Statusi i politikanit dhe statusi i gazetarit Kastriot Myftaraj, shtetasit

11 Maj 2017, 10:06Blog TEMA

Nga Met Dervishi

Strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë, dje kanë arrestuar shtetasin Kastriot Myftaraj, i cili, në media ka bërë thirrje të hapura për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, në bazë të nenin 223 të Kodit Penal, etj.

Konkretisht, gazetari Kastriot Myftaraj ka postuar një shkrim në fcb për profilin politik të zonjës Romana Vllahutin, përfaqësueses së Bashkimit Europian në Tiranë, dhe konkludon se ajo “mund të vritet nga shqiptarët”.

Veprimi i Policisë së Shtetit në këtë rast tregon se shteti shqiptar i ka të gjitha instrumentet kushtetuese për të arrestuar këdo që bën thirrje të hapura për vrasje, të cilat, në rastin konkret, gazetarin Kastriot Myftaraj e shndërrojnë në një shtetas të thjeshtë, subjekt të ligjit, që duhet të përgjigjet për aktet e tij publike.

Deri këtu, Policia e Shtetit mund të përgëzohet për veprimin e saj, madje dhe për aftësinë e saj që, në morinë e pafund të rrjeteve sociale, të identifikojë një rast ekstrem të kësaj natyre.

Por, në të njëjtën kohë, ky veprim i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë i nxjerr ato zbuluar për mosveprimet e tyre kundrejt thirrjeve publike për dhunë dhe linçime.

Njëlloj si gazetari Kastriot Myftaraj, politikani shqiptar Lulëzim Basha bën thirrje për luftë, madje dhe për shfarosje, dhe, që nga çadra e tij ka kohë që po e terrorizon opinionin publik me përfytyrimet nekrofile të kufomës së kryeministrit në Lumin e Lanës.

Po ashtu, ustai i tij, politikani Sali Berisha, në çadër e përtej saj, madje gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike ka prodhuar e prodhon pa reshtur përfytyrime apokaliptike për dhunë, gjak, thyerje kokash, buzëqeshje të ngrira, etj., etj. , thirrje të cilat, të sintetizuara, kushdo mund t’i gjejë në internet, pa ndonjë mundim të madh.

Kemi pra, dy standarde të Policisë së Shtetit, por kemi njëkohësisht dhe dy standarde të opinionit publik, që reagon, fjala vjen kur një kryetar partie i Lushnjës terrorizon me fjalë një polic të thjeshtë, dhe hesht kur nga çadra, vijimësisht, politikanët e saj bëjnë thirrje për rrëmbim armësh, madje këto kohët e fundit kanë joshur dhe “marinsa” amerikanë për qëllime të tilla.

Për stabilitetin social të vendit, kuptohet që thirrja e gazetarit Kastriot Myftaraj nuk mund të krahasohet me dëmin e mesazheve të liderëve të një partie të madhe që shumëfishohen në media në të gjitha emisionet e lajmeve, editorialet, komentet, etj., etj.

E, megjithatë, në këtë rast, Policia e Shtetit nuk e kryen funksionin e saj kushtetues për t’i shndërruar politikanët Lulëzim Basha e Sali Berisha në shtetas, subjekt të ligjit.

Duket qartë që kjo ka të bëjë me statusin që ka marrë politika në këtë vend: veprimtaria e saj shihet si mbikushtetuese dhe mesazhet e saj shihen si një e drejtë që e ka vetëm ajo.

Me sa duket, kështu nuk mendon vetëm Policia e Shtetit, po, në një farë mënyre kështu mendojnë të gjithë, duke përfshirë dhe opinionin publik që, duket, e percepton veprimtarinë politike me një status të veçantë që është mbi çdo ligj.

Se, ka mbi tetëdhjetë ditë, që çadra është shndërruar në një sfidant të hapur të rendit kushtetues, dhe shumëkush bën sehir, duke pritur protestën e radhës me “marinsa” e me grupe militantësh që stërviten nga ish punonjësit e policisë së Partisë Demokratike.

Dhe, se, çadra inskenon vazhdimisht spektakle të ekzekutimit publik të kryeministrit, madje dhe skena nekrofile me portretet e ministrave të kabinetit që “ekzekutohen” publikisht .

Nëse Policia e Shtetit tregohet e vëmendshme për një shkrim të Katsriot Myftarajt, dhe nëse njëkohësisht bën sikur nuk i dëgjon mesazhet e çadrës, kjo tregon që dhe për Policinë e Shtetit politika ka status të veçantë dhe politikanët nuk janë subjekt i ligjit.

Natyrisht që statusin e politikanit që qëndron mbi ligjet e kanë krijuar diktaturat.

Dhe, natyrisht, që këtë status në mjedisin e ri demokratik shqiptar e ka mbajtur me dhëmbë e me thonj Sali Berisha gjatë këtyre afro tri dekadave, por nuk është se ky lloj statusi nuk i josh të tjerët përreth tij.

Kemi rreth tre muaj që rrimë e presim ndërmjetësimet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për të negociuar stabilitetin, por në të vërtetë problemi qëndron pikërisht këtu: politikanët duhet të jenë subjekt i ligjit, shtetas, madje shtetasit e parë që duhet të përgjigjen para tij.

Të parët që duhet ta kuptojmë këtë duhet të jemi ne, qytetarët, që duartrokasim nëpër mitingje. Pasi të ndodhë kjo, kuptohet që dhe Policia e Shtetit dhe mekanizmat e tjerë kushtetues do të tregohen po kaq ekzigjentë sa dhe në rastin e gazetarit Katsriot Myftaraj.

7 komente në “Statusi i politikanit dhe statusi i gazetarit Kastriot Myftaraj, shtetasit”

  1. DANIEL says:

    KU JE O ZOTI KRYEPROKUROR !?

  2. Niko says:

    Z. MET!
    Gjuha e Berishës ,është gjuha e dhunës ,kërcënimit,linçimit,gënjeshtrës,destabilizimit.!
    Basha,e imiton perfekt.!
    Kastrioti, vuan nga e njejta sëmundje si Berisha,
    kështu qê s’ka nevojë për imitim,se i vjen natyrshëm ky fjalor.! VETINGU!!!!!,Do ti sjell në vete!!
    Ju gazetarët e opinionistët ,rrofshi që shkruani,se kemi nevojë të kuptojmë më mirë situatat,ne njerëzit qê shohim punën tonë në jetën e përditëshme dhe qê s’meremi me politikë. RROFSH,O MET!!????????

  3. lani says:

    keni shume te drejte.Por kete status mbikushtetues te politikaneve e kane “ligjeruar”ne opinion vete politikanet dhe policia eshte e detyruar do apo nuk do te pajtohet.Mbeshtetje per mos denimin e shpifesve profesioniste politikane si Basha,Berisha (sidomos) e te tjere drejtues te PD-se eshte kryeprokurori inekzistent i shtetit,qe te vjen per te vjelle t;ja permemdesh emrin,qe sa i dalin perpara keta emra ben shurren dhe aresyen e di ai,kurse ne te tjeret mund vetem t;a marrim me mend.Prandaj behet dhe kje rezistence deri ne ekstrem kunder vetingut.

  4. Sindi says:

    KËTË PLEHRË,VETËM PLEHU ARJAN ÇANI E NXJERR NË EKRAN!????????????????KASTRIOT ,PSIKOPATI!

  5. ky, kastrioti ngjane ne pamje e intelekt me fahri balliun, per shpifje e thirrje kiminale eshte sozie e berishes. ka shume mundesi qe fjalime te berishe e birit te tij lulzim I pergatite kastrioti me fahriun balli. keta kriminel duhet te ishin prapa hekurave para se te vrasin. se edhe po vrane I I fale gjin gjoni. pse nuk u be vetingu sepse pd-se I duhen gjyqtare si gjin gjonie majlinda andrea. pas kesaj eshte ilir meta me lefter koken. kete , besoj rama e ka kuptuar por…. teper vone. aleanca e krimit meta berisha po rrezon amariken e bashen e po funksionon sips skenarve greko-serb-isis. koka e kesaj aleance eshte antishqiptari me I I vendosur kryekrimineli salih rame berisha. poshte salih berisha. rrofte shqiperia.

  6. a.f. says:

    Met i dashur, ke shume te drejte, por nje shprehje popullore thote se..”po te kishte tezja koqe, do ta thirrnim daje..
    Policia duhet te veproje jo vetem kunder politikaneve qe prishin rendin publik, por edhe kunder cdo subjekti qe prish qofte edhe qetesine publike. Gjej rastin te kujtoj, ndotjen akustike dhe psikologjike te daulleve qe vazhdojne me muaj te tere neper rruget e qyteteve gjate festimeve fetare, apo altoparlanteve neper minare, sheshe publike, lagje, etj.

  7. vjola says:

    Sakte . Duheshin lidhur me kohe .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje