Gjoka: Skënderbeu ka shanse; Partizani, më cilësori në merkato, Kukësi…

12 Gusht 2017, 18:52Sport TEMA

Ernest Gjoka ëshë i bindur se Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar Dinamon e Zagrebit në fazën “play-off” të Ligës së Europës.

“Është një ndeshje e vështirë për Skënderbeun. Por, në futboll gjithmonë duhet të kesh besim deri në fund”, – tha Vipsport.al. ish-trajneri që i dha Kukësin titullin e parë kampion në historinë e klubit verior.

Skënderbeu ia doli të eliminojë tre skuadrat e radhës: Sant Julian (Andorra), Kairat (Kazakistan) dhe Mllada Boleslav (Çeki), por sfida me gjigantët kroatë të Dinamos së Zagrebit është e një tjetër përmase.

“Mendoj që, Dinamo është një skuadër me shumë cilësi. Luan një futboll të fortë fizik dhe të shpejtë. Gjithsesi, unë kam besim te Skënderbeu. Do ta përgatisin shumë mirë ndeshjen dhe uroj që t’ia dalin”, – shtoi Gjoka, që me Kukësin e tij u eliminua kokëlartë qysh në turin e parë të Ligës së Europës nga Sherif Tiraspol i Moldavisë.

Dinamo e Zagrebit ka një buxhet disa herë më të madh se 7-herë kampionët e Shqipërisë dhe me një traditë të madhe ndërkombëtare: 288 ndeshje në Europë, kundrejt 30 sfidave të Skënderbeut.

“Kam shumë dëshirë që, Skënderbeu ta përsërisë atë që bëri para dy vjetësh, kur arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Do të ishte një gjë shumë pozitive jo vetëm për Skënderbeun, por dhe të gjithë futbollin shqiptar”, – tha Gjoka.

Edhe pse fitoi me Kukësin, kampionatin (2016-2017) dhe Superkupën e edicionit 2015-2016, ai ende nuk ka një skuadër.

“Jam ende në pritje. Nuk dua të komentoj më shumë”, – tha Gjoka, i cili në trofetë e tij si trajner ka edhe Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin në edicionin 20013-20014, në një finale të fituar pikërisht ndaj Kukësit.

MERKATO DHE RIVALITET NË KAMPIONAT

Ish-trajneri Kukësit po e ndjek me vëmendje merkaton verore të Kategorisë Superiore.

“Merkato ka qenë e fortë. Konstatoj me kënaqësi, që kanë lëvizur të gjitha ekipet, në veçanti Partizani. Por, dhe Kukësi është duke bërë blerje pas largimit të disa futbollistëve. Flamurtari gati ka rinovuar të gjithë ekipin. Tek Teuta po shikoj tjetër organizim sivjet dhe me pretendime. Kamza po më befason me afrimet që ka bërë. Ka marrë lojtarë shumë cilësorë”.

Gjoka beson se, kampionati i ardhshëm do të jetë më i fortë.

“Kanë ardhur lojtarë cilësorë dhe kjo më bën që sivjet do të kemi një luftë shumë të fortë sportive, jo vetëm për kreun, por dhe për fundin e tabelës. E rëndësishme është kemi do të kemi një kampionat gjithmonë në rritje dhe merkatoja e zhvilluar deri tani është një garanci”, – tha Gjoka, i cili në karrierën e tij ka drejtuar edhe Apoloninë, Tomorin dhe Kamzën.

GJYQI I FITUAR, PRET PARATE NGA FLAMURTARI

Ernest Gjoka dhe Flamurtari kanë një çështje financiare të hapur midis tyre.

“Unë kam fituar gjyqin dhe tani pres që, tani çdo gjë të shkojë në vend të vet. Besoj që, shumë shpejt kjo çështje që më ka sjellë shumë stres të mbarojë. Kam shumë besim tek institucioni i Federatës për zgjidhjen përfundimtare”, përfundoi Gjoka prononcimin e tij ekskluziv për Vipsport.al.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje