Sot i gjithë debati publik është përqëndruar tek listat që Partia Demokratike dorëzoi mbrëmë në mesanatë në KQZ, për zgjedhjet e 25 qershorit. Arsyeja e diskutimit të listave të Bashës është shumë të thjeshtë; në listat që ai ka depozituar si përfundimtare shihet që ka asgjesuar totalisht çdo zë kritik ndaj tij. Topalli, Bregu, Selami, Patozi dhe Bode nuk janë në listat e Partisë Demkratikepër deputetë.
Por krahas asgjesimit të këtyre figurave emblematike të PD-së, që pavarsisht bindjeve, janë figura të dashura nga militantët e djathtë dhe që kanë drejtuar këtë parti dhe pushtetin e saj për vite me radhë, Basha ka tradhëtuar edhe rininë demokrate. Ai kishte premtuar se do të ishin të rinjtë e FRPD që do të kishin 35% të listave, por fakt është që nuk ka përfshirë në lista as kryetarin e FRPD, e jo më të tjerë.
Basha poashtu ka lënë jashtë listave të tij mbi 25 deputetë aktualë (përfshirë këtu kritikët që përmendëm në krye), duke e mekur çdo zë të mundshëm kundër tij pas 25 qershorit. Poashtu ka lënë jashtë edhe 20 koordinatorët kombëtarë të Partisë Demokratike për të cilët në 2014-ën kishte thënë me superlativa se “Janë një pasuri e madhe për PD, janë një pasuri e madhe për Shqipërinë. Shqipëria e re, Shqipëria demokratike e ka gjeneratën e nisjes së re. Më të mirët në formim dhe në virtyte janë fati i saj.” Thënë ndryshe, ka asgjesuar çdo zë kritik apo mendje të re në PD dhe ka krijuar një listë memece.
Pyetjet që shtrohen sot teksa sheh listën e Bashës janë:
A njihni sot një kandidat që mund t’i ngrejë zërin apo kthejë fjalën Bashës (veç Berishës që i jep urdhra)?
A mos ndoshta kemi sot një listë memecësh që përfaqëson vetëm frikën e Bashës?
Por kush ka mbetur në PD pas gjithë këtij spostimi të figurave emblematike të PD-së dhe shpërfilljes së të rinjve?
I vetmi që ka mbetur dhe që nuk lëviz nga aty, është Sali Berisha. Basha hoqi të gjithë ata që i rrezikonin karrigen pas 25 qershorit dhe mbajti aty vetëm kumbarin e tij, i cili i ka dhënë bekimin për krijimin e një liste e cila është e lidhur pazgjithshmërisht me humbjen. Në listë ka mbetur Flamur Noka e Arben Ristani nga shpura e vjetër. Dy figura që edhe brenda PD-së nuk kanë patur kurrë mbështetje. Por, për sa kohë janë të parrezikshëm për karrigën e kryetarit të PD-së, kanë “privilegjin” të mbeten deputetë.
Pjesa tjetër është listë shterpë dhe memece. Nga Duma te Alibeaj e Boçi janë figura të sprovuara në zgjedhjet lokale ku kanë humbur thellë përballë kandidatëve socialistë. Nga ana tjetër qëndron Dashamir Tahiri me 28 muskutierë të tjerë që kanë probleme me ligjin. Tahiri pasi u përjashtua nga PD-ja për shkak se ligji i dekriminalizimit e zinte mat, sot është sërish kandidat i PD-së në Vlorë. Njëllojë si Tahiri, mediat raportojnë se edhe 28 kandidatë të tjerë janë me probleme me ligjin.
Pse kjo listë?! Sepse janë të gjithë individë që nuk cënojnë në asnjë moment karrigen e kryetarit Basha.
Projeksionet në çdo rast e nxjerrin Bashën humbës. Edhe sikur të kishte futur në listë Topallin, Patozin, Selamin e të tjerë. Në këto kushte, përballë humbjes së sigurtë, Basha ka menduar që më së paku të fitojë partinë. Ose thënë ndryshe, ta mbajë atë edhe pas humbjes së 25 qershorit.
Listat e Bashës janë qëllimisht të tilla, humbëse. Vetëm duke “asgjesuar” kritikët dhe shpërfillur të rinjtë ai do e ketë të lehtë të qëndrojë në krye të PD-së edhe pas 25 qershorit. Natyrisht, me Berishën në krah.
Sot mos i vini asnjë faj se pse ka futur në lista të inkriminuar apo humbës të sprovuar. Ai kurrë se ka patur seriozisht dekriminalizimin e famshëm sepse po të ishte kështu, nuk do ishte sot i pari në lista Sali Berisha. Ai e ka bërë këtë listë memecësh për një arsye shumë të thjeshtë, që të mund të mbajë karrigen e kryetarit të PD-së edhe pas humbjes që po i troket.
Ka mesuar nga Rama se si behen listat. E tha dhe Patozi, Rama ishte i pari qe i kishte thene se nuk do behej me deputet. E dinte me mire se Luli se si beheshin listat ai.