Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit takohen në Durrës, i pranishëm edhe komisioneri Hahn

26 Gusht 2017, 09:07Politika TEMA

Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit takohen sot në Durrës, ndërsa i pranishëm do të jetë edhe Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Në takimin informal, do të jenë të pranishëm përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe ai i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ai i Malit të Zi Dushko Markoviq, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq.

Gjithashtu e pranishme do të jetë edhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Takimi është parashikuar të nisë rreth orës 9:00, për të vijuar më pas me një konferencë të përbashkët për shtyp, rreth mesditës, ku pritet të dalin kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Johannes Hahn.

“Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit”,thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje