Superblerja e Skënderbeut s’është gati për Mladan

23 Korrik 2017, 15:00Sport TEMA

Ali Soue, sulmuesi në pronësi të Chievos në Serinë A italiane është goditja e madhe e Skënderbeut në merkaton e verës.

Korçarët kanë arritur akordin parimor me 23-vjeçarin nga Gambia, ndërsa këtë të hënë pritet të formalizohet edhe firma në kontratë. Soue do ti bashkohet skuadrës për një sezon në formë huazimi, megjithatë superblerja e bardhekuqve nuk do ta ndihmojë ekipin, të paktën në duelin e parë të turit të tretë kualifikues në Europa League, përballë Mlada Boleslav.

Sipas burimeve pranë klubit, sulmuesi nuk ka kondicionin e duhur fizik dhe është e pamundur që ai të vendoset menjëherë në shërbim të trajnerit Ilir Daja. Pavarësisht kësaj, Ali Soue vlerësohet si një përforcim mjaft i rëndësishëm për edicionin e ri, në realizimin e objektivit të Skënderbeut për tu rikthyer te titulli kampion. I njëjti diskutim vlen edhe për blerjen më të fundit të korçarëve, Shend Kelmendi. Sulmuesi i talentuar nga Prishtina duhet të gjejë formën më të mirë fizike dhe prej kësaj të hëne do të nisë menjëherë punën për të synuar më pas për një rol protagonisti në skuadër.

Për këto arsye, stafi teknik po e përqendron punën te grupi aktual, që përballë rivalëve nga Republika Çeke ka detyrën të sigurojë kualifikimin në fazën “play off” të Europa League. Sfida e parë e Skënderbeut ndaj Mladas do të luhet këtë të enjte, më 27 Korrik, në Boleslav, ndërsa ndeshja e kthimit është përcaktuar më datë 3 Gusht në Korçë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje