Zjarret, Kodheli: 40% e ushtrisë në terren, situata dramatike jo vetëm në Shqipëri. Duhet të tregojmë kujdes...!

7 Gusht 2017, 11:04Kronika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi sot se situata e zjarreve në vend është dramatike për shkak të situatës klimaterike me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh.

Në një konferencë për shtyp nga ministria e Mbrojtjes, Kodheli informoi për operacionet në qarqet e vendit si dhe për angazhimin e Forcave të Armatosura.

 “Janë angazhuar nje e treta e të gjithë Forcave të Armatosura në mënyrë që të ndihmojmë në shuarjen e zjarreve. 2 helikopterë të FA, kanë marrë pjesë në mënyrë direkte në shuarjen e zjarreve. Kujtoj se këto janë detyra jashtë angazhimit të tyre të detyrueshëm”, tha ministrja.

Ajo shtoi se “është situatë dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë”.” Situata klimaterike është jashtë normales për shkak të temperaturave tejet të larta dhe reshjeve pothuajse inekzistente. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po angazhohen maksimalisht për ta përballuar këtë situatë”, tha Kodheli.

Duke folur me shifra, Kodheli tha se, “përgjatë një muaji kalendarik, një  nga më të nxehtit e regjistruar, ushtarakët tanë kanë zhvilluar 102 operacione në ndihmë të komunitetit në 12 qarqe, 2700 forca të angazhuara ose 1/3 e të gjithë Forcës së Armatosur”.

Po kështu, ministrja Kodheli i ka akorduar sot medalje efektivit të ushtrisë që u lëndua gjatë një operacioni për fikjen e zjarrit në Shëngjergj.

“Tetar Hidrit i akordoj medaljen për shërbime të shquara”, tha Kodheli, e cila pohoi edhe ndihmën e fqinjëve në ‘luftën’ me zjarrin, duke i falënderuar për mbështetjen. “Kemi marrë mbështetje nga fqinjët. Avionët ushtarakë grekë e italianë na janë bashkuar”, tha ministrja.

Kodheli bëri një thirrje edhe për të gjithë qytetarët: “Kjo situatë e vështirë ka bërë që shtete të fuqishme si Franca e Portugalia të kërkojnë ndihmë.

I bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. I bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë situatën. Operacionet kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë, që janë para’ taksapaguesish. Duhet t’i ruajmë pemët e kullotat, ndaj ju lutem që ta shtojmë kujdesin bashkarisht”.

Ky është bilanci i bërë sot nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila në një dalje për mediat bëri apel që qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe në hedhjen e një cigareje e cila mund të shkaktoj situate të pakontrollueshme.

Muaji korrik ka qenë një ndër më të nxehtit, forcat ushtarake kanë zhvilluar aksione në 9 qarqe nga 12 që ka  vendi, dhe janë angazhuar 40 % e njerëzve që janë në uniformë. Avionët kanë fluturuar 143 orë, kanë kryer detyra jashtë angazhimeve ushtarake.

Falënderim i veçantë për forcat ushtarake për angazhimin maksimal. I bëj thirrje qytetarëve për të dhënë kontribut për të ndihmuar në përballimin e situatës, por edhe të mos e provokuar atë. Aksioni për shuarjen e zjarreve ka kushtuar mbi 30 mln lekë të reja, lekë të taksapaguesve.

Duhet ti ruajmë pemët kullotat bimët, sepse janë pasuri e jona. Ndaj duhet të tregojmë kujdes edhe me një bisht cigare të hedhur jashtë”, nenvizoi serish Kodheli.

Ministrja e Mbrojties u ndal dhe tek bashkëpunimi me partnerët ku sipas saj ka ndihmuar në shuarjen e vatrave të cilat kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri.

“Avionët ushtarakë italianë e grek na janë bashkuar në ndihmë. Falënderoj homologen italiane për ndihmën, si dhe Ministrin Bushatin për ndërhyrjen dhe sjelljen nga Greqia për fikjen e zjarreve”, tha Kodheli.

Prençi: Shuam 600 zjarre, 125 kërkuan ndërhyrje nga ajri

Ndër sa kreu i emergjencave civile Shemsi Prençi u shpreh se prej 3 javësh Shqipëria është përballur me 300 vatra zjarri aktive nga të cilat 125 janë shuar me ndërhyrje nga ajri.

“Në të gjithë vendin janë regjistruar 640 vatra gjithsej, 125 prej të cilave kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri. Zjarret problematike thuajse janë shuar, aktualisht ka një vatër zjarri në Skrapar, dhe një në rajonin e tunelit në Kërrabë.

Lufta me zjarrin dhe temperaturat është e vështirë.

Vlerësoj së tepërmi punën e forcave të armatosura, zjarrfikësve dhe vullnetarëve. Gadishmëria ka qenë në nivel për tu vlerësuar”, tha Prençi.

Sipas Prencit është e nevojshme që të investohet për të krijuar kapacitete të cilat do të mundësojnë përballimin e krizave apo situatave të zjarreve të tilla.

Më poshtë fjala e plotë e ministres Kodheli:

Mirëdita dhe përshëndetje të gjithëve,

po jetojmë një nga periudhat dhe situatat më të nxehta të viteve të fundit, e shoqëruar kjo me zjarre masive kudo, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. Nga statistikat e fundit që kam mbledhur më rezulton që është trefishi i numrit të zjarreve në 8 vitet e fundit në mbarë Europën, krahasuar me një mesatare që statisticienët europianë nxjerrin. Kjo është një situatë dramatike, pra jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë, me humbje të konsiderueshme në pasuri natyrore, humbje në njerëz, materiale, gjithçka të mirë që dora e njeriut krijon dhe thjesht, një zjarr i djeg.

Situata klimaterike është jashtë normales, e theksoj edhe në Shqipëri, për shkak të temperaturave tejet të larta edhe reshjeve pothuajse inekzistente. E kjo e ka çuar në fakt vendin drejt një situate realisht shumë shumë të vështirë. Kjo ka bërë që MM dhe FA të jenë në krye të detyrës dhe të ndërhyjnë në ndihmë të komunitetit me të gjitha kapacitetet që ato kanë. Ka një angazhim maksimal nga ana jonë dhe nga ana e qeverisë për ta përballuar këtë situatë.

Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër dhe vazhdon të ndjekë në vazhdim, në detaje, të gjitha operacionet e ndërmarra nga strukturat shtetërore me përfshirjen e plotë të EC, pushtetit lokal dhe sigurisht dhe të mbështetura fort nga Forcat tona të Armatosura.

Bashkëpunimi mes strukturave është në fakt një gjë për t’u përgëzuar ndaj dhe sot i ftuar është dhe drejtori i EC zoti Prençi, të cilin dua realisht ta falënderoj për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Gjatë një muaji kalendarik, që në fakt e theksoj është një ndër më të nxehtit të regjistruar, ushtarakët tanë kanë zhvilluar plot 102 operacione në ndihmë të komunitetit. Këto operacione janë zhvilluar në 9 qarqe nga 12 që ka vendi. Janë angazhuar 2750 forca që në fakt janë 1/3 e Forcës tonë të Armatosur ose 40% e njerëzve që janë në uniformë. Janë përdorur gjithashtu 320 mjete motorike dhe personeli ushtarak i angazhuar ka qenë si ai i Forcës Tokësore dhe ai i Forcës Detare dhe ai i Forcës Ajrore, Komandës Mbështetëse, Policisë Ushtarake, të cilët kanë luftuar, ashtu siç ju e keni parë dhe transmetuar në fakt, përditë me zjarrin.

Gjithë helikopterët e Forcës Ajrore kanë qenë në detyrë, kanë zhvilluar pa ndërprerje fluturime rikonicioni dhe kanë marrë pjesë madje edhe në angazhime direkte dhe konkrete në shuarjen e flakëve. Ekuipazhet fluturuese kanë fluturuar rreth 143 orë dhe kanë kryer, siç e thashë, detyra, të cilat, më duhet ta nënvizoj, janë detyra edhe jashtë detyrimeve të tyre ushtarake apo angazhimeve të tyre funksionale të përditshme.

Një falënderim i veçantë pra, i shkon të gjithë pjesëtarëve të FA për realisht heroizmin që kanë treguar në shuarjen e zjarrit dhe në mbështetje të komunitetit. Sakrifica mbinjerëzore në përballimin e zjarreve në fakt nuk ka lënë pa dëmtuar një tetar, tetar Hidrin, i cili është plagosur gjatë një operacioni të shuarjes së zjarreve në Shëngjergj të Tiranës. Ndaj dhe sot unë për këtë arsye tetar Hidrit i akordoj medaljen për shërbime të shquara.

Në fakt, t’ju them të drejtën, një ndihmë të madhe kemi marrë nga fqinjët, të cilët janë angazhuar maksimalisht, pavarësisht faktit se kanë probleme të jashtëzakonshme me zjarret edhe në vendet e tyre. Avionët ushtarakë italianë dhe grekë na janë bashkuar duke na ndihmuar në situatën e krijuar. Në orët e vona të ditës së premte unë kam biseduar me homologen time, ministren e Mbrojtjes italiane, zonjën Pinotti, të cilën gjej në fakt rastin ta falënderoj publikisht për angazhimin e saj në një orë të vonë dhe ndihmën e saj. FA italiane në fakt nuk e kanë në mision përballimin e drejtpërdrejtë të EC, sepse ata kanë, si shtet i fuqishëm, një strukturë të veçantë të mirëpajisur për ta bërë këtë gjë; ashtu si edhe ne nuk e kemi në fakt si FA, po në asnjë moment nuk është vënë në dyshim mbështetja e popullsisë edhe për shkak të fqinjësisë së mirë, edhe për shkak të një ndër aleatëve më të rëndësishëm, Italisë.

Gjithashtu meqë më jepet rasti dua të falënderoj ministrin Bushati për ndërhyrjen e tij dhe sjelljen nga Greqia fqinje të disa avionëve, që dhe ata kanë shërbyer për fikjen e zjarreve.

Kjo situatë e vështirë e krijuar në fakt ju më mirë se unë dini që është quajtur “Lucifer” edhe ka shkaktuar në fakt vështirësi të mëdha, sidomos në vendet e Europës Jugore. Shtete të fuqishme madje si Franca kanë kërkuar ndihmën e BE, shtete të fuqishme si Portugalia kanë pasur humbje në njerëz, në një numër të konsiderueshëm. Spanja, Greqia, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, vazhdojnë të kenë probleme me zjarrin. Dhe meqë jemi këtu, unë në fakt dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për të dhënë kontributin e tyre në ndihmë për ta përballuar këtë situatë.

Një thirrje tjetër bëj: situatën jo vetëm ta ndihmojnë që të përballohet, por edhe të mos e krijojnë. Ministrisë së Mbrojtjes deri më sot operacionet për një muaj i kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë të reja dhe ky është vetëm fillimi. Janë të gjitha para të taksapaguesve shqiptarë. Kështu që besoj që nuk është e tepërt të them që ne duhet t’i ruajmë pemët, shkurret, kullotat, sepse janë pasuritë tona nga veriu në jug. Ndaj do t’ju lutesha ta shtojmë kujdesin bashkërisht qoftë edhe kur hedhim një bisht cigare nga makina.

Dua të tejçoj nëpërmjet jush edhe një lutje për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë edhe vijnë për pushime, ta ndihmojnë vendin duke mos ndihmuar që të kemi një vatër zjarri, qoftë edhe të vogël dhe më pas kthehet në problematike edhe për shkak të temperaturave. Kështu që dua të tejçoj thirrjen për një ndërgjegjësim për të gjithë së bashku.

E fundit gjë, jo pa qëllim e lashë në fund, por më rezulton të jetë falënderimi më i rëndësishëm: është populli i Dukatit me të cilin jam e mrekulluar. Dua t’i falënderoj të gjithë ata njerëz të mirë, të cilat i kanë pritur ushtarakët si bijtë e tyre. Madje shpesh herë kanë tentuar t’i ftojnë në shtëpi, t’i japin një gotë ujë më tepër, duke parë situatën në të cilin ushtarakët punonin. Ne kemi akoma nevojë për njerëz si njerëzit e Dukatit. Ndaj dua t’i falënderoj nga zemra.
Besoj që me kaq e mbyll pasqyrën e punës së bërë në këtë muaj të vështirë.

Nëse ka ndonjë pyetje unë jam e gatshme për t’iu përgjigjur.

Ju faleminderit për prezencën në një ditë akoma të nxehtë si kjo e sotmja.

A do të vazhdojmë ta kemi mbështetjen e homologëve tanë gjatë këtyre ditëve dhe a është e nevojshme të bëjmë thirrje edhe më tej përveç vendeve fqinje për sa i përket situatës së zjarreve?

Ministrja Kodheli: Jo më larg se dje kemi pasur një aksion të përbashkët të mirëorganizuar që në orët e para të mëngjesit, ku kemi bërë një rikonicion të pothuajse të gjitha vatrave të zjarreve, që në gjykimin tonë kanë qenë të shuara, për të parë nëse kishim ndonjë problematikë që mund të na rikthehej në një situatë të tillë. Situata tashmë është nën kontroll, përveç një informacioni të fundit të një vatre zjarri në Thumanë të Krujës, të gjitha vatrat e tjera janë të shuara. Kështu që unë shpresoj se nuk do të kemi nevojë për thirrjen e fqinjëve, në një kohë që edhe fqinjët kanë kërkuar ndihmën tonë, por ka qenë një kohë që ne i kemi pasur FA të gjitha të angazhuara dhe nuk kemi mundur që pse jo t’i jepnin edhe ndihmën tonë atyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje