Prapambetja gjuhësore e Kosovës dhe një kontestim i gegërishtes

9 Gusht 2017, 17:57Blog TEMA

Varianti kosovar i gjuhës shqipe deri në Luftën e Dytë Botërore ishte një variant shqip krejtësisht i pazhvilluar. Në periudhën 1967-1991 Kosova jetoi iluzionin e saj më të madh gjuhësor. Më 1991 ritakimi i kosovarëve me Shqipërinë kishte brenda edhe refuzimin gjuhësor nga Shqipëria. Disa kosovarë, të lënduar nga arroganca gjuhësore e Tiranës, filluan të futnin në përdorim të folmen e tyre lokale, që ishte një nëndialekt krejtësisht i pamundur që të përdorej si gjuhë e shkrimit… Dhe, në fund, disa dilema kur lexon Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun.  (Nga libri “Identiteti kosovar”, vazhdim)

Nga Mehmet Kraja

Po të mbetej Kosova jashtë zhvillimeve gjuhësore mbarëshqiptare, çfarë do të ndodhte në të vërtetë? Para se të përpiqemi të japim përgjigje në këtë pyetje, është e nevojshme t’u bëhet një vështrim sado përciptazi zhvillimeve gjuhësore kosovare, si fenomen i mëvetësishëm, i tillë çfarë paraqitet ai. Kosova, sikundër e kemi thënë, nuk dha ndonjë kontribut të veçantë kulturor në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, ndryshe nga kontributet e saj politike dhe luftarake, që ishin shumëfish më të avancuara. Më anë tjetër, procesi i islamizimit të Kosovës në Perandorinë osmane ndodhi shumë shpejt dhe ai përfshiu jo vetëm besimin fetar, por edhe jetën sociale në përgjithësi. Me një fjalë, Kosova arrin në fillim të shekullit XX me mënyrën e jetës orientale, me kulturë orientale, me mentalitet oriental dhe, natyrisht, me një ndikim të madh të botës orientale në gjuhën e saj. Nën Perandorinë Osmane, Kosova asnjëherë nuk e kultivoi gjuhën shqipe, nuk e shkroi atë, e në ndonjë rast u përpoq të merrte gjësendi nga qendrat e tjera kulturore shqiptare. Prandaj varianti i saj i gjuhës shqipe ishte i pakultivuar, i mbushur përplot me orientalizma, që reflektonte mënyrën e jetës së folësve të saj. Kosovarët, shikuar edhe nga këndvështrimi i gjuhës shqipe, ishin gjuhësisht të prapambetur. Në turqisht, ndoshta edhe në arabisht dhe persisht mund të ishin më të avancuar, por në shqip jo që jo.
Pra, përveç që nuk trashëgoi një traditë të kultivimit të gjuhës, Kosova mbeti peng edhe i proceseve të reja frenuese. Nga Perandoria Osmane, pa një proces deorientalizimi dhe emancipimi, Kosova ra nën një pushtim të ri edhe më të egër, nën pushtimin serb dhe jugosllav. Gjuha shqipe, që ishte e ndaluar në përdorim zyrtar në kohën e Turqisë, vazhdoi të mbetej e ndaluar edhe në mbretërinë jugosllave. Tani, në rrethana të reja politike dhe shoqërore, ndikimeve turke dhe orientale iu shtuan ndikimet sllave. Prandaj, varianti kosovar i gjuhës shqipe arriti deri në Luftën e Dytë Botërore tërësisht i pamundur, një gjuhë shqipe e çoroditur nga ndikimet e gjuhëve orientale dhe sllave, me anë tjetër, një variant shqip krejtësisht i pazhvilluar, që pasqyronte një jetë sociale kryekëput rurale, krejt të paemancipuar. Por fenomenet negative të variantit kosovar të gjuhës shqipe nuk përfundojnë këtu. Për shkak të situatave politike, varianti kosovar i gjuhës shqipe vazhdon të mos komunikojë intensivisht me pjesën tjetër të arealit gjuhësor shqiptar. Prandaj disa fenomene gjuhësore jotipike zhvillohen brenda vetë këtij varianti. Por edhe marrjet një herë nga gegërishtja e standardizuar dhe pastaj nga gjuha e njësuar letrare, janë të vështira dhe jo gjithmonë efektive. Midis Kosovës dhe burimit të saj gjuhësor, qoftë gegërishtes standarde më herët, qoftë të gjuhës së njësuar letrare më vonë, ishte vendosur një kufi politik, që nuk kalohej aq lehtë.

Kështu, që nga viti 1967, ose 1972, e deri më 1991 Kosova jetoi iluzionin e saj gjuhësor. Përgjatë atyre viteve vazhduan përpjekjet për përvetësimin e standardit, në institucionet arsimore dhe kulturore, në medie dhe përgjithësisht në jetën publike. Fushata antishqiptare e vitit 1981 e prapa, zyrtarisht nuk e kontestoi aplikimin e standardit në Kosovë, ndonëse pat edhe synime të atilla që ndërmjet gjuhës letrare dhe nacionalizmit shqiptar të viheshin lidhje të dënueshme ideologjike dhe politike. Por atmosfera e përgjithshme në Kosovë tani u bë tepër e rëndë dhe aspak produktive për çfarëdo ndërmarrje dhe veprimtari kulturore, përfshirë këtu edhe lëvizjen gjuhësore, e cila, për shkak të apostrofimit politik, mbeti tërësisht pezull, u neutralizua, pra humbi në dinamikë dhe intensitet. Gjithsesi, goditjen më të rëndë kjo lëvizje e mori me ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjuha e njësuar letrare në Kosovë tani ishte ndarë nga modeli, ishte ndarë nga burimi i saj. Kontaktet shkencore u ndërprenë. Komunikimi gjuhësor nuk u zhvillua më përmes literaturës bazë, por përmes informacionit medial, i cili rëndohet shumë, bëhet më i vështirë. Gjenerata e albanologëve, tashmë e formuar në Kosovë, përjashtohet nga të gjitha proceset tërësore gjuhësore, përfshirë edhe diskutimet për modalitetet e zbatimit të normës drejtshkrimore. Literatura nuk këmbehet, libri nga Shqipëria nuk vjen në Kosovë, botimi i letërsisë së Shqipërisë bie ndjeshëm. Pra, me një fjalë, gjuha në Kosovë përjeton edhe një ngecje të re, ngjashëm siç kishte ndodhur më 1948.

Ndodhi si ndodhi dhe më 1991, Kosova dhe Shqipëria pothuajse papritmas u gjenden më pranë njëra-tjetrës, ndonëse në rrethana politike tepër konfuze dhe aspak produktive për zhvillime kulturore. Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënia e diktaturës në Shqipëri krijuan disa mundësi për lëvizje të njëanshme, të një qarkullimi të kufizuar dhe mjaft të vështirë të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Takimi i serishëm i kosovarëve me Shqipërinë, pas një periudhe të gjatë, kësaj radhe pa qenë nën vëzhgimin e kujdesshëm të organeve të sigurimit, u zhvillua në rrethana të një keqkuptimi të dyanshëm. Ndër shumë defekte të tjera, ky ritakim i kosovarëve me Shqipërinë kishte brenda edhe keqkuptimin gjuhësor, ose një refuzim gjuhësor të tërësishëm të Kosovës nga ana e Shqipërisë. Duket se keqkuptimi dhe refuzimi kishin të tjera arsye, por gjuha ishte argumenti sipërfaqësor, argumenti i parë dhe i ndjerë më së lehti, i afishuar vetvetishëm, pa pasur nevojë që të kërkohet në brendi. Shqipëria nuk e honepste gjuhën e kosovarëve, e refuzonte, e përqeshte, e urrente atë, thuaja se bëhej fjalë për një gjuhë-përbindësh.

Më anë tjetër, kosovarët, që kishin jetuar me iluzionin se kishin bërë përparime të ndjeshme në përvetësimin e gjuhës letrare, përnjëherësh e panë veten të tallur dhe përçmuar, inferiorë në të gjitha pikëpamjet. Iluzioni i tyre gjuhësor, i kultivuar që nga Kongresi i Drejtshkrimit dhe prapa, u rrënua përfundimisht. Defektet gjuhësore kosovarët mund t’i kishin ndjerë edhe vetë, por në një mënyrë kaq të vrazhdët nuk ua kishte përplasur në fytyrë asnjeri. Iluzioni tjetër, se Shqipëria i kishte ndjekur zhvillimet kulturore në Kosovë, në fushën e letërsisë, të muzikës, të teatrit, të arteve figurative etj., ishte një kotësi edhe më e madhe, sepse Shqipëria londineze mund të ishte sadopak e mëshirshme ndaj diasporës, siç i quante ajo shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj, por në asnjë mënyrë nuk i pranonte ata si të barabartë në terrenin e saj kulturor. Arsyet përse ndodhte kështu, përveç se historike, ishin edhe ideologjike. Mirëpo, gjuha kishte qenë dhe vazhdonte të ishte një kamuflazh i mirë, një argument që funksiononte mrekullisht. Më anë tjetër, për shkak të refuzimit gjuhësor të Tiranës, kosovarët kishin gjetur mënyrë t’i minimizonin, ose t’i anashkalonin, ose t’i heshtnin defektet e tyre reale rreth gjuhës. Ata filluan të akomodoheshin në këto defekte gjuhësore, duke e quajtur gati të pamundur një komunikim të ndërvetshëm tërësisht të barabartë. Disa kosovarë, të lënduar nga arroganca gjuhësore e Tiranës, filluan të futnin në përdorim të folmen e tyre lokale, e cila tashmë nuk ishte as variant i gegërishtes deri-diku i standardizuar në një kohë pak më të largët, por një nëndialekt krejtësisht i pamundur që të përdorej si gjuhë e shkrimit. Të tjerë kosovarë filluan t’i mbanin iso kontestimit të kryehershme të vendosjes së toskërishtes në bazën e gjuhës letrare, me shpjegimin se kosovarët nuk mund të përvetësonin një standard gjuhësor të imponuar dhe të panatyrshëm për të folmen e tyre.

Në të vërtetë, të gjitha mosmarrëveshjet rreth gjuhës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë përmblidhen në një pikë: cili është orientimi identitar i shqiptarëve, a është ai konvergjent apo divergjent, sepse gjuha nuk është dhe nuk mund të jetë e ndarë nga identiteti, nga përbërësit identitarë, sikundër që nuk mund të jetë e ndarë nga historia, nga kultura dhe nga synimet politike të një kombi. Për të gjitha këto kemi folur ose do të flasim ndaras, por me këtë rast nuk mund të mos themi se kosovarishtja si gjuhë është e paqenë, pra inekzistente. Këtë duhet ta sqarojmë një herë e mirë për të gjithë ata që pretendojnë t’i përdorin problemet gjuhësore të kosovarëve për të ndërtuar një identitet të ri. Nuk është parë diku deri sot që identiteti të ndërtohet përmes mungesave ose mangësive. Ai ndërtohet mbi anë pozitive, mbi vlera dhe jo mbi mungesën e tyre. Thënë ndryshe, kosovarët dashkan të përfshihen në një skizmë gjuhësore dhe bëkan gjuhë më vete mbështetur mbi një inat me Shqipërinë, ose për shkak të kompleksit të inferioritetit, ndjesi këto gjithsesi negative; pastaj për t’ia përshtatur gjuhën mosdijes dhe paaftësisë së tyre për të zotëruar standardin; apo që të legjitimojnë paaftësinë e tyre që të mënjanojnë depërtimet sllave në leksik dhe sintaksë; dhe, e fundit, për të përfillur një traditë gjuhësore të dyshimtë, për të mos thënë krejtësisht negative.
Pra, identiteti i ri nuk mund të ndërtohet mbi një gjuhë të paqenë, as mbi një gjuhë të sendërgjuar, siç do të thoshte Konica. Kosovarishtja, që të bëhet krah i identitetit kosovar, duhet të ekzistojë si gjuhë e shkrimit dhe e kulturës, gjuhë e një komunikimi intensiv në përmasa tërësore. A ishte dhe a mund të bëhet ajo e tillë? Në asnjë rrethanë, sepse ajo është e folme nëndialektore, e dekompozuar në një numër variantesh lokale, ku asnjëra nuk ka forcën kulturore dhe komunikuese ta mbisundojë tjetrën. Duke qenë gjuhë lokale dhe nëndialektore, ajo nuk e ka të konsoliduar variantin e saj të shkrimit, madje shkrimi i saj mund të përmblidhet në jo më shumë se dhjetë vëllime mesatare përrallash, gojëdhënash, anekdotash dhe këngësh popullore. Me një fjalë, tradita gjuhësore e Kosovës është e përmbledhur në tërësi në vëllimet e folklorit, që Anton Çetta i kishte bërë dikur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ajo është krejt tradita gjuhësore e mëvetësishme e Kosovës, me shumë barbarizma turke dhe sllave dhe me trajta gramatikore të ndikuara nga këto gjuhë. Madje, kjo e folme nuk paraqitet e integruar as brenda vetë Kosovës, sepse ajo ndryshon nga zona në zonë, që dëshmon se, në të kaluarën, Kosova, as si e tillë, nuk ka funksionuar si një e tërë, gjuhësisht kompakte. Përveç kësaj, një gjuhë e tillë paraqitet tepër e pazhvilluar, sepse flet vetëm për një jetë rurale, në një kohë që jeta urbane e Kosovës pothuajse nuk ka pasur traditë të hershme shqiptare.

Atëherë, pra, cila dilemë mbetet? Le ta pranojmë si të mirëqenë idenë se Kosovës do t’i binte më mirë dhe do t’i shkonte më për shtat vendosja e gegërishtes në bazën e standardit të gjuhës shqipe, sepse një standard i tillë do të korrespondonte me lehtë dhe do të qëndronte më afër me Kosovën dhe me të folmen e saj. Kjo është rrethanë objektive dhe unë e pranoj si të tillë, megjithëse më parë më duhet t’i bëj të njohura disa dilema të mia rreth gegërishtes, nëse ajo do të ishte gjuhë-kornizë, e cila do të mund t’i merrte përsipër të gjitha funksionet e domosdoshme të gjuhës standarde. Këto dilema m’u përforcuan, ndërsa tash së voni, në kontekst të shijimit të gjuhës, kam marrë të rilexoj letërsinë e autorëve gegë, në radhë të parë Mjedën, Fishtën, Koliqin, Camajn dhe Pashkun, si dhe vëllimet e shumta të letërsisë popullore, më së shumti përrallat, poezinë lirike dhe epiko-lirike. Në disa raste këtë poezi e kam krahasuar me poezinë popullore të Shqipërisë së jugut dhe me atë arbëreshe. Në përgjithësi, gjuha e vargnimit epik, njësoj si gjuha tradicionale e komunikimit, është gjuhë me nocione që kufizohen me bëmat e lidhura me trimërinë ose vdekjen, pra një gjuhë hijerëndë, e palakueshme, e vështirë për komunikim të shpejtë dhe racional. Protagonistët e kësaj gjuhe janë tipa të ashpër, të vendosur, kryesisht me jetë sociale rurale. Te arbëreshët jeta sociale është kalorësiake, madje aristokrate. Poezia lirike gege është kryesisht bukolike dhe elegjiake, pavarësisht se cilit lloj i përket. Mjeda dhe Fishta ndoqën këtë logjikë gjuhësore, kur bënë veprat e tyre më të mira. Koliqi, ndërkaq, në krijimtarinë e tij të hershme, u përpoq ta urbanizonte këtë gjuhë, por ajo, për shkak të natyrës së saj bukolike dhe rurale, në tregimet e tij shpesh e nxirrte “në piknik” jashtë Shkodrës, që atje të gjente ambientin e vet më të përshtatshëm. Krijimtaria e tij e mëvonshme, njësoj si ajo e Camajt dhe e Pashkut, mbetet peng i moszhvillimit gjuhësor. Në të vërtetë, sikundër mund të vërehet, letërsia e Camajt dhe e Pashkut ka brenda një shpërputhje të ndjeshme gjuhësore, ose një kundërshti të papajtueshme: asociacione ultramoderne, përimtime dhe analiza të holla psikologjike, të gjitha këto të shprehura me një gegërishte që esencën e saj kuptimore e shpreh vetëm ose kryesisht përmes rrathëve kuptimorë të ambientit epik apo rural. Pashku, madje, në këtë pikë nuk ishte aspak këmbëngulës, sepse tregimet e tij, të shkruara kryesisht në vitet ’60, me rastin e ribotimit në kompletin e veprave lejoi që të ktheheshin në gjuhën e sotme shqipe nga një person që nuk e njihte mirë as gegërishten, as gjuhën e sotme.

Megjithatë, dilemat e mia rreth gegërishtes janë perceptim subjektiv dhe nuk pretendoj të tumiret nga mbështetësit e saj, por pamundësitë e saj për të qenë gjuhë e komunikimit modern sa vijnë e shtohen, edhe për faktin se gegërishtja, duke qenë e përjashtuar nga procesi i standardizimit dhe i zhvillimit, në esencën e saj ka mbetur gjuhë e një tradite tashmë të lënë në harresë dhe të tejkaluar. A i është bërë e padrejtë? Mundet, por ky proces tashmë ka marrë fund dhe nuk mund të kthehet prapa me asnjë çmim, jo vetëm pse është proces që nuk mund të përsëritet, por as nuk ka ku të kthehet. Ku do të kthehej, te cila gjuhë, te cili variant? Te gegërishtja tradicionale, konservative, të cilën nuk e njohin mirë as ata që e adhurojnë? Zhvillimet gjuhësore te shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XX, për shkak të zhvillimeve shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, kanë qenë aq dinamike (të ndodhura kryesisht në kuadër të standardit), saqë do të ishte krejt e pamundur jo më një kthim prapa, por as një ndalje sado e vogël në mes të rrugës.

10 komente në “Prapambetja gjuhësore e Kosovës dhe një kontestim i gegërishtes”

  1. Bekimi says:

    Po kjo “gegërishtja e standardizuar”, nga të jetë vallë?

  2. Bogonica says:

    E lexova me kujdes artikullin e z.Kraja.Me duket nje analize e sakte e asaj qe ka ndodhur ne zhvillimet historike ne te dy anet e kufirit,zhvillime qe jane pasqyruar ne edhe ne nivel te gjuhes.Ai del ne konkluzionin, se mbeshtetja e gjuhes se njesuar shqipe ose sic thuhet rendom gjuha standarde shqipe,nga cdo teritor shqipfoles,eshte kushti i “panegociueshem”,per ecjen pa ndalim te “Trenit te Gjuhes Shqipe” si faktori i pare i identitetit tone shqiptar.”Treni i Gjuhes Shqipe” tashme ka hypur ne shina.Cdo veprim per ta ndalur kete tren,apo me keq akoma per ta nxjerre nga shinat,e pastaj ta vendosim perseri ne shina,ka nje kosto thuajse asgjesuese per arritjet ne palnin kombetar dhee kulturor.

  3. birinxhi says:

    gjuha shqipe standarte eshte aq larg asaj kosovare sa c-eshte serbishtja me sllovenishten.Pastaj kur kemi qene ndonjehere bashke,ne enderr]

  4. Vladimir says:

    Kemi shume nevoje te lexojme studime te tilla, te hapura dhe pa komplekse.
    Shqipja letrare ka huazuar, veçanerisht ne dekadat e fundit, mjafte terma nga gjuhet e huaja (kryesisht italiane dhe angleze). Keto terma jashte kufijve shtetror jane te panjohura dhe te paperdorshme (ata mund te kene patur ne perdorim ekuivalenten serbo-kroatisht ose turqisht). Fenomeni qe ndodh eshte shume interesant, ata gjejne dhe perdorin ekuivalenten shqip, marre drejt per drejt nga burimi. Ky eshte nje pasurim i vertete dhe mirepritur i shqipes i cili, jo vetem duhet pranuar, por edhe nxitur.

  5. Baliu says:

    Qka po mundohet me peshtjelle ky far akardemiku medioker? Gjuha standarde shqipe qe eshte mesuar neper shkolla ne Kosove eshte plotesisht e mjaftueshme qe te meresh vesh edhe me njerzit e Gjirokastres e lere me te Tiranes. Brenda pak periudhave relativisht te shkurta kur komunikimi ndershqiptar eshte reduktuar, nuk ka pase zhvillime aq te hovshme gjihesore ne Tirane sa shqiptaret te mos e kuptojne njeri-tjetrin. Eshte nje fakt i heshtur se gjuhetaret me te njohur kosovar (p.sh. akademiku i nderuar Idriz Ajeti etj.) gjuhen shqipe e kan studiuar ne Beograd fill mbas L2B, dhe mandej ata kan qene profesor te gjeneratave te reja ne Kosove. Ne ket drejtim nuk ka pasur diqka te keqe. Problemet gjuhesore jan paraqitur mbas qthurjes se sistemeve politike ne Shqiperi e Kosove, kur ka fillu nderhyrja e eger miqeve nga te gjitha anet, dhe nevoja per ta fituar buken ne vende te huaja. Mbas luftes se fundit ne Kosove jan bere vazhdimisht perpjekje per ta krijuar “kombin kosovar” duke e braktisur gjuhen standarde shqipe jo per shkak te talljes nga Tirana siq po mundohet te argumentoj ky akardemiku, por per ti shpartalluar tendencat per bashkim kombetar, pra formula e vjeter: Perqaj e sundo. Edhe gjuhetaret me njohurite me te gjera kan veshtirsi per tu shprehur ship, madje duke perdorur edhe krejt arsenalin qe ofrojne dialektet dhe gjuha standarde. Ne persosjen e gjuheve te popujve te zhvilluar kan kontribuar dijetaret e te gjitha fushave, si filozofa, fizikan, matematikan, sociolog, psikolog, artista, e poashtu edhe gjuhetare. Edhe ne persosjen e gjuhes shqipe duhet te punohet keshtu me spekter te gjere njerzish, por gjithmone ne drejtim te standardizimit, e jo te krijimit te “kombeve te reja”. Gjuha eshte prone e te gjithe atyre qe e perdorin ate, e jo vetem e disa gjuhetarve dhe nipave e mbesave te tyre, te cileve po t’ju teket e harnojne ate simbas porosise (per ndonje perfitim nga “miqet” e ndryshem) , ose edhe e shpallin te “vdekur”. Ne Kosove ka pasur dhe ka raste te shpeshta te musuesave dhe profesorve te gjuhes shqipe qe ne familjen e vet flasin gjoja turqisht, per tu dalluar nga shtresa e “ulet” e “katundarve’ dhe per tju vardisur serbeve dhe turqeve.

    1. Edmond says:

      Zoteri – shqipja juaj tingellon si e nje adoleshenti analfabet. Edhe mendiment qe po mundoheni te shprehni nuk jane kuptimplote. Do ti benit nder kombit shqiptar po ta hapnit mendjen objektivisht dhe te pranonit faktin qe shqipja letrare eshte shume me kultivuar dhe efektive per komunikim dhe perparim te gjithanshem. Mos e varrosni shqipen dhe me te dhe shpresat e bashkimit te kombit shqiptar.

  6. Feniks says:

    Ja nje kosovar i urte dhe larg pames!
    Llogjika dhe argumentet e zotit Mehmet Kraja te japin te kuptosh se njerez si ky duhet te udheheqin Kosoven ne te ardhmen!
    Per gjithcka ka shkruar jam i nje mendjeje me ate dhe kosovaret duhet te kuptojne se ne shume fusha te jetes si arsimi,kultura etj kane se cfare te mesojne nga Shqiperia!
    Eshte e vertetre se kosovaret e kane njohur masivisht Europen,por kjo njohje ka qerne thjesht iluzore,per buken e gojes,ndersa shume prej kosovareve kane lene prapa imazhin e kriminelit,hajdutit,trafikantit etj,aq sa do duhen shekuj per ta hequr kete njolle!
    E folura e kosovareve nuk eshte gjuhe,por nje grumbull zhargonesh sikur te ishin ne mesjeten e larget!
    Sido qe te ishte Shqiperia ne udheheqjen e Enver Hoxhes eshte prezantuar ne bote me imazhin e nje shteti dinjitoz,me sportin,kulturen dhe arsimin e nivelit te larte,aq sa pas 90-tes shumica e shqiptareve u integruan ne Europe fale nivelit te larte arsimor,kulturor e profesional!
    Kosovare te dashur!
    Ulni koken,hiqni tangrllikun mesjetar dhe degjoni me shume njerezit e urte si Mehmet Kraja e Rexhep Qosja!
    Zanati i spiunit te UDB-se nuk ju dha asgje vec percarjes mes jush gje qe u solli vetem fatkeqesi!

    1. Diar says:

      Feniks. Problemi me i madhe qe keni ju te shqiperis ne raport me kosoven, eshte egoja qe keni per supermaci per njefare dominimi falso permes gjuhes duke lidhur gjdogje me ate se kush e zotron me mir gjuhen shqipe aje eshte domeni e pimondi i kultures qytetaris dhe civilizimit shqiptare. Kjo nuk peraqet asgje pervece nje iluzione fiktive te atyre qe kan komplekse jetsore dhe si arme te veteme te masterbimit perdorin ket argumente per tu vete kenaqur dhe per te krijuar nje supermaci falco si rrjedhoj e komplekseve qe kan.

      Nejse ti kthehemi pake komentit tende ti zotrotr thua se kosovaret kan ende qfare te mesojn nga shqiperia si ne aspektin ( e arsimit kultures etj(…0) Une do isha shum i lumtur sikur ne!!te mundeshim te mesonim dicka ne qfardo fushe nga shqiperia.

      Por realiteti eshte komplet tjeter ne kosova ne gjdo fushe ama bash ne gjdo fushe jemi para shqiperis, Pervece arsimit ku per shkace politike dhe rrethanave e zhvillimeve ne te calat ka kaluar kosova si okupimi lufta etj. Kemi mbete ne po te njejtin nivel me shqiperin me po te njejtat probleme.

      Per ndryshe kosove ne te gjitha fushat tjera eshte shum para shqiperis pervegje hashashit???? Si kulture , Sport, Biznes Ekonomi, Teknologji kosovaret ne kete sektore me te rendesishmin ne bote jan me dhjetra vite large shqiperis ju para 15 vite keni para per here te par kompyuterin, Arhitektur Inxhinjering , Mjeksi nuk ka vende ne evrope ku nuk ka teknik kosovare te rangut me te larte perfshir edhe universitetet me me ze ne evrope.

      Ju pastaj zoteri thuani se ju emigrantet e shqiperis fale arsimit qenki intgruar shum shpejte ne vendet ku keni emigruar kryesisht ne Itali dhe Greqi ku jeni edhe ne numer me te madhe, une me sa di ju jeni perbuze e nenqmuar ne keto vemde deri ne racizem dhe puna primare qe keni ber eshte Droga dhe Prostitucioni. Ketu nuk dua te zgjatem me shum pasi ju jeni edhe diaspor e re dhe krahasimi me diasporen kosovare dhe juve eshte jo realiste ne jemi pa krahasushem me te integruar ne vendet e evropes se ju ne te gjitha aspektet sot aty ne evrope ku jeton shumica kosovare si Gjermania dhe Zvicrra , kosovaret i gjen ne te gjitha pozitat me te larta ne keto vende edhe ne skandinavi.

      Ju ka mundesi qe jeni integruar vetem ne nje aspkte me mire se kosovaret ne evrope ne kriminalitet dhe ne
      asimilim ju jeni shkombetarizuar dhe asimiluar e tjetersuar per nje vize greke.

      Mir tash ti kthehem pak shkur shkrimit te zotit Kraja.

      Zoti kraja ka plotesisht te drejte dhe ne total te shkrimit pajtohem por jo ne tersi nejse kjo eshte e kaluara dhe ne duhet te shikojm nga e ardhmja ndersa e ardhmja eshte komplet tjeter. Kosovaret kan qen shum mbrapa ne aspktin e zoterimit te gjuhes letrare apo standarte ne krahasim me shqiptaret e shqiperis, Por jo te gjithe kosovaret klasa akademike arsimore e universitare nuk ka qen edhe aqe kece perfshire ketu edhe,,,, Zotin Mehmet Kraja i cili eshte produkte i kesa klase….

      Megjithate ti kthehemi edhe njeher realitetit kosova dhe kosovaret pas viteve te 90.ta kohes se okupimit mbylljes se shkollave dhe mediave ka qaluar shum ne kultivimin e gjuhes sidomos kjo ka qen periudha me e rende kur ne kete kohe eshte hape edhe shqiperia dhe si rezultat ka fute shum fjale te italishtes dhe gjuhbe tjera ne fjalorin dhe gjuhen shqipe ne ket periudhe kur kosovaret ishin komplet ne erresir ka ndodhe edhe ekspandimi i gjuhes shqipe me fjali te huaja, Ndersa kosovaret edhe pse mbi 50 vite kan qen me te lire se shqiptaret e shqiperis me fanatizem e kan ruajte gjuhen shqipe nga invazioni i fjalive dhe gjuheve tjera kosovaret me fanatizem nuk kan pranuar fjali te huaja ne gjuhen shqipe me perjashtim te ndonje fjalie sllave , per shkak te bashkjeteses mbi 50 vjet ne nje shtet te perbashket.

      Por kjo i takon historis menjeher pas lufte nje kosovare me nje shqiptare te shqiperis kan pas shum veshtirsi per tu kuptuar shum kosovare nuk i kuptoni ase mediat e shqiperis perfshire edhe mua, Ne me te vertet kemi qen shum mbrapa ne zotrimin e gjuhes standarte deri ne vitin 2010 ama ketu ndodhe edhe rrevolucioni. Kosovaret sote pas 19 vite te mbarimit te luftes dhe komunikimit me shqiperin dhe mediat e shqiperis munde te them se mbi 80% e kosovarve sote pa kufar problemi komunikojn me shqiptare te te gjitha rajoneve te shqiperis perfshire edhe laberit, Ndersa per mediat te mos flasim kosovaretbsote nuk kan fare problem ti ndjekin mediat enshqiperis biles shumica shofin vetem Tv nga shqiperia ,

      Por ky nuk ka qen vetem problemi jon pasi edhe ju shumica keni perdor dhe perdorni dijalekte lokale si jugu dhe veriu.

      Edhe nje gje per funde kosovaret pas 10 vite do e zotrojn standartin me mire se gjithe shqiptaret tjere ne ballkan,…

      Perndryshe une qe po shkruaj kam ber vetem 4 klas ne gjuhen shqipe tash 25 vite jetoj ne evrope.

  7. Abc says:

    Me kenaqi ky artikull. Me ne fund nje gjykim llogjik i kujdesshem mbi evolucionin dhe dinamiken e gjuhes shqipe, dialektet apo gjuhen zyrtare. Faleminderit zoti Kraja. Per te tille analize kemi nevoje, jo per thirrje histerike apo pseudopatriotike. Fakti qe vjen nga ju nje persiatje e tille e jo nga ata mumjet e istituzioneve akademike, universitare apo zyrtare shqiptare jua rrit me shume vlerat. Ju uroj shendet e suksese!

  8. vera e nxehte says:

    Gjuha percakton ne fund edhe kombin. Ne qoftese shqiptaret e duan dhe zbatojne gjuhen standarte ne shkrim, lexim, dokumenta ect, ateheredo te ruhet dhe kombi, por me ben pershtypje jo fjalet qe perdoren sipas dialektit, por germa e gjuhes shqipe qe nuk perfaqesojne fjale shqip ne Kosove; “ç’ka”-qka, çiftelia-qiftelia…perdorimi i “q”-se ne vend te “ç”-se eshte fare i pavend. Une s’jam gjuhetar, kuptohet, por me kane vrare veshin shqiptar shume gjera te tilla. A mund te rregullohen keto? Dhe ne fund e theme: si te duan, liri nuk ka vetem Saliu, por te gjithe; e kemi ne xhep lirine dhe kur te duam e nxjerrim, kur te duam e fusim brenda.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje