E ardhmja e sportit ishte objektivi kryesor i bashkëbisedimit të drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri me sportistë dhe ikona të këtij qyteti. Nga ambientet e Stadiumit “Flamurtari”, Gjiknuri garantoi se qeveria “Rama” do të vazhdojë të mbështesë maksimalisht zhvillimin e sportit me projekte konkrete.
“Vihet re një rikthim. Pra, ka një dëshirë tek shumë të rinj për tu marrë me sport dhe kjo është shumë e dukshme. Edhe terrenet sportive kanë filluar të shtohen, shteti fatmirësisht ka filluar të vëjë dorë në to. Investimet e qeverisë për terrenet sportive kanë qenë më intensive këto vitet e fundit. Jo se janë të mjaftueshme, nuk them që janë zgjidhur të tëra por realisht po shikojmë një ndryshim shumë rrënjësor në shumë qytete për ambientet sportive, stadiumet e reja”, u shpreh Gjiknuri.
Ai shprehu bindjen se e ardhmja e sportit në Vlorë do të jetë shumë më e mirë në vitet e ardhshme. “Terrenet e shtuara do të bëjnë që shumë të rinj e të reja vlonjatë do të kenë mundësi të merren më shumë me aktivitet sportiv. Vlora, për pozicionin që ka, unë besoj se do të ofrojë edhe alternativa të tjera në sporte që mbase ne shqiptarët kemi qenë pak mbrapa ose jo shumë familjar”, nënvizoi Gjiknuri.
Një prej ikonave të futbollit, Vasil Ruci bëri apelin e tij që rinia të vazhdojë të merret sa më shumë me sportin.
“Sporti duhet të jetë i të gjithëve pasi nuk është sporti i asnjërit. E gjithë rinia shqiptare duhet të jetë pas sportit, me të drejta të barabarta për të konkuruar. Dua të përshëndes të gjithë pjesëmarrësit dhe ju z.Damian ju uroj suksese në këtë fushatë që besoj është më e qeta e të gjithë kohërave”, theksoi Ruci.
Për Kryebashkiakun Leli, Vlora gjithnjë e më shumë po kthen sytë nga sporti duke qenë njëkohësisht edhe atraktive për turistët.
“Të kesh në buzë të detit fusha basketbolli të një standardi të lartë, fushë volejbolli, kalçeto e fushë tenisi do të thotë që të gjithë atyre që shëtisin e që bëjnë turizëm, ajo që u paraqet janë komplekset sportive në buzë të detit. Për ne, për të gjithë vlonjatët është një aset i ri falë një projekti të jashtëzakonshëm të ndjekur personalisht nga Kryeministri Rama”, vlerësoi Leli.
Ai ju përgjigj edhe interesimit të të pranishmëve për privatizimin e sportklubit të Flamurtarit duke dhënë sqarimet e nevojshme.
“Në këto dy vite që unë jam Kryetar Bashkie, jam interesuar në rradhë të parë që asetet e shpërndara të të gjithë Klubit Sportiv “Flamurtari”, që kanë qenë një pronë andej e një pronë këtej, janë mbledhur e bashkuar në një dorë të vetme. Kjo është faza paraprake për të përgatitur privatizimet. Kemi përgatitur të gjithë procedurën që duhet të bëjë Bashkia Vlorë për përgatitjen e vlerësimit për çdo aset që ka të bëjë me klubin “Flamurtari”. Tani jemi në fazën që jemi duke organizuar tenderin për ekspertin financiar i cili do të vijë të bëjë vlerësimin financiar në fund fare për të hapur procedurën e prokurimit që vazhdon me privatizimin e klubit”, tha Leli.
Në përfundim të bashkëbisedimit, kapitenët e “Flamurtarit” në futboll dhe në basketboll i dhuruan fanelat e skuadrës ministrit Gjiknuri në shenjë simbolike me numrin 2 që përkon me atë të Partisë Socialiste në fletën e votimit.