Ngjarja e rëndë që ndodhi në Burrel para takimit të Lulzim Bashës me strukturat u duk se ishte një njollë tjetër mbi procesin, aq të kontestuar të zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike. Pas ngrirjes hileqare të Bashës dhe organizimit të procesit të zgjedhjeve me dy nënkryetarët besnikë, dhuna ndaj të pakënaqurve është gjëja e fundit që i duhet Lulzim Bashës.
Vetë deputeti Bedri Hoxha e lidh incidentin me veprimtarinë e tij politike, por duke mbetur i rezervuar për shkaqet e ngjarjes.
“Ishim para pallatit të Kulturës 10 minuta para takimit ku do zhvillohej gara mes Bashës dhe Selamit, e cila veç garë nuk mund të quhet. Unë po bisedoja, dhe më vjen nga mbrapa një person me emrin Demir Cupi që më qëllon”, ka thënë deputeti duke sqaruar dy momente të shkaqeve përse mund të jetë goditur. I pari është qartësisht politik.
“Njerëzit në parti i verbojnë rezultatet e mia elektorale në të gjitha zgjedhjet kur unë kam qenë në garë që nga viti 2003 dhe deri në vitin 2013. Nuk kam humbur asnjëherë. Personalisht nuk kam asnjë lloj qefmbetjeje që nuk jam kandiduar, por ky lloj qëndrimi në këtë kohë kur po zhvillohet edhe gara brenda partisë nuk arrij ta kuptoj çfarë prapavije ka”, sqaron Hoxha për Panorama.
Një variant i dytë mund të jetë marrëdhënia personale mes të dyve, pasi vetë Hoxha e pranon se Demir Çupin e ka emëruar drejtor burgu disa kohë më parë.
“Me personin në fjalë kam mbi 4 vite që nuk kam asnjë lloj komunikimi pavarësisht se vite më parë e kam emëruar edhe si drejtor burgu”, deklaroi Hoxha për gazetën Panorama.
Vetë Basha ka komunikuar në telefon me Bedri Hoxhën. Telefonata nuk ndodhi kur Basha u njoftua për ngjarjen, por kur Bedri Hoxha e vuri në dukje në media mosinteresimin e kryetarit.
“Basha më ka telefonuar rreth orës 20:00, mbase nga reagimet që ka parë në media. Nuk e kuptoj atë ngjarje. Nuk e kuptoj as se si është lënë i lirë ai person kur ngjarja ka ndodhur në sy të rreth 20 personave. Unë kisha një ftesë sepse jam anëtar i kryesisë së degës dhe shkova për të dëgjuar platformat e kandidatëve” ka thënë Hoxha.
Sipas Partisë Demokratike, Bedri Hoxha nuk është goditur për arsye politike. Motivet kanë qenë të tjera sipas degës së PD-së në Mat që doli me një deklaratë mbrëmë në darkë.
Mbetet për t’u parë versioni i Demor Çupit në polici. Personi që goditi deputetin pritet të merret sot në pyetje dhe do të japë versionin e tij për ngjarjen.