Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka marrë vendim që Juliana Hoxha, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë të kthehet në punë.
“Në vijim të proçesit që ka nisur, në lidhje me monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve politike, ka rënë në dijeni të faktit se punonjësja Juljana Hoxha, me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Drejtësisë, është pezulluar nga shërbimi civil, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë. Duke shqyrtuar dokumentacionin që është vënë në dispozicion të Komisionerit, rezulton se punonjësja Juliana Hoxha është anëtare e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues(TND).
Në këto rrethana, Komisioneri vlerëson se punonjësja Juliana Hoxha, është pjesë e shërbimit civil, si anëtare e TND, ç`ka do të thotë nga njëra anë, se ajo përfshihet në fushën e veprimit të ligjit për nëpunësin civil dhe për pasojë, ajo gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton ky ligj. Nga ana tjetër, njësia përgjegjëse, që në këtë rast është Departamenti i Administratës Publike, është e detyruar që të zbatojë të gjitha detyrimet dhe procedurat ligjore, që kanë lidhje me administrimin e shërbimit civil, të cilat kanë të bëjnë me rastin që po shqyrtohet”, arsyeton Komisionerja në vendimin e dalë nga zyra e saj më datë 9 qershor 2017.
Në këtë rast, sipas Komisioneres, Ministri i Drejtësisë, ka vepruar në kapërcim të kompetencave të tij ligjore, duke vendosur të pezullojë nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit, punonjësen Juliana Hoxha, për më tepër, kur Departamenti i Administratës Publike është duke zhvilluar procedurën e vlerësimit të rrethanave të këtij rasti, ashtu si e ka lajmëruar edhe Ministrinë e Drejtësisë,
Duke vlerësuar rëndësinë e problemit të ngritur, Komisioneri ka filluar menjëherë hetimin për verifikimin e rastit.
Në këtë rast Komisioneri vlerëson se organi kompetent për të vijuar procedurat e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil në këtë rast, është Departamenti i Administratës Publike, i cili në kuptim të përkufizimit ligjor, si njësi përgjegjëse, është i vetmi institucion që detyrohet nga ligji dhe përgjigjet para tij, për administrimin e shërbimit civil në përgjithësi dhe për konstatimin e pezullimit nga shërbimi civil në veçanti.
“Institucioni i Ministrit, si një pozicion politik, nuk mund të përfshihet në proceset e administrimit të shërbimit civil, si në rastin konkret, me përjashtim të rasteve, kur ligji për shërbimin civil, e përfshin si subjekt të tij”, argumenton komisionerja në vendimin e saj.
“Kjo është edhe risia që sollën ndryshimet ligjore në fushën e administrimit të shërbimit civil, që sipas Komisioneres, e ndanë këtë aspekt nga ndikimi i politikës, duke filluar që nga momenti i emërimit, të cilin e kryen Departamenti i Administratës Publike, në institucionet shtetërore, duke vijuar me administrimin e aspekteve të ndryshme të shërbimit civil, si vlerësimi i punës, zhvillimi i karrierës, që kryhen nga subjekte të posaçme brenda shërbimit civil, të cilat i ngarkon ky ligj, e deri tek përcaktimi i procedurave të hollësishme të cilat i zbaton një komision i ngritur sipas ligjit, për largimin nga shërbimi civil”.
Më tej komsionerja kërkon nga Ministri i Drejtësisë që të anulojë urdhrin e pezullimit, pasi, siç theksohet, shprehimisht “konstatohet pavlefshmërisë absolute e aktit”
Nga ana tjetër, sipas komisioneres, Departamenti i Administratës Publike, duhet të vijojë procesin e nisur për verifikimin e kushteve të pezullimit të punonjëses Juliana Hoxha/
Më poshtë janë rekomandimet e vendimit të marrë nga komisionerja, e cila njofton:
Vendosa:
Të kërkoj nga Ministri i Drejtësisë, që për të rregulluar situatën e ligjshmërisë së administrimit të shërbimit civil, të anulojë Urdhrin nr. 3817, datë 08.06.2017, “Për pezullimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe marrjen e masave për dorëzimin e detyrës”, si një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, duke rikthyer në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Drejtësisë, punonjësen Juljana Hoxha.
Departamenti i Administratës Publike të vijojë procedurën e nisur për verifikimin e kushteve të pezullimit për punonjësen Juljana Hoxha dhe të finalizojë procesin me vendimin përkatës.
Të njoftohen për këtë vendim, Këshilli i Ministrave, Ministria e Drejtësisë, Departamenti i Administratës Publike, Kuvendi i Shqipërisë, si dhe nëpunësja Juliana Hoxha.
Për kryerjen e detyrave të përcaktuara më sipër, institucionit i lihet afat, 5 ditë.
Me kalimin e këtij afati, duhet të njoftohet me shkrim Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për mënyrën e zbatimit të vendimit.
Në rast të moszbatimit të këtij vendimi paralajmërues, Komisioneri do të vijojë procesin për rregullimin e shkeljeve të konstatuara, duke përdorur mjetet ligjore për të rikthyer ligjshmërinë në administrimin e shërbimit civil, nëpërmjet gjobitjes së nëpunësit përgjegjës për mos zbatimin e masave të përcaktuara në dispozitivin e vendimit.