Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 31 vota pro planin e biznesit të hartuar nga ekspertët më të mirë të Bashkisë së Tiranës, UKT-së dhe USAID që i hap rrugë projektit më të madh strategjik për kryeqytetin që është furnizimi me ujë 24 orë në ditë brenda 5 viteve.
Pas 1 orë e 30 minuta mbledhje, konkretisht pro këtij vendim votuan 25 këshilltarë të PS, 3 të PDIU, 2 të LSI dhe 1 i FRD.
Plani i bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 20 lekë për m3: nga 45 lekë/ m3 bëhet 65 lekë/m3.
Këshilltari i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Agim Kraja u shpreh pro rritjes së çmimit të ujit me 65 lekë për m3 nga 45 që është aktualisht.
“Jam dakord me këtë vendim, për rritjen e çmimit të ujit. Investimi në rrjetin e ujësjellësit është i domosdoshëm. S’është problem rritja e ujit në këtë masë, në këtë përqindje”, u shpreh Kraja.
Në mbledhjen e sotme të këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se plani i biznesit do të garantojë një sërë investimesh që do të mundësojnë furnizimin pa ndërprerje.
Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës parashikohen që 10 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, ku është identifikuar burimi i Gurit të Bardhë në Burrel që do t’i shtohet Tiranës, 5 milionë do të investohen për përpunimin dhe filtrimin e ujit, 50 milionë do të investohen në sistemin e transmetimit për të garantuar uljen e kostos dhe zhdukjen e humbjeve pasi sistemi do të jetë i papenetrueshëm, 50 milionë të tjera do të investohen në rrjetin e shpërndarjes që do të shtrihet në mënyrë kapilare në çdo lagje, sidomos në ato informale dhe ato të krijuara pas viteve 1990 si dhe 40 milionë të tjera do të investohen në kanalizime.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se përmes këtij vendimi qytetarët do të shpëtojnë nga depozitat dhe nga kostot shtesë që janë detyruar të paguajnë përveç faturës së UKT. “Të shpëtojmë nga pompa që është kosto më vete, të shpëtojmë nga blerja e ujit në markete që është kosto më vete, të shpëtojmë nga të gjitha ato shpenzime, energjia elektrike për të përdorur pompën. Të gjitha këto janë kosto, sepse njerëzit mendojnë se kosto është vetëm fatura e UKT”, tha ai.
Veliaj deklaroi se shembulli i suksesit është Bashkia e Korçës, e cila pas ndryshimit të tarifës së ujit, siguroi realizimin e një sërë investimesh, duke siguruar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë.
Kreu i Bashkisë deklaroi se ata që sot kritikojnë, pavarësisht se e rritën çmimin e ujit të pijshëm me 125 për qind, si pasojë e keqmenaxhimit ulën kohën e furnizimit me ujë për qytetarët. “Investimet për herë të parë në 27 vjet janë rritur me 109%, pra kemi bërë 2-fishin e investimeve që janë bërë ndonjëherë në një vit normal.
Ndërkohë orari i furnizimit, e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot Tiranën me 13 orë ujë në ditë. Lulzim Basha dhe Sali Berisha e rritën çmimin e ujit fshehurazi, pa pasur burrninë të vinin këtu siç jemi ne në Këshillin Bashkiak dhe ta diskutonin, por fshehurazi e miratuan vetëm me vendim bordi 125 %”, tha ai.
Hajt she po ja le ne dere LSI dhe PDU.
PS nuk ka faj fare. Edhe pak dhe do na thoni qe Rilindja eshte ne opozite dhe cmimet i ngre vetem LSI