A do e vlerësojë besnikërinë e aleatëve Lulzim Basha?

25 Maj 2017, 09:23Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Po afron afati kur Partisë Demokratike i duhet të depozitojë listat në KQZ dhe ajo çfarë pritet me interes janë jo vetëm emrat e deputetëve të saj, por edhe të aleatëve. Tashmë është e njohur se në rrugëtimin e saj nga protesta e 18 shkurtit e deri kur arriti marrëveshjen me kryeministrin Rama, Lulzim Basha i ka patur në krah dhe të gatshëm të pranojnë çdo vendim të tijin, aleatët e vet. Duhet pranuar se ata i qëndruan koherentë edhe në momentet ku bëhej fjalë se po mbeteshin jashtë zgjedhjeve, rrjedhimisht jashtë jetës parlamentare. Ashtu siç kanë pranuar edhe drejtuesit e saj, këta aleatë kanë mbajtur linjën e Partisë Demokratike edhe në takimet me ndërkombëtarët. Bile, në shtyp dolën deklarata se ata janë përplasur edhe me përfaqësues të BE-së kur ata u kanë kërkuar të hyjnë në zgjedhje e të përfitojnë nga fakti që PD-ja mbetet jashtë tyre. Këtu ata kanë treguar me të vërtetë një besnikëri të pashoqe në politikën shqiptare, duke vënë interesat e Partisë Demokratike mbi interesat e partive të tyre. Është një gjest që meriton duartrokitje sepse njerëzit, aq më tepër politikanët, në këto momente duken. Në këto kushte merr kuptim edhe ajo shprehja popullore: “në rrezik e në nevojë, shoqi- shoqin ta ndihmojmë”.

Në antitezë me ta, në kampin tjetër, atë të mazhorancës, nuk pamë shenja të tilla besnikërie. Aleatët e kryeministrit Rama, Vasili dhe Idrizi, në asnjë moment nuk ishin në union me mendimet e Ramës dhe në çdo artikulim publik dukej që më shumë kishin hallin e PD-së se sa të partisë së tyre (se të PS-së as që bëhej fjalë). Edhe natën kur u arrit marrëveshja Rama – Basha ata shkuan në tryezën e thirrur nga Mediu – Duka, pa u konsultuar paraprakisht me Ramën, kur dihej që Rama i kish kthyer përgjigje me sms Dukës ku i thoshte që s’e njihte atë tryezë dhe s’do merrte pjesë. Pra, sjella e aleatëve në kampin mazhoritar duket se ua ngre edhe më shumë vlerat aleatëve të kampit opozitar.

Ajo që i bashkon të gjithë në një pikë është se të gjithë kishin hallin e PD-së e asnjë hallin e vetë. Tashmë që PD-ja u fut në procesin zgjedhor dhe çdo orë që kalon aleatët më shumë kanë hallin e vetë se sa të PD-së, duhet që kjo e fundit t’ua kthejë reston me të cilën është në borxh qysh nga 18 shkurti. Kjo arrihet duke i përfshirë të gjithë aleatët e vjetër e të rinj në listat e Partisë Demokratike. Pra, duke i futur mik në shtëpinë e saj. Dhe, kur dikë e fton për mik duhet t’ia bësh nderet deri në fund. Dihet që miku nderohet jo duke e vënë në qoshe, por bash në krye të vendit. Dhe jo vetëm në krye të vendit, domethënë kryesues liste, por edhe dollibash, domethënë drejtues fushate sipas qarqeve. Përderisa i the mikut mik, që ia njeh meritat se të ndihu në momente të vështira, duhet që respektin t’ia kthesh edhe më të madh.

Duke qenë se Lulzim Basha është gjithmonë në vështirësi të përpilojë lista, me shumë modesti i ofrohem vullnetar për t’i sugjeruar si më poshtë:

Qarku Shkodër – këtu i takon që listën e PD-së ta kryesojë z. Nard Ndoka, kryetar i PDK-së i cili është personifikimi më i mirë i këtij qarku. Edhe në zgjedhjet e kaluara ai ishte pjesë e listës së PD-së kështu që do kemi thjesht vijueshmëri. Zoti Ndoka njihet për linjën e lehtë, të pa komplikuar dhe hokatare të diskutimeve, dhe kështu do jetë më e thjeshtë për opozitën që pas zgjedhjeve të këtë një politikan të denjë që t’i përgjigjet ironive bajate e pa pikë kripe të kryeministrit Rama.

