Nëse nuk bëhet asgjë për të reduktuar efektet e ndryshimeve klimatike, moti ekstrem mund të vrasë 152 mijë persona në vit në Europë deri në vitin 2100.
Sipas një studimi të Qendrës së Përbashkët Europiane të Kërkimit, valët e të nxehtit do të shkaktojnë 99 përqind të gjithë vdekjeve që lidhen me motin, ndërsa Europa jugore do të jetë më e prekura.
Nëse nuk bëhet asgjë për të ulur emëtimet e gazit që shkaktojnë efektin serë dhe për të përmirësuar politikat që reduktojnë impaktin e motit ekstrem, numri i vdekjeve të shkaktuara nga ky i fundit mund të rritet nga 3 mijë raste në vit në periudhën 1981 -2010 në 152 mijë në vit gjatë periudhës 2071-2100.
Dy në tre persona në Europë do të preken nga fatkeqësitë natyrore në vitin 2100. Do të ketë një rritje të rasteve të vdekjeve nga përmbytjet, pasi nga gjashtë viktima në vit që do të shënohen në fillim të shekullit të ri, në fund të tij parashikohet të raportohen 233 vdekje në vit të shkaktuara nga përmbytjet.
Kërkimi analizoi efektet e shtatë ngjarjeve më të rrezikshme që lidhen me motin, si valët e të nxehtit, zjarret, thatësira, përmbytjet bregdetare dhe ato të lumenjve si dhe stuhitë e erërave në 28 vendet e Europës si dhe në Zvicër, Norvegji dhe Islandë.
Ekipi që realizoi studimin hulumtoi regjistrat e fatkeqesive natyrore nga viti 1981 deri në 2010 për të vlerësuar prekshmërinë e popullsise dhe e kombinoi këtë informacion me parashikimet sesi ndryshimet klimatike mund të zhvillohen më tej dhe sesi popullatat mund të shtohen dhe migrojnë.