Shifrat e frikshme: Vdekjet nga kequshqyerja në Shqipëri rriten me 122 %

6 Korrik 2017, 09:36Sociale TEMA

Diabeti dhe sëmundjet e tjera endokrine, të gjakut dhe uro-gjenitale ( me bazë dietetikë ushqyerja me ushqime jo të shëndetshme) kanë pësuar një rritje të shpejtë vitet e fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT për shkaqet e vdekjeve shihet se vitin e kaluar 299 persona humbën jetën nga diabeti dhe sëmundjet endokrine në krahasim 135 persona në 2015-en me një rritje 122 për qind, raporton Monitor.

Ministria e Shëndetësisë në një strategji të posaçme për administrimin e sektorit deri me 2020 argumenton se në Shqipëri identifikohen tre faktorë kryesorë të rrezikut për barrën e sëmundshmërisë.

Faktori i parë lidhet me  rreziqet  që vijnë nga dieta ushqimore. Faktori i dytë është hipertensioni arterial dhe i treti duhanpirja.

Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet karakteristikave të mënyrës së jetesës në Shqipëri.

Aktualisht, faktorët e stilit të jetesës përbëjnë mbi 70%të barrës totale të sëmundshmërisë.

Ministria e Shëndetësisë analizon se gjatë dy dekadave të fundit, niveli i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë.

Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar.

Megjithatë, evidencat tregojnë se shëndeti dhe mirëqenia nuk varen vetëm nga performanca e sistemit shëndetësor. Faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë, si të ardhurat, arsimimi, strehimi dhe mjedisi, kanë ndikim të fortë në shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë.

Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit shqiptarët kanë pasur nivel të ulët të ardhurash. Për më tepër, shpërndarja e pabarabartë e rritjes ekonomike dhe e pasurisë ndërmjet rajoneve ka çuar në rritje të pabarazive në shëndetin e popullatës, veçanërisht midis asaj të zonave urbane e rurale.

Këta përcaktorë, të kombinuar me mungesën e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe pagesat e mëdha nga xhepi për shërbimet shëndetësore, kanë cenuar shëndetin dhe cilësinë e jetës, veçanërisht për grupet vulnerabil si fëmijët, pensionistët, të pasiguruarit, etj.

Arsimi është një tjetër përcaktor i rëndësishëm shoqëror për shëndetin. Korrelacioni midis arsimit dhe varfërisë është i zhdrejtë: sa më të arsimuar, aq më pak të varfër janë njerëzit dhe anasjelltas. .Formimi, arsimimi e shprehitë profesionale si dhe arsimimi universitar shërbejnë si nxitës për të hyrë në tregun e punës, për të dalë nga varfëria dhe për të rritur përfshirjen sociale, dhe në perspektivë afatgjatë kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit, veçanërisht duke ulur vdekshmërinë neonatale dhe atë amtare.

1 komente në “Shifrat e frikshme: Vdekjet nga kequshqyerja në Shqipëri rriten me 122 %”

  1. Ledi says:

    Po kjo dihej, nuk habitem aspak. Te rinj qe e nisin diten me korosan pa asnje vlere ushqyese, e vazhdojne me sufllaqe qe vetem nje ZOT e di se me c’fare e bejne. Femije qe I japin kinder tmerresisht te embla lengje frutash qe vetem emrin kane te tille,Burrat qe hane vetem qofte, pula te pjekura dhe te tjera shpifesira, rezultati , barku I madh si grua shtatzene, Grate shikojini vete me mire nje katastrofe. Perfundimi tashme jemi nje popull I kequshqyer dhe I semure.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje