Është zhvilluar dje ceremonia zyrtare e hapjes së Ambasadës Japoneze në Tiranë, si një ngjarje që konfirmon kurorëzimin e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Japonisë.
Të pranishëm në ceremoni ishin Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, Ministri Japonez i shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë z. Nobuo Kishi, Ambasadori i parë japonez në Shqipëri, z. Makoto Ito, si dhe deputetë, personalitete nga fusha të tjera dhe përfaqësues të medias.
Në fjalën e vet, Ministrja Ekonomi përshëndeti hapjen e ambasadës Japoneze në Tiranë, duke theksuar se vetëm pak kohë më parë u arrit të firmosej një marrëveshje mes MZHETTS dhe Qeverisë Japoneze, për mbështetjen e një projekti në zonat rurale të Shqipërisë. Ekonomi tha se ky projekt, në zonat ku nuk ka akses finance, është një demonstrim i një miqësie reale dhe i një mirësie që vjen nga qeveria Japoneze, për të mbështetur Shqipërinë dhe për të treguar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ndërsa, Ministri Bushati theksoi se hapja e Ambasadës japoneze tregon se do kemi një rritje të bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimeve ekonomike e kulturore dhe kontakteve mes dy popujve.
Nga ana e tij, Ministri Japonez i shtetit për Punët e Jashtme të Japonisë, z. Nobuo Kishi, theksoi interesin e madh të Japonisë për Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria është faktor stabiliteti.
Ministrat Bushati dhe Kishi morën pjesë edhe në ceremoninë e dhurimit nga Qeveria Japoneze të 129 automjeteve japoneze të prodhimit të fundit, një donacion i mundësuar nëpërmjet një granti prej 500 milionë YEN ose 4.6 milionë dollarë.
Zonja Ministre: nqs Kina zgjodhi Serbine edhe Greqine si partnere strategjik ne Ballkan, ne duhet ti hapim dyert Japonise ne te gjitha fushat perfshire edhe ate ushtarake. Mos u sorollatni kot nga Arabia edhe Turqia. Gjermani+Japoni+Suedi/Vendet Nordike = Zhvillim