarrës janë treguar edhe brenda llojit kundrejt asaj pjese prej 20 për qind që mbështesnin Sokolin. Dhe të mendosh që kishin rënë nga pushteti, por që ende s’e kishin dorëzuar pasi ishte periudha transitore. Kuptohet që ai rezultat që mori atëherë Basha ka qenë i diktuar nga rrethanat që përshkruan vetë Olldashi. A nuk ju duket që gjithë sa ka ndodhur në atë proces zgjedhor brendapërbrenda PD-së, të mos e keni hasur edhe gjatë proceseve zgjedhore vendore a parlamentare kur ka qeverisur Berisha? Ja pse Berisha dhe Basha, sa herë ngrenë akuza ndaj kundërshtarit, duket sikur me ato që thonë kanë të drejtë. Sepse, duke qenë se i kanë kryer vetë paudhësitë, duke ia ditur hiletë se si manipulohet e tjetërsohet vota dhe vullneti i votuesve, druhen se edhe kundërshtarët e tyre politikë do bëjnë të njëjtin veprim si ata. Prandaj, sa herë që kjo dyshe bën akuza, gjithmonë përpiqem që të gjej në to veprime që ata kanë kryer në të shkuarën e tyre pushtetmbajtëse. Dhe asnjëherë nuk jam zhgënjyer në pritshmërinë time.

Tashmë që po afron korriku, del më në pah frika e Bashës se me humbjen e zgjedhjeve do humbte edhe rolin drejtues në parti. Në rast se futej në zgjedhjet e 18 qershorit, ai do shkonte në zgjedhjet në parti me bilanc humbësi dhe do i mungonte karta morale për të kërkuar mandat të dytë. Prandaj, ai në bashkëveprim me Berishën, i ranë shkurt; më mirë të shkojmë në korrik si humbës pa garë elektorale, sesa të shkojmë si humbës që marrim pjesë në zgjedhje dhe legjitimojmë humbjen. Me qëndrimin në çadër dhe rezistencën që po bën edhe ndaj ndërkombëtarëve për të mos hyrë në zgjedhje, Lulzim Basha po punon me tinëzari në funksion të interesit personal. Ai po e përdor çadrën dhe bojkotin e zgjedhjeve për t’i kërkuar demokratëve në korrik që ta votëbesojnë sërish për një mandat të ri. Pra, çadra dhe bojkoti kamuflojnë dëshirën e Lulzim Bashës për ta drejtuar edhe për 4 vjet të tjera Partinë Demokratike.

Zgjedhjet në Shqipëri, përpos shkaqeve të tjera, po mbahen peng edhe në funksion të zgjedhjes së Bashës si kryetar partie. Në bashkëveprim të kësaj pengmarrje është edhe kërkesa e PD-së drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar listat e partive të dorëzuara në KQZ më datë 29 prill. Dhe, për ta realizuar këtë, gjetën kryetarin e një partie i cili, një herë regjistrohet në zgjedhje, pastaj i çon letër zyrtare KQZ-së ku i kërkon t’i heqë nga lista, e tani, pasi nuk është më pjesë e procesit, çuditërisht i paska lindur e drejta që të bëjë kërkesa në Kolegj duke u vetë konsideruar si pjesë e procesit zgjedhor!!! Kjo opozitë që nuk është serioze as me veten e saj, që ecën me parimin: “Qejfi ma ka, por bytha s’ma mba”. është një opozitë që nuk i duhet më këtij vendi, por veç dreqit. Atij dreqi që në Shqipëri dihet se cili është e mbi të cilin po rrotullohet një politikë e tërë, vendase e ndërkombëtare, e s’po i japin dum. Për turpin tonë të përbashkët!

3 komente në “Problemi i ri është edhe korriku”

  1. astrit says:

    Dakord Ketro, por ke harruar ate me te rendesishmen se votimet per kryetarin e PD kater vite me pare, Saliu i shtypi me numur serie, gje e cila nuk di te ndodhe gjekund me bote.

  2. Nati says:

    PD-ista!
    Qerroheni Berishën dhe Bashën,të shpëtoni
    partinë dhe shqipërinë!

  3. Maloku says:

    E ku pjerdh Lulushi per Korrikun, fundi fundit e pse te mendoje ,ai nuk e fitoje qe ta dorzoje kur te vije korriku, ati ja falen e gjeja e falur nuk rifalet e dorzohet, por monopolizohet si e jotja perhere se ja ka fale babe Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje