Profili në revistën Mapo: Meta para se të bëhej president

7 Gusht 2017, 12:01Blog TEMA

Cili ishte studenti i shkëlqyer i ekonomikut që në vitin 1991 nisi rrugëtimin politik duke u angazhuar me FRESSH. Po më tej si evoluuan ambiciet e djaloshit eurosocialist deri në sfidimin e hapur ndaj lidershipit të PS-së së kohës në mesin e viteve ‘90. Meta kryeministër, pastaj LSI dhe betejat e pafundme për të zënë vendin e pashmangshëm në jetën politike. Presidenti Ilir Meta, rrëfyer prej katër miqve të tij të kohëve të shkuara: Ilir Zela, Haki Morina, Luan Hajdaraga dhe Koço Danaj.

Nga Luljeta Progni*Revista Mapo

Mijëra imazhe fiksohen nga aparatet fotografike në pak sekonda, kur Ilir Meta vendos dorën mbi Kushtetutë. Asnjë shprehje gëzimi nuk e gjen në fytyrën e presidentit të ri. Përballë tij qëndrojnë të gjithë, ish-aleatë të majtë e të djathtë, duke u bërë dëshmitarë të realizimit më në fund të “ëndrrës” së tij të kahershme për qëndrim mbi palët. Ashtu, pa ndonjë entuziazëm, ai largohet nga salla e kuvendit për t’u drejtuar te presidenca, ku e pret një ceremoni e posaçme.

Kjo do të duhej të ishte dita më e veçantë e jetës së tij politike. Posti i presidentit është kulmi i karrierës së një politikani, por ndoshta ky post i erdhi shumë më shpejt se ç’e priste. E kishte pranuar gati i detyruar në një kohë krize. Më 24 korrik nuk pati asnjë zgjidhje tjetër veçse të ngjitej me përtesë e pa asnjë dëshirë në tapetin kuq, që Erion Veliaj kishte shtruar me aq përkujdesje për të.

Ilir Meta po braktiste në një farë mënyre, gjithçka kishte arritur e ëndërronte të arrinte në politikë. I detyruar të ngujohet në “kullën” pak metra më tej kryeministrisë, ai s’mund të jetë si më parë e s’mund të flasë si më parë, sepse presidenti duhet të qëndrojë mbi palët.

Dhe një nga palët, është vetë bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk u shfaq në fotografinë zyrtare të familjes presidenciale. U duk si një “braktisje në altar”, si për të na thënë se ajo karrige presidenti nuk ishte finalja e asaj për të cilën të dy kishin luftuar 25 vjet.

Monika e la bosh vendin e saj si gruaja e parë, për të plotësuar vendin bosh që kishte lënë Ilir Meta në krye të LSI. Kanë kaluar një periudhë të gjatë betejash të ashpra, jo më shumë si bashkëshortë por si bashkëluftëtarë. Gjen pak raste kur Monika Kryemadhi flet si bashkëshorte e Ilir Metës, madje nuk e ka për dëshirë të “ulet” në atë pozicion, sepse më natyrshëm e në pozicion mjaft komod, shfaqet si bashkëpunëtore e tij në LSI, ose edhe më herët në FRESSH e PS. Janë 25 vjet beteja në një skenë ku luhen lojëra të forta, e padyshim që Ilir Meta është i mbijetuari i shumë kurtheve për “Kurban”.

Nuk është fjala për “Kurbanin” e Edi Ramës, por për frikën e Monika Kryemadhit se Ilir Meta do të sakrifikohej nga socialistët qysh fillimet e pluralizmit, çka natyrshëm përkon edhe me fillimet e Ilir Metës në politikë.

Ka pak kujtime të Monika Kryemadhit që tregojnë fillimet e njohjes me Ilir Metën, por nuk mungojnë kujtimet e ditëve të para në politikë me të.

Ishte viti 1992, kur mazhoranca demokrate në parlamentin e asaj kohe vendosi t’i heqë imunitetin Ilir Metës, deputet i PS-së në legjislaturën e dytë. Partia Demokratike kishte fituar mazhorancën absolute dhe kishte nisur “represionin antikomunist” ndaj socialistëve.

“Na u duk, se po e shisnin Ilir Metën në atë kohë. Menduam se siç shesin atë, do na shesin edhe ne. Pra ne menduam, se kur Meta që kishte atë background të rëndësishëm politik, ishte edhe deputet, mund të lihej kaq kollaj në baltë, çfarë ishim ne për PS?”, thotë Monika Kryemadhi në një intervistë, ku flet për fillimet e saj politike në FRESSH.

Ilir Meta ishte në atë kohë vetëm 23 vjeç, deputet i PS-së për Skraparin, një qytet ku ato ditë, ishte përqendruar retorika antikomuniste e demokratëve. Por pse duhet të ishte pikërisht Ilir Meta shënjestra e demokratëve, një djalë i ri, student dhjetori me retorikë gjithashtu antikomuniste si të ngjashmit studentë dhjetori, por rivalë të tij në PD? Karriera e Ilir Metës niste atje ku edhe e kishte origjinën PD-ja, në lëvizjen studentore dhe ndoshta pati një farë hakmarrjeje pse ai zgjodhi t’i bashkohet ish-PPSH-së e jo dhjetoristëve. Gjithsesi e shënjestruan qysh në fillim dhe i hoqën imunitetin, edhe pse nuk ndodhi ndonjë hata e madhe, sepse qëndroi në parlament pa imunitet dhe vazhdoi normalisht betejën e tij politike. Përkundrazi me debatet e gjata për heqjen e imunitetit, i sulmuar vazhdimisht nga demokratët, përditë në qendër të vëmendjes, Ilir Meta u ngjit shpejt një shkallë më lart se të rinjtë e tjerë të FRESSH në Parlament. Ndoshta ai vendim i Berishës për t’i hequr imunitetin, përcaktoi të ardhmen e protagonizmit të tij në politikën e 25 viteve në vazhdim.

3 komente në “Profili në revistën Mapo: Meta para se të bëhej president”

  1. @ says:

    Sado qe “mediat e kazanit” te lodhen per ta retushuar portretin e Metes President, ai mbetet nje hajdut i kapur me bllok ne dore dhe si i tille, ne nje shtet normal duhet te ishte ne burg. Kemi pare e degjuar ne bote qe burra shteti vertete te respektuar, qe kane ngjitur shkallet e karieres me mund e meritokraci, me kontribute madhore per popullin dhe vendin e tyre, kur kane cenuar ligjin dhe etiken e shtetit kane perfunduar te dorehequr, te penalizuar dhe perbuzur nga bashkekombasit e tyre. Ndersa Meta, nje student i zakonshem, qe nuk i ka thene askush “puna e mbare”, na behet deputet, kryetar i FRESH-it, etj. dhe merita e vetme qe ka eshte se di te vjedhe me mire dhe me shume se te tjeret popullin e vet. Por, kjo eshte Shqiperia qe nderon e respekton hajdutet e kriminelet, mjaft qe te kene grumbulluar sa me shume pasuri dhe sidomos pushtet.

  2. Skrapalliu says:

    nga socialist i betuar dhe nje i ri i paster eshte katandisur ne nje skifter floriri e leku dhe dallaverxhi i klasit te pare.

  3. Blerim says:

    Blerim
    Ne fillin te vitit 1991 me kishin thene se Ilir Meta kish qene nje student qe kalonte me zor vetem me 5-sa. Kjo ishte poltika e denigrimit te figurave politike per arsye poltike,veprim qe vazhdon sot e kesaj dite ne menyre shtazarake majtas e djathtas.
    Koha vertetoi se Ilir Meta kish qene student i shkelqyer duke arrotur me sukseset e tij poltike deri ne postin e Presidentit te Republikes.
    Sot LSI -ja e krijuar me shume mund e sgjuarsi nga z.Meta,eshte kthyer ne nje force reale politike e spektrit te majte.
    Kurre nuk kam qene dakort me bashkepunimin e PD-se te Berishes ne vitet 2009-2013 me LSI-ne e z. Meta meqenese ishin dy parti te spektreve te kunderta,dhe se ky bashkepunim ishte me shume ne dobi te LSI -se se sa te PD -se,qofte ne dorezimin nga PD te nje pjese te madhe te pushtetit LSI-se,duke zevrndesuar demokratet me LSI-ste,qofte edhe per faktin se shume PD-iste per te ruajtur pozicionet dhe privilegjet e tyre pushtetore,kaluan perfundimisht ne antare te LSI-se.Keto,dhe shkaqe te tjera bene qe PD-ja te dobesohej duke humbur kredibilitetin si force e djathte.Kjo plage nuk sherohet me,dhe PD e vetme nuk mundet te mare me pushtet.Kete e rivertetuan edhe zgjedhjet e fundit.
    Per te ardhur ne pushtet,PD duhet te lidhet me LSI -ne qe te beje opozite te forte ne parlament,por edhe duke afruar demokratet e zemeruar me te,duke ulur gjakrat e atyre qe i dolen kunder Z.Basha,si dhe duke afruar partite e vogla majtas e djathtas kunder PS-se.
    Bashkimi ben fuqine,vetem keshtu kjo opozite mund te vije ne pushtet,por edhe me nje kusht :- TE RREGULLOHET URGJENTISHT KODI ZGJEDHOR i cili eshte teresisht i padrejte.Keto zgjedhje lane jashte parlamentit, padrejtesisht prej kodit, zoterinjte Shpetim Idrizi dhe Ben Blushi,e Agron Duka.
    E di qe sa me pak parti ne pushtet,aq me kollaj qeveriset,por edhe aq me shume i hapet rruga korrupsionit. Sa me shume parti ne pushtet aq me shume veshtiresohet qeverisja,por aq me pak i jepet mundesia pushtetareve te korruptohen. Me kete rast i bej thirrje PD-se te bashkohet me LSI-ne dhe forcat e tjera politike qe duan te bejne opozite,nese duan te marin pushtet,sepse per spektret politike nuk po pyet me njeri.Si e majta dhe e djathta i kane programet njelloj,ndryshimi duhet te vije neprmjet mire-qe erisjes,ristrukturimit te administrates sipas merites dhe jo perkatesise politike , e sidomos luftes reale kunder korrupsionit e vendosjes se nje drejtesie te pavarur politikisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje