Opozita prej më shumë se një jave ka hyrë në një ngërç të madh në vetvete sa i përket hartimit të listave që do t’i prezantojë shqiptarëve në garën elektorale të 25 qershorit.
Aleatët e Partisë Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha duket se janë “ngujuar” në selinë blu për të bindur kryeopozitarin Lulzim Basha që të lëshojë sa më tepër pe në ofertat që i ofron.
Bashkëpunimi i tyre gjatë qëndrimit në çadër duhet thënë se ka qenë mjaft rigoroz, por kur vjen çështja tek ndarja e pushtetit gjërat fillojnë dhe janë më ndryshe.
Siç duket Basha ka hequr dorë nga bashkëpunimi me disa prej aleatëve kyç të tij për shkak se nuk janë dakortësuar me përfshirjet në lista.
Kryedemokrati në këto orë të ethshme e ka ndarë opozitën në tre pjesë: Të zhgënjyerit, të pavendosurit dhe besnikët për një mandat.
Të zhgënjyerit
Kreshnik Spahiu
Aleati më i afërt i Lulzim Bashës gjatë qëndrimit në çadër Kreshnik Spahiu nuk do të jetë kandidat i Partisë Demokratike.
Burimet për “TemA” bëjnë me dije se lideri i PD-së Lulzim Basha nuk është bindur që ta fusë atë në listat e sigurta që do t’i paraqesë qytetarëve për garën elektorale të 25 qershorit.
Bëhet me dije se Basha i ka dhënë një pozicion mes emrave të tjerë por jo në një pozicion të sigurt. Ai i ka argumentuar këtë vendim Spahiut duke i thënë se ndryshe nga aleatët e tjerë ai nuk gëzon aktualisht mandat në parlament.
Që pas nënshkrimit të marrëveshjes Rama-Basha, Spahiu ka shmangur të gjitha daljet e tij publike. Diçka e tillë vihet re edhe në rrjetet sociale të administruara nga AK, ku bie në sy mungesa e publikimeve.
Spahiu prej 3 muajsh ka qenë personazhi më i angazhuar për ndërtimin e Republikës së Re ku vlen të kujtohen tonet e tij të intensifikuara për të rrëzuar Edi Ramën.
Ai shpesh herë për të mbrojtur Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, nuk ka kursyer as fyerjet ndaj diplomatëve të lartë të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Bruksel.
Vlen për tu përmendur se Kreshnik Spahiu mori një kujtim të hidhur nga çadra e protestës ku u dhunua fizikisht nga një militant i Partisë Demokratike.
Eduart Ndocaj
I zhgënjyer nga Lulzim Basha duket se është edhe deputeti i Lezhës Eduart Ndocaj.
Deputeti i njohur ndryshe si “kaubojs” ndjehet i pa kënaqur për mosmirnjohjen e treguar ndaj tij për 5 ditët që qëndroi në çadër.
Ndocaj ndjehet i nënvlehtësuar pasi ditë më parë tha se bashkë me Bashën dhe Mediun, ishin tre muskutierët që themeluan Republikën e Re.
Më herët ai ka paralajmëruar Bashën se nëse nuk e përfshin në listën e sigurtë të PD-së, atëherë ai do të dalë i vetëm në zgjedhje për të përfaqësuar partinë Bashkimi Demokristian Shqiptar të cilën drejton.
Veç kësaj, Ndocaj për të bindur aleatin Basha se mund të jetë një kandidat mjaft favorit i së djathtës në Lezhë, ka çelur edhe disa sondazhe.
Edhe pse ish-deputeti socialist, ka bërë një përpjekje maksimale, fati i tij brenda strukturave të Partisë Demokratike ende është i paqartë dhe i rrezikuar.
Ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrën këto dy forca politike ku në rast se do të dalin më vete është e vështirë të futet në zgjedhje për faktin se i duhen së paku 7 mijë firma.
Kjo shumë votash është e pamundur për t’u mbledhur deri në skadimin e afatit i cili është mjaft afër.
Të pavendosurit
Agron Duka
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka dalë i pa kënaqur nga zyra e liderit të PD-së Lulzmi Basha.
Oferta që atij ju vendos mbi tryezë në selinë blu, mësohet se ka qenë kundër pretendimit të Dukës.
Mësohet se Duka dhe Basha nuk kanë bërë në fillim marrëveshje zyrtare përpost marrëveshjes me fjalë.
Pas përfundimit me sukses të negociatave Rama-Basha, lideri i PD-së i propozoi Dukës një pozicion të arsyeshëm në listën e PD-së për Durrësin ku ai siguronte pjesmarrjen e tij në parlament për 4 vitet e ardhshme.
“Molla e sherrit” mes tij dhe Bashës ishte oferta tepër e ulët e propozuar nga kreu i PD-së. Sipas Dukës potenciali i partisë së tij është më i madh se sa “çmimi” që i është vënë nga Partia Demokratike.
Burimet bëjnë me dije se veç mandatit të tij, Duka i kërkoi në tryezën e bisedimeve Bashës edhe dy mandate të tjera në listën e sigurtë që do të shpallë Partia Demokratike, ku spikasnin figura me profil të njohur politik si Marko Bello apo Genc Juka.
Mosdakortësia mes tij dhe Bashës, bënë që Duka të marrë vendimin për tu prezantuar i vetëm në zgjedhje.
Ndërkohë, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste nuk përjashtoi mundësinë për të bërë koalicion me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve.
Fatmir Mediu
Fatmir Mediu është një prej aleatëve më të vjetër dhe më besnik të Partisë Demokratike. Kjo për faktin e pozicioneve mjaft të larta institucionale që lideri i Partisë Republikane ka mbajtur gjatë kohës që PD ka qënë në pushtet.
Edhe në këtë process zgjedhor, Mediu është dakortësuar me Bashën që të kandidojë nën logon e Partisë Demokratike.
Mediu në një prononcim për mediat pas një diskutimi të gjatë në zyrën e kryedemokratit tha se do të jetë kandidat i PD-së ku gjithashtu shprehu idenë për një ndërthurje të emrave të PR-së me ato të PD-së.
Gjithsesi Mediu gjatë orëve të fundit përpara përfundimit të afatit, është duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kryeopozitarit për të përftuar më tepër se një mandate në Parlament.
Vangjel Dule
Lulzim Basha i ka caktuar një vend të sigurtë në listat e PD-së Vangjel Dules.
Por, ky i fundit është në dilemë, pas presionit të Athinës.
Grekët i kërkojnë Dules të garojë me PBDNJ-në, për shkak se do të zhdukej faktori grek, në rast se PBDNJ shkrihet me PD-në në këto zgjedhje.
Për këto arsye, Dule kërkon që vetë të përfshihet në listat e PD-së, por edhe që PBDNJ të garojë më vete me siglën dhe kandidatët e saj.
Kërkesë që për momentin nuk është pranuar nga PD dhe Basha.
Besnikët për një mandat
Dashamir Shehi
Lideri i LZHK-së Dashamir Shehi njihet si një nga aleatët historike të Partisë Demokratike.
Ai edhe këtë proces zgjedhor ka vendosur që të dalë në zgjedhje së bashku me Partinë Demokratike.
Ndryshe nga herët e tjera, tashmë Shehi do të duhet që të bindë elektoratin e tij për të votuar masivisht PD-në dhe jo forcën politike që ai drejton.
Shehi pas negociatave të kryera me Bashën, ka siguruar të jetë pjesë e listës së PD-së për qarkun e Tiranës, ku ka edhe mbështetjen më të madhe të partisë së tij.
Nard Ndoka
Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka ndërmjetësuar me liderin e PD-së Basha për të kandiduar nën logon e PD-së në qarkun e Shkodrës.
Edhe pse më herët PDK ka zbardhur emrat e parë të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e qershorit, vetëm Ndoka do të ketë mundësinë për të garuar.
Basha ka zgjedhur Nodokën për të vijuar bashkëpunimin falë mbështetjes që ky i fundit ka dhënë për Partinë Demokratike.
Theksojmë se në një listë të bërë publike nga strukturat e PDK-së për Shkodrën ka qenë i përcaktuar ish-deputeti Frrok Gjini si kandidaturë.(TemA)
Jane te shtrydhur, edhe ne nutribullet me te fuqishmin 179.99 euro te futen,nuk kane cfare te nxjerrin !
PD-ja merr 30-35 deputete,jo me shume,do kete shume te pakenaqur ne rradhet e saj.
Formacioni V i rosave te egra ne fluturim.
Ne krye, Z. Boshi, pastaj vijne te tjeret. Te tjeret qe vijne nga pas, nderrohen here pas here, qe te mos lodhen kur kane eren kunder.
Hajde opozite, hajde!
Si cetat e Ballit Kombetar!
Do bejne lufte, de more, de!
Si lum ti popull qe mezi i ke!
Na e rrofshin!