Qarku Kukës –  këtu i takon që listën ta kryesojë z. Kreshnik Spahiu, kryetar i AK-së. Duke qenë se ai origjinën e ka nga Prizreni, është zgjedhja më e mirë që ky qark të përfaqësohet nga zoti Spahiu pasi në çdo rrethanë tjetër politike Prizreni dhe Kukësi duhet të ishin bashkë. Zoti Spahiu njihet për linjën e ashpër ndaj zotit Rama dhe opozitës do i  duhet një zë potent për ta vënë me shpatulla për muri kryeministrin Rama pas zgjedhjeve.

Qarku Lezhë –  këtu i takon ta kryesojë z. Eduart Ndocaj kryetar i PBDKSH, i cili gjithashtu është i atyre anëve. Ndonëse ai shkoi vonë si aleat, gjithsesi duhet vlerësuar sepse nuk ra në grackën e kryeministrit për t’u regjistruar në zgjedhje. Duke qenë se ai ka qenë pjesë e PS-së gjatë legjislaturës së kaluar, do i vijë në ndihmë opozitës që ta ketë më të lehtë për të kuptuar teknikat dhe taktikat që do përdorë kryeministri Rama. Zoti Ndocaj do luajë rolin e shkatërruesit në mesfushë nëse do ta trajtonim si lojë futbolli.

Qarku Tiranë – këtu i takon të kryesojë z. Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, i cili edhe më herët ka qenë pjesë e listave të PD-së dhe është treguar më pëdësist se vetë pëdëistët klasikë. I ka qëndruar besnik vendimeve të Lulzim Bashës edhe kur kanë qenë të gabuara dhe është një zë i moderuar. Kërkon revansh ndaj kryeministrit dhe ky është një aspekt tjetër që e bën të besueshëm besnikërinë e tij të cilën nuk e këmbeu as me vendin e punës së gruas e as u shit për 500 mijë euro (kjo duhet parë me dyshim se ai pranoi se vlen më shumë se aq, kështu që ky është i vetmi moment i dyshimtë pasi nuk kemi shifër tjetër më të lartë nga Rama që ta vinim në provë rezistencën e z. Shehi). Me të folurën e tij popullorçe Z. Shehi do të jetë më i kuptueshëm për popullin opozitar gjatë përballjeve me kryeministrin Rama.

Qarku Durrës – këtu i takon të kryesojë z. Agron Duka, kryetar i PAA-së dhe njëri prej aktorëve që mundësoi futjen e PD-së në zgjedhje. Zoti Duka ka rrënjë të forta në këtë qark e sidomos në Shijak ku e ka merak qysh nga vitit 2005 të marrë votat nga ata që desh bënë theror për të ndjerin Olldashi. Ndonëse z. Duka ka lënë hapur një derë për bashkëqeverisje me kryeministrin Rama pas zgjedhjeve, sërish ai duhet vlerësuar për qëndresën dhe lëmshin politik që zgjidhi në fund. Vetëm fakti që bëri atë që s’e bënë dot Hanh e McAllister, duhet t’i heqësh kapelën.

Qarku Fier – këtu i takon ta kryesojë z. Fatmir Mediu, kryetar i PR-së, edhe ky bashkë aktor me zotin Duka për arritjen e marrëveshjes. Edhe z. Mediu ka rrënjë të forta me Fierin ku ka pas punuar dikur. Ai është një nga besnikët më të mirë të PD-së dhe armën më të fortë ka heshtjen në çështje delikate me pasoja kombëtare. Duke e treguar veten të denjë në këtë drejtim, e meriton t’i jepet mundësia për të qenë ai i pari në listë. Edhe gjatë 4 viteve të ardhshme do i duhet opozitës pasi di të luajë rol balancues në situata të ndërlikuara dhe që asnjëherë nuk duhen nënvleftësuar kur dihet se me cilin kryeministër do kenë të bëjnë.

Qarku Vlorë – këtu i takon ta kryesojë z. Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së. Kjo parti, për herë të parë në këto 27 vjet, është nga më të rrezikuarat të mbetet janë Kuvendit. Edhe në zgjedhjet e vitit 2013 rrezikohej, po i dha një dorë të mirë Rama. Kësaj here u prishën për çështjen çame ose më saktë, për aleatin e Ramës, Shpëtim Idrizin. Në momentin që ky i fundit u zgjodh nën kryetar i Kuvendit, zoti Dule nuk mund ta duronte këtë poshtërim që i bëhej Greqisë, domethënë minoritarëve dhe si mbrojtës i të drejtave të njeriut refuzoi të ishte pjesë e të njëjtës karrige ku ulte të ndenjurat zoti Idrizi. Ajo që të habit në këtë çështje është se z. Dule i qëndroi besnik deri në fund Bashës, ndryshe nga z. Idrizi që ia futi pas shpine Ramës. Kjo ka për të mbetur çudia më e madhe të cilës nuk di t’i jap dot shpjegim. Qoftë edhe për këtë arsye Lulzim Basha duhet ta vlerësojë këtë akt të zotit Dule që u tregua më shqiptar se sa vetë shqiptarët kur vjen fjala tek Besa.

Këto ishin edhe sugjerimet e mia për listën e aleatëve me të cilët, besoj, Lulzim Basha do realizojë një opozitë të fortë e konstruktive parlamentare. Meqenëse nuk ka aleatë të tjerë, po i lë dorë të lirë Bashës të zgjedhë kryesuesit e Elbasanit, Beratit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Korçës. Jo s’e nuk kam sugjerime për këto qarqe, por nuk dua të tregohem mendjemadh sikur di gjithçka. Vetëm një kërkesë kam në fund; mos bëj ashtu siç bëri bukëshkali Rama që i la vetëm aleatët e vet. Vendosi aleatët si kryesues liste dhe do ta shohësh që produkti që do arrish do të jetë ai që t’i pretendon: një opozitë alternative e mazhorancës së nesërme për të qenë fitues të sigurt në zgjedhjet e vitit 2021.

2 komente në “A do e vlerësojë besnikërinë e aleatëve Lulzim Basha?”

  1. Kozma says:

    Ky eshte shkrim me hile,i kerkohet PD-se te vere ne krye te listave me injorantet ahhahahahahahah Altin o qerrata ?

  2. valentina says:

    Populli im i dashur shikojini me vemendje keto fytyra hipokrite per pak caste dhe analizojini me radhe secilin prej tyre pa lene menjeane gorrillen shkullaku dhe te mendosh qe keta zvarranike do perfaqesojne parlamentin e ardhshem ,nuk po merrem me mediun se tashme populli ja di bemat qe ka bere as me qesharaket ndoka shehi, duka,palaco spahiun dhe gaztorin ndocaj,por dua te dy them dy fjale per habine qe orangutangu shkullak paska per dule grekqirin.Sa per cudine e madhe qe ti shimpanze nuk i jep dot shpjegim eshte fare e thjeshte per shpjeguar.1 dule nuk e duronte dot qe ne qeveri dhe parlament te kishte ze qe te ngrinte cdo problem qe kish te bente me ceshtjen came kur dihej qe te gjitha qeverite paraardhese e kishin tradhetuar per interesa shume te ngushta,2 Eshte PD_ja partia ku dule bythqiri e ka ndjere veten me komod ,sepse dhe imagjinata e dules nuk do arrinte deri atje sa ti falje grekqireve pjese te detit dhe te mbushje jugun me varreza te ashtuquajtur ushtare greke te rene aty ku grekerit pretendojne vijen imagjinare te vorio epirit.pra shkullak cita cfare prisje ti te bente dule gruaqiri?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje