BSH jep alarmin: Ja ku nuk duhet të investoni paratë pasi s'ka asnjë garanci. Nuk e kemi licencuar...

13 Korrik 2017, 17:29Ekonomia TEMA

Duke marrë shkas nga interesimi mediatik dhe nga ai i publikut të gjerë më në veçanti, në lidhje me blerjen, zotërimin apo tregtimin e mundshëm të parave virtuale, të tilla si BITCOIN, Banka e Shqipërisë e gjen me vend të sjellë në vëmendjen e opinionit publik se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale.

Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim.

Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë.

Të gjithë faktorët relevantë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Autoritetin Bankar Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, janë duke punuar intensivisht për të vlerësuar të gjithë problematikën që lidhet me paranë virtuale, me qëllim rregullimin dhe mbikëqyrjen adekuate të saj.

Autoriteti Bankar Evropian, si autoriteti kompetent dhe i pavarur për të garantuar rregullim dhe mbikëqyrje të kujdesshme të sektorit bankar evropian me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, në fund të vitit 2013 publikoi¹ rreziqet me të cilat do të përballen konsumatorët kur blejnë, mbajnë ose tregtojnë monedhat virtuale.

Po kështu, dhe Banka Qendrore Evropiane është ndalur në këtë problem dhe ka theksuar në publikimet² e saj se asnjëherë nuk duhet vënë shenja e barazisë midis parasë virtuale dhe parasë elektronike. Ndërsa kjo e fundit është aktivitet i rregulluar ligjërisht dhe i mbikëqyrur sikurse dhe ne Shqipëri, paraja virtuale është një aktivitet tërësisht jashtë syrit dhe kontrollit të autoriteteve.

Banka e Shqipërisë sjell në vëmendjen e publikut shqiptar nevojën për një ndërgjegjësim sa më të plotë të këtij të fundit mbi rreziqet që shoqërojnë këtë lloj veprimtarie. Për këtë qëllim, më poshtë po rendisim një listë me ato më kryesoret, që e shoqërojnë:

Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme.

Vlera e monedhave mund të manipulohet duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).

Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin.

Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, përsa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka.

Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme.

Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve.

Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT software) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë.

Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.

Për gjithë sa më sipër, i bëjmë apel publikut shqiptar që të tregohet i matur dhe i përgjegjshëm në administrimin e kursimeve apo likuiditeteve të lira që zotëron. Ai duhet t’i orientojë investimet drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Banka e Shqipërisë, duke mirëkuptuar transformimin e madh që vjen nga teknologjia e informacionit, shpreh angazhimin e saj për të informuar në vazhdimësi publikun shqiptar në lidhje me risitë e parasë virtuale, si dhe rregullimin dhe administrimin e rreziqeve që shoqërojnë këtë produkt.

3 komente në “BSH jep alarmin: Ja ku nuk duhet të investoni paratë pasi s’ka asnjë garanci. Nuk e kemi licencuar…”

  1. likja says:

    Shume vone e dhate alarmin. I kam investuar 25,000 Dollare nderkohe.

  2. BTC, XRP,ETH, ETC,XEM says:

    me demek qenkeni te shqetesuar per parate e qytetareve, apo valle jeni te shqetesuar per hegjemonine e sistemit bankar qe i rrjep perdite qytetaret, perse nuk thoni psh qe Japonia e ka legalizuar monedhen BTC, po ashtu edhe Australia, e se shpejti INDIA dhe shtetete tjera qe do te adoptojne technologjine blockchain e cila anashkalon taksat e sistemit bankar qe majmet ne kurriz te qytetareve, Ku eshte shteti shqiptar perse nuk i hap kursimet e qytetareve , duke emetuar BOND e per vepra te medha publike qe kerkojne financim si rruge, aeroporte , projekte ne energjine e rinovueshme ,Modernizimin e Bujqesise apo Transport hekurudhor ku shqiperia eshte akoma ne epoken e gurit, rrine kursimet e qytetareve dhe flene ne banka dhe keto tallen me perqindje interesi te rendit 0.000 % , i grine qytetaret me lloj lloj komisionesh ,edhe nje perspektive qe kishin per investim pak me fitimprures te ketyre kursimeve ne TITUJ SHTETERORE dhe OBLIGACIONE, del nje emisar i BANKES boterore dhe deklaron se :PO punojme qe Bonot dhe obligacionet te mos blihen me NGA INDIVIDET, PO VETEM NGA BANKAT, sepse gjoja kjo politike e deri tanishme ka diktuar kosto te larta te BORXHIT PUBLIK (?!) a thua INDIVIDET JANE ME TE FUQISHEM SE BANKAT KUR VJEN PUNA TEK FUQIA BLERESE, shkurt po e bllokojne qe ti marrin per vehte deri ne qindarken e fundit kursimet e qytetareve dhe ti genjejne me ato depozitat qesharake apo ato fondet e mjera te investimeve , ku ti fut 10 leke , ai te jep 1 lek interes gjoja si depozite , kurse leket e tua i investon si te vetat duke mare 4 deri ne 5 fish fitim mbi djeresn dhe gjakun tend, KJO ESHTE E VERTETA DHE JO MERAKU PER MONEDHEN BTC

  3. Trajneri says:

    Bitcoin eshte investim shume i mire, mos degjoni banken e Shqipërisë. Oligarkia e bankave po punon kunder parase virtuale sepse ajo heq nevojen e bankave per transaksione dhe keshtu edhe fitimin e tyre. Ne amerike ka bankomate qe punojne me bitcoin pa asnje lloj problemi. Mos shpelani trute me keta pseudoekonomiste bitcoin dhe monedha virtuale jane e ardhmja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje