Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, pasi rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pretendojnë se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë vijuar sulmet ndaj objektivave ushtarake iraniane.
Sipas deklaratës së zëdhënësit ushtarak të Houthive, Yahya Saree, grupi ka goditur cisternat Encelia dhe Layla me dronë dhe raketa, duke i akuzuar ato për shkeljen e asaj që e cilësojnë si “embargo detare” ndaj Arabisë Saudite. Ai tha se operacionet detare do të vazhdojnë.
Agjencia shtetërore saudite e lajmeve raportoi se anija Encelia u godit gjatë lundrimit në Detin e Kuq, duke shkaktuar një zjarr në pjesën e përparme të cisternës. Autoritetet theksuan se i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë dhe nuk janë raportuar viktima.
Edhe Operacioni Britanik i Tregtisë Detare (UKMTO) njoftoi se një “predhë e panjohur” goditi një cisternë saudite rreth 130 kilometra larg qytetit Al Shuqaiq në Arabinë Saudite, duke shkaktuar zjarr, por pa pasoja për ekuipazhin.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se, me urdhër të presidentit Donald Trump, ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane. Sipas ushtrisë amerikane, objektivat përfshinin baza detare, depo raketash dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare dhe kapacitete të mbrojtjes ajrore, me qëllim dobësimin e aftësisë së Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në rajon.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se ngushtica strategjike e Hormuzit është “plotësisht e mbyllur” pas një shpërthimi në kanalin detar.
Lini një Përgjigje