Rusia bëhet gati të presë Kupën e Botës vitin tjetër, por cila është kostoja e kampionatit tepër të diskutuar? Punëtorë emigrantë, që shpesh punojnë deri në 11 orë në ditë dhe nuk kanë as të drejtat më minimale. Shumica e tyre vijnë nga Koreja e Veriut, ç’ka do të thotë se një pjesë e madhe fondesh për ndërtimin e infrastrukturës, shkon në ekonominë e vendit diktatorial dhe ndihmon programin e tyre nuklear.
Nga Alec Luhn, The Guardian
Prova e hapjes së stadiumit të Shën Peterburgut, Zenit Arena në muajin shkurt mirërpriti 10 000 spektatorë, të cilët i argëtoi me gara me makina, numëra shpejtësie me biçikletë, kërcimtarë dhe një ari performues, i cili u prezantua si “heroi më i madh i Rusisë.” Por, ceremonia patriotike nuk arriti të bënte me dije se stadiumi ku Rusia do të nisë Kupën e Konfederatave, si parapërgatitje për botërorin e vitit tjetër, është ndërtuar kryesisht nga punëtorë emigrantë nga Azia, si edhe nga një prej vendeve më diktatoriale të botës, Koreja e Veriut.
Një nënkontraktor deklaroi se, të paktën 190 koreano-veriorë të “shtypur” punuan me orë të gjata dhe pa asnjë ditë pushim nga muaji Gusht, gjer në Nëntor vitin e kaluar, ndërsa një 47-vjeçar vdiq në punë e sipër. “Këta njerëz kanë frikë të flasin. Ata nuk shohin askënd në sy. Janë si të burgosur lufte,” tha nënkontraktori.
Punonjësi i një kompanie shtetërore koreano-veriore, që dërgon punëtorë në Rusi, tha për “Observver” se punëtorët shpesh punonin me orë të stërgjatura dhe duhet të dhurojnë një pjesë të pagës për regjimin e Pyongyang-ut, që të “mundësojnë mbrojtjen e vendit,” ç’ka përfshin edhe programin bërthamor të shtetit aziatik.
Komiteti i ndërtimit të Shën Peterburgut, deklaroi se autoritetet kanë zhvilluar inspektime për t’u siguruar se kushtet e punës në Zenit Arena përputhen me ligjet ruse të punës. Por, sipas nënkontraktorit, koreano-veriorët punojnë të paktën 11 orë në ditë për $10-$15, shtatë ditë në javë. Ata, jo vetëm fitojnë më pak se punëtorët e tjerë emigrantë, por jetojnë edhe në kushte më të këqija. Shpesh, gjashtë deri në tetë punëtorë ndajnë një dhomë.
Akuzat për shfrytëzimin e koreano-veriorëve janë vetëm kapitulli më i fundit në historinë e Zenit Arena. Kur Shën Peterburgu planifikoi ndërtimin e një stadium të ri për ekipin e Zenit-it në 2006, projekti u mendua të përfundonte në fund të vitit 2008 me një kosto prej 6.7 miliardë rublash (92 milionë paundë). Por, ndërsa ndërtimi i afrohej fundit thuajse një dekadë më pas, zëvendës guvernatori i qytetit, Igor Albin, tha se kostoja ishte 6-fishuar, duke arritur 43 miliardë rubla.
Megjithatë, pavarësisht shpenzimeve gjigande, vitin e kaluar Fifa zbuloi se fusha e lëvizshme e Zenit Arena nuk përputhej me standarded e përthithjes së tronditjes. Vladimir Putin, mësohet se i tha presidentit të Fifa, Gianni Infatino, se skdandalet që kishin shoqëruar ndërtimin e stadiumit ishin një “histori tejet e trishtë” dhe se defektet do të ndreqen.
Pyongyang fiton deri në $2.3 miliardë në vit, duke dërguar punëtorë jashtë vendit, kryesisht në Kinë dhe Rusi. Kjo, pavarësisht sanksioneve të OKB, që synojnë pengimin e financimit nga monedhat e huaja të programit nuklear koreano-verior.
Një vit më parë, dy qeveritë firmosën një traktat për ekstradimin e shtetasve, që kërkojnë të hyjnë ilegalisht në secilin nga vendet. Një marrëveshje kjo, e cila u dënua nga OKB si një mekanizëm për kthimin e punëtorëve koreano-veriorë që kërkojnë azil në Rusi, pas në vendin e tyre, ku i presin torturat dhe me shumë gjasë, vdekja. Por, shumë pak persona kanë kërkuar në fakt azil. “Ata të gjithë kanë familje dhe nëse njëri prej tyre arratiset, atëherë kjo nuk është diçka e mirë,” tha Maria Trush, administrator i një prej fjetorëve në zonën industrial të Shën Peterburgut, duke kujtuar se e njëjta gjë ndodhte në Rusi, gjatë regjimit të Stalinit.
Trush ka strehuar punëtorë ndërtimi gjatë pesë viteve të fundit. Ajo tha se, koreano-veriorët punonin “si milingonat,” duke nisur në orën 8 në mëngjes, për të përfunduar në 11 të natës. Në atë pak kohë të lirë që iu ngelej, ata shihnin televizionin shtetëror të Koresë së Veriut, ose filma sovjetikë të dubluar. /Përgatiti: Bjorn Runa, Toronto
boll mo pederas muti
doni te beni paralelizem me sklleverit qe perdor katari per te bere stadiumet