Merkato e Moxhit “flet” italisht, Partizani pret ndryshime në çdo repart

23 Korrik 2017, 20:34Sport TEMA

“Ekipi ka nevojë të përforcohet në të gjitha repartet, duke filluar nga qendra e mbrojtjes ku kemi çaluar gjatë gjithë vitit. Kemi çaluar gjatë gjithë vitit, edhe tek Atanda, Krasniqi e Malota. Edhe në dy ndeshjet e Europës gabuam tek Atanda dhe Krasniqi. Me gjithë anët pozitive që kanë këta lojtarë, duam një prurje të re që ta përforcojë këtë repart.

Na duhen afrime edhe në mesfushë dhe në fazën sulmuese”, kështu u shpreh për “Panorama Sport” ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, aktualisht këshilltar i presidentit Demi, pas eliminimit nga Liga e Europës. Në intervistën e dhënë dy ditë para dorëheqjes, për herë të parë Starova foli me emra konkretë, pasi gjithnjë është mundur të dalë në krah të lojtarëve.

Kështu, për të mos përsëritur gabimet e sezonit të shkuar, Partizani ka nisur një projekt tjetër me Luçiano Moxhin, ku në fund synohet fitimi i titullit kampion.

Përveç fjalëve të ish-trajnerit Starova, paraqitja ndaj Botev Plovdivit e përforcoi më shumë kërkesën e përforcimit të ekipit në çdo repart, që gjërat të jenë gati për sezonin e ri. Merkatoja e të kuqve është përqendruar në Kategorinë Superiore dhe në Itali.

MBROJTJA- Porta konsiderohet e blinduar, nëse nuk shitet edhe këtë sezon portieri Alban Hoxha. Aktualisht, ka një mbipopullim në mbrojtje, por synohet që ekipi të paktën të afrojë edhe një qendërmbrojtës tjetër, përpos nevojave që mund të dalin rrugës nga ndonjë largim apo transferim i mundshëm.

Hakaj dhe Marku janë dy lojtarë të rinj që u afruan në sezonin e fundit, por nuk gjetën hapësira. Klubi i konsideron pjesë të tij, por shkodrani prej ditësh i është bashkuar Teutës, madje ka nisur edhe fazën përgatitore në Itali.

MESFUSHA- Reparti që e ka më të nevojshëm rifreskimin është mesfusha, pasi me largimin e Ramadanit, Cetkoviçit, thuajse edhe Mazrekaj, por edhe mungesa e një fantazisti bën që drejtuesit të jenë gjithnjë në lëvizje për të gjetur të duhurit.

Së fundmi, në skenë janë disa alternativa, ku përveç kamerunasit Luis Parfait, synohet edhe Nijas Lena. Gjithsesi, drejtuesit po bisedojnë edhe me mesfushorë të tjerë.

SULMI- Partizani nuk ka qenë i plotë në sulm dhe sezonin e fundit, por largimi i Ekubanit dhe Torasës e ka zmadhuar më shumë boshllëkun. Për momentin, vetëm Sukaj konsiderohet sulmues i mirëfilltë dhe i sprovuar. Primare mbetet që të gjendet zëvendësuesi real i Ekubanit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje