Gjykata Penale e Lucernit ka dënuar një shtetas shqiptar me katër vjet burg për tregti droge. Shqiptari 36-vjeçar, përgjatë tetë muajve ka shitur në Emmen të Lucernit heroinë me vlerë prej rreth 260 mijë frangash, shkruan luzernerzeitung.ch.
Në muajin maj të vitit 2015 ai kishte ardhur në Zvicër për këtë qëllim dhe kishte filluar me shitje të drogës që në verën e atij viti. Prej atëherë deri në muajin mars të vitit 2016 kur është kapur, ai ka shitur 7-8 kilogramë heroinë.
Për punën që bënte, atij i paguhej nga bosët e tij një pagë mujore prej 2000 frangash (rreth 1800 euro) që i dërgohej në Shqipëri ndërsa i mbuloheshin edhe shpenzimet e jetës në Zvicër. Ai e ka pranuar veprën dhe me këtë, vendimi gjyqësor është bërë i plotfuqishëm.