“Jo gjuhës së urrejtjes në politikë”, është kjo nisma më e re e të rinjve shqiptarë. Ana Abdi, nismëtare e kësaj lëvizje vuri theksin tek nevoja që kanë të rinjtë për modele pozitive në politike, në mënyrë që ky shembull të pasqyrohet në shkollë, në rrugë, në komunitet e më gjerë. Aktiviteti i rradhës është mbajtur në sallën e Këshillit Bashkiak në qendër të kryeqytetit të shqiptarëve, shumë afër me institucionet ku ndërtohet e ardhmja për një Shqipëri më të mirë dhe shumë afër me dy selitë e partive politike….
“Na kanë lodhur e na janë bërë rutinë, ato dhe dhuna e përditshme e gjuhës politike pa argumenta, pa zgjidhje, përkundrazi me fyerje, sharje, madje sharje të familjes e të të ndjerëve deri në thirrje për dhunë e bllokim të zgjedhjeve…
Unë dua të distancohem nga kjo gjuhë urrejtje e politikës dhe unë si e re e këtij vendi, si taksapaguese dua të bëj çmos për ta ndaluar këtë gjuhë që nuk po na çon gjëkundi! Unë si e re nuk dua që me heshtjen time të vuaj pasojat e veprimeve të papërgjegjshme të politikanëve tanë… Nuk duhet ti lejojmë të na imponohem…
Kjo nismë ka si synim të saj ndërgjegjësimin e të rinjve mbi të gjitha dhe thirrjen ndaj tyre për tu distancuar nga çdo veprim që synon të kundërshtojë politikisht kundërshtarin me anë të gjuhës së urrejtjes. Politika dhe mbi të gjitha Kuvendi duhet të jenë tempulli ku hartohen politikat më të mira në interest ë qytetarëve! Debati konstruktiv, i bazuar në argumentin e shëndoshë, objektiv dhe në ligje është gjithmonë në dobi të interesit më të lartë të publikut, përkundrazi, gjuha e urrejtjes prodhon debat dhe argumenta boshe që në thelb nuk merren me çështjen por devijojnë vëmendjen nga ajo që mund ti shërbejë qytetarëve. Është detyrë e politikanëve dhe e drejtë e qytetarëve të marrin argumenta ligjore për çfarë ju propozohet.. Për këtë arsye, synojmë që kjo nismë të përhapet si valë, tek çdo i ri i interesuar për aktualitetin politik deri në hartimin e një projekt-ligji i cili do ti propozohet Kuvendit– u shpreh Ana Abdi, në praninë e 300 të rinjve gjimnazistë e studentë.
Kjo nismë, e cila është ende në hapat fillestare të saj ka gjetur mbështetjen e zërave me influencë në opinionin public si avokati Spartak Ngjela, Profesori Arben Malaj, si dhe përfaqësuesja e lëvizjës “No Hate” për Shqipërinë, znj. Jehona Rrokaj. I pranishëm në sallë për të përshëndetur nismën dhe për të treguar mbështetjen e Bashkisë Tiranë ndaj nismave të tilla rinore, në interes dhe dobi të të gjithë shoqërisë, ka qënë edhe N/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi.
Nismës, me ftesë të organizatorëve i janë bashkuar edhe përfaqësues të partive dhe forumeve të tjera politike në vend, si LSI dhe PD. Si përfaqësues i PD-së, z. Mateo Spaho foli mbi impaktin që ka gjuha e urrejtjes në politikë në ekonominë dhe zhvillimin e vendit.
Abdi dhe Bejtja, si përfaqësues të dy forumeve më të mëdha në vend i sqaruan të rinjve se si do të implementohet kjo nisëm përgjatë vitit 2017 dhe se si ata mund të kontribuojnë, se si ata mund të bëhen qytetarë aktivë, duke ju imponuar ligjvënësve dhe duke kontribuar kështu në një mjedisi politik më të mirë, ku triumfojnë argumentat dhe debati politik. Vetëm kështu mund të jetë Shqipëria një vend më i mirë, me ndihmën dhe aktivizimin e të rinjve në jetën politike, aty ku gatuhet edhe mënyra se si do të qeverisemi e jetojmë!