Tatimet: Bëni kujdes, si të dalloni kuponat tatimorë nga ata fiktivë

4 Korrik 2017, 13:44Ekonomia TEMA

Tatimet kanë vijuar me fushatën e tyre informuese për përdorimin e kuponave tatimore. Ato njoftojnë se në çdo blerje me para në dorë, blerësi duhet të kërkojë domosdoshmërisht nga shitësi apo ofruesi i shërbimit, kuponin tatimor.

Kuponi tatimor që i jepet një blerësi apo një klienti, përmban të dhënat e mëposhtme:

Emrin, adresën e tatimpaguesit;

NIPT-in;

Emrin, sasinë, çmimin dhe vlerën e cdo artikulli /ose shërbimi;

Vlerën totale  të mallrave apo shërbimeve të marra;

Mënyrën e pagesës (cash, çek, kartë krediti etj.);

Shumën e TVSH-së, sipas shkallës tatimore;

Në pjesën e fundit të kuponit tatimor ndër të tjera paraqitet:

Numri i identifikimit të pajisjes fiskale;

Data dhe ora e lëshimit të kuponit;

Numri i kuponit

Logo fiskale, që është shenja identifikuese, që vendoset në çdo kupon tatimor, në fund dhe e pozicionuar në qendër të tij.

Çdo kupon i lëshuar jo sipas kësaj forme, është i pavlefshëm dhe i dënueshëm administrativisht nga ligji, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Administrata tatimore ju sjell në vëmendje këto elementë, që ju të mos bini pre e lëshimit të një kuponi jotatimor nga pajisje fiskale jo të autorizuara. Të tillë kupona janë abuzivë dhe vlejnë vetëm për përfitime abuzive në dëm të interesit tuaj dhe shoqërisë në tërësi.

Më herët, tatimet kanë sinjalizuar se do të forcojnë kontrollet për përdorimin e kuponit tatimor. Ato kanë ftuar konsumatorët që të kërkojnë kudo, ku bëjnë blerje, kuponin tatimor, si dhe të denoncojnë çdo rast kur kuponin nuk jepet.

“Ne ju inkurajojme të denonconi çdo rast. Bëhuni pjesë e luftës kundër informalitetit. Mund të denonconi edhe duke na dërguar një mesazh në faqe me foto ose video dhe ne do te ndjekim çdo rast”, thonë zyrtarisht tatimet, duke kujtuar që paratë që mblidhen nga taksat do të shkojnë për më shumë shërbime publike, shkolla, spitale, infrastrukturë, rend./monitor.al

1 komente në “Tatimet: Bëni kujdes, si të dalloni kuponat tatimorë nga ata fiktivë”

  1. Altini says:

    Mos punoni me fushata por te dilni cdo dite ne terren. Si eshte e mundur qe kete fundjave tek restoranti i peshkut tek pazari i ri ku tavolinat ishin te gjitha te zena – biles kishte njerez qe prisnin ne kembe – nuk jepej asnje kupon tatimor por nje lloj fature e pa vlere e bere vete. E njejta gje edhe me shume restorante e bare tek blloku. Po baret dhe restorantet ne plazh … asnje kupon tatimor. Kur i kerkon kuponin tatimor sikur i kerkon te japin shpirtin – fillojne nga justifikimet, jo keshtu e jo ashtu. Shkoni dhe gjobitini hajdutet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje