A e pret edhe PS-në bjerrja e PD-së, nëse s’demokratizohet!

8 Gusht 2017, 09:35Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Ka një eufori në Partinë Socialiste, në këto ditë gushti, që shtohet me besimin e militantëve të saj se do të ketë një qeverisje të lehtë të formacionit të Majtë në këtë legjislaturë. Kanë marrë 74 mandate, kurse kryetari i Partisë së tyre është në zenitin e vet të kënaqësisë, teksa bën eksperimente populiste të ndryshme, para të cilave fashion i tij është fare i padukshëm.

Problemi është më i gjerë dhe ka lidhje me të ardhmen e demokracisë shqiptare. Që do të thotë se: sa më pak demokraci të brendshme në partitë kryesore shqiptare, aq më pak demokraci të vërtetë ka për vendin. Partia Demokratike ka nisur rrugën e pakthim të bjerrjes, pikërisht sepse i ka ikur misionit të saj, ndërsa nuk përfaqëson më fashat shoqërore që e mbështetën në krijimin e identitetit të saj. Për të mos thënë se i është shuar fryma që e mbajti gjallë në këtë çerek shekulli dhe falë të cilës po mbijeton edhe sot e kësaj dite. Kësaj rruge, megjithëse është e shpejtë t’i parashikohet e ardhmja, me shumë gjasa e pret edhe Partinë Socialiste, në fund të mandatit 2017-2021. Krahasimi vjen me ngjashmëritë.

Ky trend bjerrje ka ardhur nga devijimi ideologjik i partive, përcjellë nga politikat personale të krerëve, por edhe bërthama e fortë e militantëve pa ideal, që përdoren për të ruajtur këtë statusquo. Në një studim të Institutit të Studimeve Politike tregon sesa pa sens janë sot votimet e formacioneve të mëdha dhe për këtë tregohet trendi i fitores së Ramës, kur më 2009 mori mbi 93% të votave në parti, kohë kur humbi zgjedhjet parlamentare dhe 94% të votave kur i fitoi zgjedhjet parlamentare! Paradoksi më i madh i këtij konstatimi shihet te PD, kur kryetari i saj Basha mori mbi 91% të votave të militantëve vetëm një muaj pasi kishte arritur nivelin më të ulët historik të PD, 28% të votave kombëtare!

Përmbledhtas, zgjedhjet për kryetar në PD në vitet 2013 dhe 2017 kanë treguar se demokracia e brendshme në këtë parti jo vetëm nuk ekziston por më keq akoma është e shpërfytyruar, ku protagonizmi i Lulzim Bashës megjithë luftën që iu bë dhe nga senatorët e partisë, nuk pati asnjë lëkundje! Në këtë sens, konform një politike të brendshme jo-demokratike të dy partive për zgjedhje fiktive, mungesa e regjistrave të saktë të anëtarësisë, fiktiviteti i pjesëmarrjes dhe loja e shpifur e menaxhimit të zgjedhjeve, e bën gati nul jo thjesht demokracinë e tyre. Kjo u pa në zgjedhjet e brendshme të PS-së dhe vështirësinë e madhe për të organizuar zgjedhjet e vitit 2016, ku kryetari Rama, falë kultit të individit, grupit të militantëve, strukturat e brendshme po aq fiktive, faktit se PS-ja mezi i organizoi zgjedhjet, Rama fitoi pa asnjë rival të besueshëm. Nëse do të bazohemi në shkaqet sesi përfundoi PD-sa, por duke parë dhe ngjashmëritë me PS-në, jo shumë larg, pas një mandati mbase shkërmoqja do jetë njësoj e madhe edhe te ky formacion.

Në një farë mënyre standardet e zgjedhjeve brenda partive politike janë thjesht për sy e faqe dhe të pavendosura, madje shumë më tepër se zgjedhjet parlamentare e lokale në Shqipëri, i referohemi ISP. Partisë Demokratike i duhet të krijojë një frymë dhe të sjellë një vizion, që nuk mund të bëhet me këto struktura, aqsa ky trend parashikon ulje tjetër në zgjedhjet lokale.

Po më shumë akoma sjellja jodemokratike e PD-së ka ulur aderimin e anëtarëve dhe përçarjen e anëtarësisë klasike ndaj të Djathtës. Nëse këtë projeksion do ta shtronim edhe për partinë tjetër të Majtë, që funksionin njësoj, atëherë e gjithë kjo panoramë parashikon një të ardhme jo të mirë në fund të këtij mandati për PS-në, ku zgjedhjet reale për kryetarin e saj, janë gati të pamundura, aqsa edhe të pamundura janë edhe zgjedhjet në strukturat e tjera të partisë.

Tek e fundit, Partia Socialiste, ashtu si PD-ja dikur e Berishës, është e personalizuar vetëm me emrin e Ramës. Një fakt, që PD-së i solli rënien e pashmangshme dhe tashmë i duhet forcë për të mbledhur një parti historike të demokracisë e cila është drejt bjerrjes së pandalur. Anipse PS-ja e ka një shans që të përfitojë dhe ta ndihë po ta shikojë realisht demokracinë e brendshme reale dhe të krijojë e votojë struktura jo fiktive, në vend të pathosit me të cilën po menaxhon tanimë kohën paszgjedhore. (Javanews)

3 komente në “A e pret edhe PS-në bjerrja e PD-së, nëse s’demokratizohet!”

  1. visari says:

    V etkenaqesia dhe euforia eshte shume e demshme ,ndaj PS duhet te jete realiste e te ngrej ne piedestal vlerat e verteta. Ne keto zgjedhje PS vertet fitoi 74 mandate, por ama disa vota nuk qene te pastra te PS.Ne disa qendra te deleguarit perzien kashten me kokrrat, sipas moto, “mjafton te na jape voten e ky eshte yni” Po nuk eshte keshtru. Nese nje pedeist apo leseisht ta dha voten, e beri kete jo per ideal por per interes per te mbajtur vendin e punes ose per ta marre ate padrejtesisht.Do jap nje shembull per nje qender votimi. Disa Pedeiste vertet votuan per PS, por ama bene qe te abstenojne shume te PS, dhe kjo arriti fitoren 51%.Po te mos kishte pranuar llumrat e PD, pjesemarrja ne votime do te ishte me e madhe, dhe rezultati ,pa votat e pista te pedeisteve,vetem me socialistet e ndershem do te ishte 58%. Prandaj me shume duhet degjuar zeri i socialisteve te ndershem, me shume mdemokraci e brendsheme ne parti,duke e konsideruar voten ne radhe te pare bindje e ideal jo per interesa punesimi e shumice klanore. Duke u mbeshtetut tek socialistet e vertete PS nuk do te kete bjerrje kurre.

  2. servet says:

    Ke bere tamam nje analize si rilindas sepse per partine e rilindjes ke thene vetem 5 fjale,pavaresisht tekstit,dhe pjesen tjeter je mare me opoziten dmth PD-en.Je me te vertete nje analist ramist.

  3. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    PS nuk duhet te kthehet ne prone private te nje grupi “veteranesh” partie,te cilet po trashegojne postet per niperit dhe mbesat,ne tatime,dogana,drejtore etj !
    Spastrimi duhet te filloj me largimin e te gjithe drejtorve,me testa PS,kete gje nuk e realizoi as E.Hoxha !
    Te paret qe duhet te largohen,nga postet drejtuese,duhet te jene ata qe nuk e kane ndare karigen nga bytha qe me 1991.
    Reformat brenda PS jane garanci per pastertine e saj,nga korupsioni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje