Arjan Bylykbashit është zyrtarisht drejtori i ri teknik i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Mësohet se kryeministri Edi Rama ka firmosur sot emërimin e tij. Ai zëvendëson në këtë detyrë, Ilirjan Muhon.
Arjan Bylykbashi para vitit 2013 ka mbajtur detyrën e drejtorit të Zyrës së Përmbarimit në Tiranë.
Balkanweb shkruan se në bazë të marrëveshjes të 18 Majit, Rama-Basha që i dha fund krizës politike u ra dakord që Partia Demokratike përveç një zv/kryeministri dhe 6 ministrave teknikë merrte edhe 5 drejtori kyçe në administratën shtetërore, respektivisht Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Hipotekës, të ALUIZNI-t, të OSHEE-së si edhe Drejtorinë e Agjencisë së Bujqësisë.
Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama firmosi edhe emrin e Ibrahim Morinës në postin e drejtorit te ALUIZNI-t duke zevendesuar keshtu Artan Lamen.
Gjatë javës së kaluar, Rama refuzoi emrat e Arjan Hoxhës dhe Benard Çaushit për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve si edhe emrin e Haki Mustafës në postin e drejtorit të OSHEE.