Këto ditë është zhvilluar një debat publik mes dy filozofëve shqiptarë të Kosovës, Blerim Latifit dhe Elvis Hoxhës, mbi thelbin dhe qëllimin e lëvizjes Vetëvendosje, në kuadër edhe të dilemës së fundit, nëse kjo lëvizje politike mundet tani ose pas zgjedhjeve potenciale të parakohshme, të krijojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, dhe ta drejtojë shtetin e ri, por me një popull të lashtë, drejt reformave integruese europiane dhe asocimit me organizmat ndërkombëtarë perëndimorë. Rëndom lëvizja Vetëvendosje është etiketuar si një forcë politike antiperëndimore, madje janë të freskëta në kujtesën e publikut edhe deklaratat aspak diplomatike kundër saj të përfaqësuesve të vendeve perëndimore, të akredituara në Prishtinë, të cilët shfaqen haptazi të bezdisur nga aktiviteti herë-herë me aksione të dhunshme, që kryejnë mbështetësit e saj.
Me këtë shkrim, nuk kam aspak qëllim, edhe pse e kam ndjekur të plotë debatin e gjatë, të ndërhyj mes kësaj polemike të dy filozofëve, sepse përmbajtja e saj, përveçse teknike dhe kryesisht filozofike, përveç interpretimit të ndryshëm që u bëhet filozofëve të cituar apo gjetjes së gabimeve të ndërsjella, ka degjeneruar deri në fyerje e në sharje personale, gjë që filozofët e sipërcituar nuk i nderon shumë. Gjithashtu, nëse bëhej një analizë logjike e teksteve, do të viheshin re edhe gabime të rënda logjike, që nga argumentum ad hominem, pra sulme personale, deri tek argumentum ad populum, ku herë njëri e herë tjetri, flet gjëra që më shumë sesa shpalosja e të vërtetës, siç shihet prej tyre, shkon te prekja e ndjenjave emotive të pjesës së audiencës së popullit, që ata shqetësohen të bëjnë për vete. Siç duket, kjo është mënyra me të cilën dy filozofët tanë, dinë dhe mund të bëjnë politikë. Në këtë shkrim, unë do të paraqes disa ide të miat, të cilat morën ngacmim nga ky debat, dhe me këtë, ritheksoj se jam plotësisht jashtë debatit me ngjyra të forta personale të dy mendimtarëve të Kosovës.
Kështu pra, pjesa më e madhe e këtij debati, mund të ndiqet nga lëvruesit e fushës apo dashamirësit e filozofisë, por shumica e lexuesve të thjeshtë, që përbëjnë edhe shumicën e elektoratit në Kosovë, do të mund të kuptonin shumë pak prej fjalive të renditura në tekste të gjata dhe të vështira për t’u kuptuar. Në një përpjekje për ta thjeshtëzuar thelbin e debatit, mund të them se Latifi e akuzon Vetëvendosjen për lëvizje neomarksiste dhe ekstremiste antiperëndimore, e rrjedhimisht edhe Hoxhën si të tillë, si një nga ideologët kryesorë të saj. Kurse Hoxha mbrohet duke thënë, se nëse një popull nuk e ngre zërin, dhe kryet lartë, nuk do të tërheqë kurrë interesin e perëndimit, qoftë të ekspertëve apo edhe të mendimtarëve të tij, siç i kategorizon përgjatë debatit ai, të cilët do ta harronin ose do ta dënonin atë me zhbërje reale. Për Hoxhën, ka ardhur koha që populli i Kosovës, ta marrë vetë në dorë fatin e tij, dhe të çrrënjosë njëherë e mirë, një klasë të korruptuar politikanësh dhe t’i rikthejë fuqinë e historicitetit popullit shqiptar të Kosovës (e rrjedhimisht mendojmë edhe të Shqipërisë, me të cilin kjo lëvizje e ka në program, bashkimin).
Deri këtu gjithçka duket në rregull dhe fryma proletare e Hoxhës, duket sikur është zgjidhja e vetme që mund të përqafojë populli i Kosovës, për të mbrojtur kështu edhe kufijtë e vetë, nga ata kufij, që me demarkacionin që kërkon perëndimi dhe ndërkombëtarët, rrezikojnë dhjetëra kilometra katrorë të territorit Kosovar. Kështu, Vetëvendosja, është e vetmja rrugë sipas Hoxhës, që nuk do ta lërë vetëm atë në qëllimin e tij ambicioz dhe afatgjatë që i ka vënë vetes, pra për t’i rikthyer historicitetin popullit të tij, që e mbron si subjekt të së drejtës dhe jo si viktimë të historisë, siç vetë shprehet. Në këtë mënyrë, sipas asaj që kuptoj unë, Hoxha thotë se nuk është se na duhen edhe shumë ekspertët e perëndimit që pyesin ftohtë se ç’do të bëjmë me shqiptarët, bazuar edhe në interesat që ata përfaqësojnë. Për të mos folur për mendimtarët siç thotë ai, disa prej të cilëve na kanë listuar ndër popujt e skaduar e të dënuar për zhdukje.
Unë mendoj se ka të drejtë për këtë konstatim. Por nuk mendoj aspak se ka të drejtë se si e shikon, gati-gati me poetizëm e idealizëm, të ndikuar prej Migjenit, poetit të tij të preferuar që e citon dhe e reciton vazhdimisht. Dhe nëse Hoxha është i ndikuar prej Migjenit, atëherë mund të them pa frikë, se ndan edhe të njëjtat ideale marksiste dhe komuniste me poetin proletar majtist. Kështu, nuk është sekret se edhe lëvizja, ku Hoxha aderon si anëtar kryesie, përfaqëson një ideologji neomarksiste dhe thelbësisht nacionalo-majtiste, që ka si synim, ringritjen e shtetit Kosovar, mbi ideale që bota perëndimore ka kohë që i ka hedhur poshtë si të dëmshme dhe të rrezikshme. Ajo që s’mund të akuzohet në asnjë mënyrë filozofi migjenian, është sinqeriteti i tij absolut, shqetësimi i thellë i filozofit për të mbrojtur popullin e tij, nga çdo e keqe që i kanoset, kryesisht me dy burime kryesore, me sa arritëm të kuptonim prej tekstit të tij letrar, përveçse filozofik, prandaj edhe shumë estetik.
Burimi i parë i të keqes dhe dhunës që konstaton Elvisi është kasta e korruptuar e politikanëve kosovarë, dhe burimi i dytë, është sipas tij, tallja apo loja që bën Perëndimi me fatet e popullit të Kosovës. Ndaj Elvisi bën thirrje për ngritje të masave popullore, të cilat, si kurrë më parë, me aksion politik dhe parapolitik, me revolucion demokratik apo proletar, duhet të marrin në dorë fatet e Kosovës, pavarësisht se ç’pasoja mund të sjellë kjo gjë, në skakierën politike ndërkombëtare, politikë e cila, ishte ajo që e prodhoi edhe Kosovën si shtetin më të ri të Europës, shtet i cili është futur edhe në rrugën graduale por të sigurt të njohjes ndërkombëtare.
Një pyetje më lind, sa herë që kam ndjekur debatet e fundit politike në Kosovë. Po mirë, këta kufij që duan të mbrojnë një pjesë e spektrit politik kosovar, kush i garantoi dhe siguroi? A mund të mbrojmë nga perëndimi, kufijtë të cilët ai na i siguroi? Po mirë, do më thoshte Elvisi, ti thua, që meqë na i dha ata kufij, atëherë edhe mund të na i heqë kur të dojë, dhe ne të mos reagojmë fare? Jo, do t’i thosha pa frikë, sigurisht që duhet të ketë një reagim, por ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, që Kosova është realitet që nisi të krijohet nga luftëtarët për liri, por që nëse nuk ndihmoheshin nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga bombardimet e NATO-s dhe administratës Klinton, as që do të mund të flisnim fare sot për kufij e demarkacion. Në vend që të kundërshtojmë çdo zgjidhje të tyren, edhe pse të dhimbshme për ne, më mirë është të përpiqemi të kuptojmë, arsyen që fshihet pas këtyre lëvizjeve.
Me të njëjtën mënyrë, perëndimi vendosi që në 1913, me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ta copëtonte Shqipërinë dhe të linte jashtë saj, shumicën e territoreve natyrore të kombit tonë. Po a ishte zgjidhja më e mirë, qasja që i bëri komunizmi këtij komuniteti ndërkombëtar dhe izolimi total prej tij i Shqipërisë, duke ngritur peshë zemrat e proletariatit me poezitë e Migjenit, gjithashtu? A do Elvis Hoxha dhe deri tani gati një e treta e popullit kosovar, që pushtetin ta marrë një lëvizje totalisht marksiste me nota të forta nacionaliste dhe izolacioniste? Sigurisht nuk mendoj se po ky komunitet perëndimor do ta lejonte instalimin e një partie të ekstremit të majtë në Kosovë, siç nuk e la edhe në Greqinë fqinje. Syriza atje, erdhi në pushtet me të njëjtin diskurs dhe me ndihmën e filozofëve të ngjashëm me Elvisin. Por mbas ardhjes në pushtet, e kuptuan se rregullat e lojës kanë ndryshuar, se borxhet duhen shlyer dhe se reformat duhen bërë, pikërisht siç vinin prej trojkës që përfaqësonte perëndimi. Një ministër, filozof i ekonomisë, dhe profesor me zë, Varufakis, shumë i ngjashëm me Hoxhën në frymëzim dhe ide, që bënte numra e lojëra në Bruksel, u dorëhoq brenda 24 orëve, me kërkesë ultimative të Brukselit, që nuk pranonte të negocionte më, nëpërmjet tij. Dhe historiciteti që përfaqëson populli i Greqisë, nuk i zmbrapsi aspak ekspertët dhe mendimtarët e perëndimit, që të kërkojnë deri në qindarkën e fundit, dhe deri në reformën më të dhimbshme, marrjen e përgjegjësive dhe shlyerjen e çdo borxhi prej palës greke.
Kështu që edhe nëse Vetëvendosja do të vijë në pushtet, ajo sigurisht që do të përshtatet me rregullat e lojës, që në anët tona, është perëndimore dhe ndërkombëtare. Përndryshe vetë loja do e nxjerrë jashtë, dhe vetë populli, që e votoi, do të rimarrë sërish fatet e veta në dorë, që janë vetëm europiane dhe perëndimore, sado problematik dhe i paqartë është bërë realiteti i kontinentit të vjetër, këto kohë. Personalisht, bie dakord me çdo konstatim të Hoxhës, por jo me zgjidhjen që ai jep. Nëse kasta e politikanëve në Kosovë është e korruptuar, atë mund ta zëvendësojë një rrotacion gradual i një kaste të re, dhe jo ardhja në pushtet si pasojë e pakënaqësisë së thellë popullore e një force neomarksiste. Dhe nëse perëndimorët kanë problemet e tyre, do të duhet t’ua themi me respekt dhe dinjitet rezervat tona, dhe të negociojmë me ta, pasi bashkëjetesa me ta, është rruga e vetme që kemi si popull për prosperitet. Tej tyre, ka forca të errëta, që nuk do të diskutonin shtyrje kufijsh, por zhdukje të tyre. Është i vërtetë konstatimi që bën Hoxha se “Amerika nuk na do më shumë se ç‘e duam ne veten”, por pyetjes që Elvisi duhet t’i përgjigjet është: “Kush na do ne më shumë se Amerika?”.
Z. Arjan Curi , pyetja jote eshte absurde. Cdo popull duhet te doje vetveten dhe te mbroje vetveten. Dashuria e shteteve te tjera te medha na coi ketu ku jemi, as gjysma e gjysmes se Shqiperise. Amerika dhe shtetet e tjera duan vetveten dhe veprojne diplomatikisht sipas interesave te tyre. Mjere popujt e vegjel!! Po ti qe komenton ne menyre mediocre, per te mos thene idiote poetin me modern shqiptar, Migjenin, nuk ke se si te kuptosh poshtersite e diplomacies nderkombetare. Shko bej ca pushime me shkuma parti dhe harroji arsyetimet dhe politikat se nuk jane per ty. N
Z. Curri ne kete vape gushti mos i qaj hallin kaloresit se i varen kembet. VV per inatin tend dhe te dashakeqve te tjere qe nuk duan qe Shqiptaret te jene zoter te fateve te veta, po rritet. Nje kontribut te rendesishem per kete po jep dhe filozofi i nderuar, Prof. Elvis Hoxha bga Tirana. Zoteria juaj po i jep shume peshe vetes duke “analizuar” me radhe shkrimet e filozofeve me te shquar Shqiptare. Duket se je ende i ri, ke kohe akoma te mesosh te arrish nivelin e tyre.
Nik
Z. Curri ne kete vape gushti mos i qaj hallin kaloresit se i varen kembet. VV per inatin tend dhe te dashakeqve te tjere qe nuk duan qe Shqiptaret te jene zoter te fateve te veta, po rritet. Nje kontribut te rendesishem per kete po jep dhe filozofi i nderuar, Prof. Elvis Hoxha nga Tirana. Zoteria juaj po i jep shume peshe vetes duke “analizuar” me radhe shkrimet e filozofeve me te shquar Shqiptare. Duket se je ende i ri, ke kohe akoma te mesosh te arrish nivelin e tyre.
Nik
Paske qenë idiot o Drit fallco. Curri po ta thotë hapur se perëndimi na copëtoi territoret por pa fuqitë e mëdha ne do ishim zhdukur fare.
Sigurisht që ato shofin interesat e tyre por nëse këto interesa konvergojnë me tonat atëherë na mbështesin. Pa mbështetjen e tyre do ishim katandisur si popujt afrikanë me të cilët eksperimentojnë të fuqishmit e botës.
Me shume se Amerika , te do Serbia. Akoma s’e ke marre vesh? Ajo po lufton qe te te kete prape pjese te trupit te saj. Amerika te do si dashnore, Serbia si pjes te saj. Nuk eshte e vertet?
Nik Stavaleci. Edhe Curri ka të drejtë në mes të vapës e të stuhisë të shprehë mendimin e tij modest rreth debatit në fjalë. Këtë gjë nuk ia mohon dot madhështia e filozofëve në debat, për të cilët Curri flet me respekt të madh në ndryshim nga vetë gjigantët e filozofisë në Kosovë që kanë ngrënë kokat mes vedi si laca lagjesh.
Nuk dua te diskutoj per filozofet, te cileve ju referohet z.Arjan Curi, si dhe diskutimin dhe debatet midis ketyre filozofeve, qe paska ndodhur ne nje emision televiziv, sepse une si qytetar, nuk e kam ndjekur kete emision.Une dua te ndalem tek nje problem tjeter,tek problemi i gjuhes shqipe ne Median e shkruar dhe elektronike.Shkrimi i z.Curi eshte nje shkolle se si duhet te shkruhet ne shtyp.Nje shqipe e thjeshte,e kuptueshme per te gjithe,eshte kjo gjuha shqipe te cilen duhet te perdorin gazetaret,ndryshe do humbasin audiencen,dhe do te bejne nje dem te pariparueshem gjuhes shqipe dhe ceshtjes kombetare ne teresi.Faleminderit z. Arjan Curi!