Reformimi i thellë i administratës dhe ministrja Karabina

6 Korrik 2017, 09:43Blog TEMA

Nga Pëllumb Karameta

Historia e qeverisjeve të shtetit shqiptar u pasurua me një “lloj” i ri. Qeverisja nga një kabinet në përbërjen e të cilit funksionojnë ata që i emërtuan si “ministra teknikë”. Ky grup funksionarësh të lartë, me kuptimet, qëndrimet dhe sjelljet e tyre, formon një rast studimi interesant për studiuesit e politikës, të sociologjisë, psikologjisë etj. Në vijim dhe sa lejon ky format mediatik, reflektohet mbi bëmat e një përfaqësueseje tipike të grupit, Zonjës Mirela Karabina, ministre e Arsimit dhe Sporteve. Ajo është e panjohur për mjedisin politik, akademik dhe arsimor shqiptar.

Me arsimin atë e lidhin, thjesht, vitet e punës si mësuesve. Si e tillë, sigurisht, nuk ka vlerë analiza e qëndrimeve dhe e vendimeve të saj ministrore. Përkundër kësaj, mendojmë se vlen jo pak rezistenca e administratës publike të MAS-it që ndali me profesionalizëm “batërdinë” institucionale që mund të shkaktonin vendimet e saj.

Njëherazi, shqetësuese janë kuptimi dhe përgjegjësia që kanë për qeverisjen drejtuesit e PD-së dhe Presidenti që e përzgjodhën, dekretuan, orientuan dhe këmbëngulin për ta mbajtur në detyrë.

Që në krye të herës dhe për të mos u keqkuptuar, nuk na shqetëson anonimati profesional i znj. Karabina. Anonimati, përpara marrjes së detyrës nuk është parakusht për mosplotësimin e saj me sukses. Përkundrazi. Janë të shumtë rastet, në botë dhe tek ne, ku persona të panjohur më parë për publikun, me njohuritë, kompetencën profesionale dhe përkushtimin në plotësimin e roleve dhe të përgjegjësive, kanë ofruar deri dhe modele të qeverisjes së mirë. Por, anonimati i ministres teknike, me gjithë sa jetësoi në detyrë, provoi të kundërtën. Në vijim, shtjellohet përballja e saj me profesionistët e MAS-it,  që arritën të shmangnin dhunimin e praktikave ligjore administrative nga vendimmarrjet e saj subjektive. Vendime që, mund të shpartallojnë institucionet, kur frymëzohen nga mllefi armiqësor për të ndryshimit, militantizmi i verbër dhe këmbëngulja për të mos nxënë. Njëherazi,  theksohet se sa urgjent është reformimi i thellë i administratës tonë publike.

Dihet e vërteta e thjeshtë sipas të cilës udhëheqja e çdo ministrie, qoftë dhe për pak kohë, kërkon njohjen e aspekteve kryesore ligjore, drejtuese dhe administrative. Faktet të shumtë tregojnë që znj. Karabina, nuk i njeh këto aspekte. Po përmend, me vlerën e ilustrimit, pushimin nga puna për shkeljet e supozuara të dispozitave ligjore, pa bazën e duhur të evidencave, të mjaft drejtuesve të zyrave arsimore, pezullimin e disa drejtuesve të departamenteve kryesore të MAS-it, vetëm pse ata kundërshtuan zbatimin e vendimeve ministrore të pabazuar në ligj, emërimin në vendin ë tyre të specialistëve të tjerë të ministrisë, edhe pse kjo nuk përkonte me tagrin e saj si ministre teknike, deri te pushimi nga puna i nëpunësit që menaxhonte hyrje-daljet e personave në ministri (!)

Në tërësi, me “bëmat” e saj, Ministrja Karabina duket harron betimin te Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën. Që, së pari e mbi të gjitha, kërkon të mos cenohet zbatimi i programit arsimor të qeverisë Rama 1. Ajo nuk di, apo nuk do, të kuptojë se rrezikon të shkelë deri Kushtetutën, nëse vijon të zbatojë në mënyrë përzgjedhëse funksionet ministrore. Me qëndrimet dhe sjelljet e saj, të motivuara nga mllefi për kundërshtarin politik, nga militantizmi i verbër dhe këmbëngulja për të mos nxënë, po  dëshmon se qeverisja “teknike” e arsimi e realizuar prej saj është vite drite larg gjërave të cilave iu përkushtuan mendjet e ndritura të kombit; po aq larg përvojave të vyera të viteve të fundit.

Ndërkaq, ka një lajm të mirë. Qëndresa e personelit drejtues të administratës së MAS-it ndaj ministres është një provë tjetër që tregon qartë se sa më profesionale ta ndërtojmë administratën shtetërore, në të gjithë nivelet, aq më profesionale, cilësore, efektive dhe efikase do të jenë veprimet dhe produktet që do të ofrojë ajo për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

*Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta

4 komente në “Reformimi i thellë i administratës dhe ministrja Karabina”

  1. Selim says:

    Ik o Karameta si ti e ndrite ne fakt! Jeni bere nje tufe senilesh aty, dilni ne pension e hapni rrugen se nuk jeni Zoti.

  2. tring says:

    Kjo zonja punen e ka per sport. Kur ka qene ne Pakistan ambasade eshte regulluar me breza. Pune e saj. Arsim 10 vjet mesuese fshati u be ministre.

  3. anaid says:

    Qe te drejtosh nje ministri duhet te jesh i mireformuar dhe ne nivelin e duhur akademik jo ne sherbimin dhe interesat e ngushta te partise.Ministria Karabina vetem rolin e qenit te bindur te partise qe perfaqeson di te bej.S’ka dhene prova ne asnje moment qe lufton ne te mire te vendit dhe sidomos te arsimit qe eshte baza e demokracise se nje vendi.Turp.Te zhduket dhe mos te shfaqet me as si mesuese se e degradoi ne kaq pak kohe arsimin.

  4. rudini says:

    Vater infeksioni ka qene me Diten ,dhe vazhdon te jete njesoj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje