Nëntoka shqiptare e parë nga një inxhinier shpimi, sa të pasur jemi?

29 Gusht 2017, 10:12Sociale TEMA

Jeta e një shpuesi pusesh nafte. Si punohej në industrinë e naftës përpara viteve ’90.  Të gërmosh metër për metër tokën drejt thellësive të panjohura për të arritur objektivat  e ngarkuara, për të nxjerrë nga thellësitë e nëntokës, atë që fshihej në shekuj, naftën, gazin kondensat apo gazin e pastër. Rrëfimi i Vlashi Filit,  inxhinieri 76-vjeçar që jeton në Filadelfia

 Entela Resuli – DITA

Në vendin tonë ka shumë njerëz të cilët para viteve ’90 kanë ushtruar një profesion që e kanë dashur shumë. Kanë punuar dhe kanë dhënë për të vitet më të bukura të jetës, rininë.  Të kesh punuar për 30 apo 40 vite në një sektor të caktuar, në një vend si Shqipëria, e izoluar,  me kërkesa dhe ambicie për t’u bërë superfuqi, duhet të kesh qenë shumë i duruar dhe pasionant në atë që bën.

Ka nga ata që kanë zbuluar për herë të parë vendburime nafte në vendin tonë dhe zemra e tyre ka gufuar së bashku me shpërthimin e arit të zi. Një prej tyre, është edhe Vlashi Fili. Inxhinieri i njohur, që 30 vite të jetës ia kushtoi nëntokës shqiptare sot jeton në Filadelfia, SHBA. Ka mall për vendlindjen, aq më tepër që ka prekur çdo cep të Shqipërisë. I njeh mirë damarët ku qarkullon naftë në 28 mijë kilometrat katrorë të vendit tonë.

Kurioziteti për këtë lëng të çmuar, por edhe për të mësuar më shumë rreth jetës së një profesionisti gjatë sistemit, përpara viteve ’90 na çoi te Fili në Filadelfia, ku është vendosur së bashku me familjen e tij qysh nga viti 2000. Në këtë intervistë për DITA-n, inxhinieri kujton fillimet e tij dhe na rrëfen disa detaje interesante për naftën që gjendet në nëntokën tonë

-Z. Fili, cilat janë fillesat e tuaja në naftë dhe pse iu futët kësaj pune?    
– Fillesat e mia në naftë kanë qenë direkt nga viti 1956 kur unë nisa studimet në shkollën e mesme të naftës që ishte hapur para disa vitesh në qytetin tim të lindjes, por edhe indirekt. Unë jam lindur dhe rritur në qytetin naftëtar të Kuçovës dhe me sa duket edhe këtu duhen gjetur fillesat e mia si naftëtar i mëvonshëm apo saktësisht si specialist i shpimit të puseve të naftës e gazit.
– Përse iu fute kësaj pune?

– Që të jem i sinqertë duhet të them se fillimisht isha i detyruar dhe ishte detyrimi i parë në jetën time. Mua më pëlqente të shkruaja. Gazeta e murit e klasës time në 7-vjeçare, pasurohej shpesh me shkrimet e mia. Për kuriozitet mund të them se shkrimi i parë në këtë gazetë ishte për një top futbolli që unë bleva, jo pa probleme financiare të familjes time. Ishte një shkrim pak më shumë se gjysmë faqe, pra jo i gjatë, por që tërhoqi vëmendjen e mësuesit tim kujdestar, shokëve dhe shoqeve të klasës time, por edhe të klasave të tjera që vinin e lexonin me kërshëri. Pra dëshira ime fillestare ishte që të merrja këtë rrugë. Me mbarimin e klasës së shtatë, më doli e drejta e bursës për në Teknikumin e Naftës, por atje nuk kisha dëshirë të shkoja. Kështu që ndenja një vit pa shkollë. Kur edhe vitin tjetër drejtuesit e qytetit këmbëngulën që unë duhet të vazhdoja Teknikumin e Naftës, “u dorëzova” dhe fillova atë shkollë. Kjo nuk do të thotë se në vazhdim unë nuk e desha specialitetin që mora. Atë e “dashurova”, i fala jetën time, punën, mundin, djersën, dijet e mia që mora më vonë dhe gjithçka kisha.

-Ishte shkolla një vend ku merrje njohuri mjaftueshëm për atë çka të priste më vonë, apo praktika ishte tjetër shkollë…?!

– Njohuritë, e para të këtij specialiteti i mora në Teknikumin e Naftës e më vonë në Degën e Naftës të Fakultetit Gjeologji–Miniera në Universitetin e Tiranës, nga pedagogë shumë të përgatitur në shkollat jashtë Shqipërisë si në Francë, ish Bashkimin Sovjetik, Rumani apo Çekosllovaki.   Këtu dua të theksoj se tjetër është shkolla dhe tjetër është praktika. Kjo e dyta është një shkollë e madhe, ku çdo specialist mund të mësojë shumë më tepër. Shkolla të mëson kriteret bazë, si duhet të veprosh në jetë, si t’i kapësh problemet e specialitetit më shpejt e t’u japësh rrugë atyre në mënyrë shkencore, por hollësitë t’i mëson praktika, vështirësitë dhe problemet që takon atje. Sado që shkolla të mëson se si duhet t’i zgjidhësh problemet që takohen në jetë, është e pamundur që të japë hollësi të plota për praktikën e jetës të specialitetit që ti zgjedh. Kështu më ndodhi edhe mua. Në shkollë mësova gjithçka që më dha ajo, por kur dola në jetë, praktika më mësoi shumë të tjera të cilat plotësuan kuadrin tim si specialist në fushën e shpimeve të puseve të naftës dhe gazit. Unë u përpoqa që ato që kisha mësuar në shkollë t’ia transmetoja edhe brigadave ku punova, por ndërkohë mora prej tyre ato që më mungonin e nuk i kisha bërë në shkollë. Këtu mund të përmend, pa u zgjatur, vetëm një shembull. Punova për disa vjet me të ndjerin Idriz Bregu, që ishte përgjegjës i brigadës ku bëra pjesë edhe unë. Ai respektonte shumë mendimin tim si specialist, por ndërkohë unë mësova më shumë nga ai se sa unë i dhashë atij.

-Përse shteti komunist i asaj kohe e pati parësor zhvillimin e industrisë së naftës?
– Në fillim dua të theksoj diçka. Nafta është aq e fuqishme sa që mund të rrëzojë apo të ngrejë qeveri, mund të ngrejë ekonominë e një vendi nga të dobët ta bëjë të fuqishme. Shikoni vendet arabe çfarë bumi po bëjnë në ekonominë e tyre dhe kjo falë naftës që ata kanë. Është kjo arsyeja, që edhe qeveria komuniste e asaj kohe që lamë, i dha përparësi zhvillimit të industrisë së naftës. Prodhimi i naftës nga viti në vit erdhi duke u rritur dhe paralel rritjes së këtij prodhimi, kuptohet edhe degët e tjera të kësaj industrie. Me prodhimin e naftës prej 2,4 milion tonë në vitin 1974, vendi ynë arriti të jetë i treti në Europë, mbas Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë që eksportonte naftën e prodhuar. Sigurisht me këtë zhvillim të industrisë së naftës, ndodhën edhe poshtërsitë e kohës, pikërisht nga kjo qeveri. Arrestoheshin, torturoheshin për të pranuar ato që nuk i kishin bërë, u bëheshin gjyqe gjoja shembullore, dënoheshin dhe deri ekzekutoheshin specialistë shumë të mirë, me akuza që nuk qëndronin, të cilat jo vetëm që merrnin në qafë specialistët e naftës që kishin zbuluar vendburime të tëra, por fusnin një frikë prej “gogoli” tek të gjithë të tjerët që vazhdonin punën në këtë industri. Përse? Sepse koka udhëheqëse kërkonte gjilpërën në kashtë.

-Koha ka qenë ndryshe, stili i jetës po ashtu, si ishte dita e një naftëtari në vitet ’70?

– Në kornizën e përgjithshme, një ditë e zakonshme për një naftëtar ishte si edhe e atyre të degëve të tjera të ekonomisë së vendit, sepse një naftëtar nuk është super-njeri, por njeri si të tjerët. Në veçanti, një ditë e një naftëtari, sidomos e një shpuesi të puseve të naftës e gazit, ku kam bërë pjesë edhe unë, ndryshonte paksa në hapësirë e në kohë. Kjo për vetë faktin se lëviznin shumë e punën e kanë patur herë pranë familjes e herë larg tyre, herë pranë ndërmarrjes ku punonin e herë larg saj, fakte këto që ndryshonin një ditë të zakonshme të një shpuesi.
Kështu kur një specialist shpimi punonte në aparatin e ndërmarrjes, shkonte në mëngjes në punë, merrej me përfundimin e detyrave që mund t’i kishte lënë pa përfunduar një ditë më parë, si dhe me problemet e reja të asaj dite, përfundonte 8-orarshin e pastaj kthehej në shtëpi. Pjesën tjetër të kohës e kishte të lirë. Kurse një i tillë në brigadën e shpimit, do të merrej gjithë ditën me ndjekjen e punimeve të shpimit të pusit, zgjidhjen e problemeve që dilnin gjatë kësaj kohe, marrjen e vendimeve për mënyrën dhe kohën e kryerjes së proceseve të ndryshme dhe nuk ka patur kohë të lirë. Ai nuk kishte orar pune të caktuar. Edhe pasdite ai duhej të ishte në krye të detyrës. Mandej edhe gjumin e bënte si puna e lepurit. Hapat më të lehta që mund të ndjente nga ecja e një punëtori, në territor, jashtë barakave të fjetjes, jo vetëm që e zgjonin nga gjumi, por e detyronin t’i rrihte zemra me mendimin se ato hapa po drejtohen aty ku fle ai, për një shqetësim që mund të ketë ndodhur në pus dhe që kërkon ndihmën e tij. Për një specialist shpimi, kishte procese pune si, përpunimi apo transformimi i tipit të lëngut larës, kalimi i vështirësive që takohen gjatë shpimit, zbatimi i një teknologjie të re në pusin që shpohet, mënjanimi i një avarie që ka ndodhur dhe rrezikon pusin, procesi i uljes së kolonave të rrethimit, së bashku me çimentimin e asaj kolone, etj. etj. Koha e punës për këtë specialist nuk ka qenë 8 orë, por 16, apo 24 orë dhe ndoshta edhe më tepër. Në këto procese nuk merrej parasysh se do i duhej të punonte në vapën e verës apo acarin e dimrit, nën dritën e diellit apo të prozhektorëve që ka sonda, në drejtim të procesit apo edhe si punëtor së bashku me anëtarët e tjerë të brigadës. E për më tepër në rastet më të këqija, për faj të dikujt tjetër që mund të shkaktonte avari të rënda në pus, të dënohej edhe ai si specialist, megjithëse mund të mos kishte asnjë faj sado të vogël. Këto që sapo thashë, për ata që nuk e njohin natyrën e punës së një specialisti shpimi, mund të jenë të pabesueshme, por që në vendin tonë kanë qenë fakt.

-Ju keni eksperiencë në të gjithë vendin, cila është zona që ka më shumë naftë?
– Natyra e punës në shpimin e puseve të naftës e gazit më ka bërë që të fitoj përvojë. Sa më shumë u përballa me vështirësitë e shpimit të puseve të ndryshëm, aq më shumë lodhje dhe shqetësime më sollën ato, por aq më shumë përvojë fitova në jetë. Së bashku me brigadat e shpimit shpuam puse nga veriu në skajin më jugor të Shqipërisë në kushte shumë të ndryshme nga njëra zonë në tjetrën, nga depozitimet terigjene në ato karbonatike, nga thellësitë e vogla në ato më të mëdha, sa në zona kërkimi që jashtë dëshirës tonë nuk rezultonin me shtresa naftëmbajtëse aq edhe në raste të tjera me shumë naftë. Të gjitha këto na kanë pasuruar me përvojë deri atje sa një specialist shpimi, duke ndjekur shpimin e pusit metër pas metri, mund të krijojë mendimin se ka apo jo naftë aty ku shpohet. Në periudha të ndryshme kohe, zonat më me shumë naftë, ndryshojnë vendet në renditje. Kështu mbas përfundimit të luftës, zona me më shumë naftë ishte ajo e Kuçovës. Deri para vitit 1918 fshati Kuçovë as që njihej fare në ekonominë e vendit. Me zbulimin e naftës Kuçova u vendos në të gjitha hartat e për më tepër edhe në hartat ushtarake. Më pas Kuçova si thashë, ishte zona që prodhonte më shumë naftë dhe mbajti për disa vjet, peshën kryesore në ekonominë shqiptare. Në vitin 1957 u zbulua vendburimi i Marinzës ku edhe ishte zona që prodhoi më shumë naftë. Më vonë u zbuluan, me radhë vendburimet e naftës në shtresat karbonatike si në Visokë, Ballsh, Gorrisht, Kocul etj. të cilat shtuan së tepërmi sasinë e prodhimit të naftës që si thashë më lart arriti në 2,4 milion tonë në vitin 1974. Vitet e fundit është zbuluar naftë në Mbreshtan të Beratit që me sa kam dëgjuar, parashikimet janë për një zonë të fuqishme nafte.

– Duke parë atë që është bërë shekullin e fundit, a ka nëntoka shqiptare më naftë?
– Ndër atë pjesë të popullit tonë që nuk e njeh naftën ka qarkulluar një thashethemnajë, se është një lum nafte nga Rumania deri në Itali dhe që kalon mes për mes Shqipërisë. Kjo është një padije profesionale tek ata që nuk kanë njohuri për kushtet e formimit dhe të grumbullimit të naftës. Por po të mendohet se përse është folur ky thashethem mund të përfundosh në mendimin se ai e ka patur një burim nga ka lindur. Me këtë ajo pjesë e popullit që e ka përdorur, kanë shprehur atë që në Shqipëri ka shumë naftë aq sa ata e quajnë “lum nafte”. Vendi ynë ka naftë shumë jo vetëm në ato zona të pazbuluara që parashikohen naftëmbajtëse, por edhe në zonat që tashmë janë të zbuluara. Le të marrim p.sh. zonën më të vjetër atë të Kuçovës. Së shpejti në  Kuçovë do të festohet 100-vjetori i zbulimit të këtij vendburimi. Pra ka 100 vjet që nga ky vendburim nxirret naftë. Megjithatë, deri më sot nuk është arritur të nxirret as gjysma e rezervave teknike të shfrytëzueshme e aq më pak akoma nga sasia e rezervave gjeologjike të llogaritura në të. Pra edhe në këtë vendburim 100 vjeçar të shfrytëzuar ka ende sasira të mëdha nafte. Më pas harta e vendburimeve të Shqipërisë u zgjerua shumë deri në Jug të vendit, në Krane, Finiq, Delvinë, etj. Po ashtu vendburimet e gazit të zbuluara në zonën pranadriatike u bënë pjesë e të gjithë vendburimeve naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Studimet gjeologjike kanë treguar se edhe në zona të tjera, deri edhe në detet Adriatik e Jon, Shqipëria është një hambar nafte e gazi. Tani shtroj një pyetje. Përse Greqia pretendon, pa të drejtë, të marrë zonën detare në detin Jon, që ia dha Sali Berisha dhe Lulzim Basha kur ishin në qeveri? Mos ndoshta ka pak det Greqia që faktikisht është e rrethuar nga dete në tre të katërtat e kufirit të saj? Jo, ajo nuk ka hall për sipërfaqe detare se ka me bollëk, por ajo zonë parashikohet mjaft naftëmbajtëse. Përfundimisht, duke iu përgjigjur shkurt pyetjes suaj, nëntoka shqiptare jo vetëm që është me naftë por me shumë naftë.
-Vitet e fundit kemi parë që pasuria shqiptare, që ndryshe quhet Ari i Zi, i është dhënë me koncesion të huajve. Cili është mendimi juaj me atë që është bërë me industrinë e naftës këto 27 vitet e fundit?     
– Pasuria e vendit tonë ka filluar të jepet me koncesion qysh në kohën e të vetëshpallurit Mbret i Shqiptarëve, Ahmet Zogu. Një dukuri e tillë u përsërit edhe mbas vitit 1990, kur në vendin tonë ndryshoi sistemi politiko-ekonomik. Është e mira që shteti ynë ta kishte naftën, në dorën e vet. Kjo sigurisht do investime, por nafta i përligj shpenzimet, jo vetëm një herë por disa herë më shumë.     Mbas vitin 1990, si në asnjë vend të lindjes ku ndryshuan sistemet, u bënë shkatërrime të mëdha me justifikimin se janë komuniste dhe do ngrihen nga e para.

U shkatërruan pothuajse të gjitha degët kryesore të ekonomisë, nafta, kromi, bakri, etj., u mbyllën fabrikat dhe uzinat, u shkatërrua bujqësia, industria e lehtë dhe ushqimore të cilat prodhuan papunësi me shumicë. U bënë me qëllim apo nga padija këto shkatërrime, nuk është vendi në këtë intervistë, por ato çuan ekonominë tonë drejt humnerës. Në këto kushte kompanitë e huaja të naftës afruan ndihmën e tyre, por duke patur të drejtën e koncesioneve që duhet t’u jepte dhe u dha qeveria. Gabimi i madh për mua nuk është se u dhanë koncesione të huajve, por kushtet për të cilat u dhanë këto koncesione ishin krejtësisht jo të plota dhe të padrejta, me humbje të mëdha për vendin dhe me fitime më shumë seç parashikoheshin jo vetëm nga kompanitë që i morën, por edhe për xhepat e personave që hartuan dhe firmosën kontratat. Kështu nafta jonë shkoi e po shkon tek kompanitë e huaja. Po jap pak shifra për të kuptuar se sa na vjedhin kompanitë e huaja.
Në vitin 2014, kur kompania jonë “Albpetrol”, prodhonte rreth 300.000 tonë naftë (shifër kjo që nuk këmbëngul për saktësi), kompanitë e huaja i morën nëntokës tonë:
“Bankers Petroleum”…………………..1.211.837 tonë naftë.
“Stream Oil and Gaz”……………………..81.227    – // –
“Transoil Group”………………………….24.618    – // –

“Phoenix”……………………………….….5.072     – // –
“Sherwood”……………………………….…188      – // –
Gjithsej: ………………………………………….. 1.322.942  – // –

Besoj se për cilindo është e qartë se sa naftë ka vendi ynë, sa marrim për vete dhe sa na grabisin të huajt. Jo vetëm kaq, por shpesh të huajt e fshehin sasinë e prodhimit të naftës dhe rrjedhimisht edhe detyrimin që kanë ndaj vendit tonë. E gjitha kjo vjen se:
1 – Ata që përgatisin kontratat ose nuk janë të gjithë specialistë të mirëfilltë të naftës ose sillen si të tillë.
2 – Kontratat nuk përpilohen me hollësi për të gjitha etapat e punës të kompanisë që merr koncesionin.
3 – Projektet e puseve të shpimit lënë shumë për të dëshiruar.
4 – Metodat e shfrytëzimit të vendburimit nuk parashikohen të tilla që të ruhet jetëgjatësia e vendburimit
5 – Kontrolli i zbatimit të projekteve të shpimit apo të shfrytëzimit nuk bëhen si duhet, duke u lejuar kështu kompanive të huaja që të kenë “dorë të lirë”. Ndodh pastaj ajo që ndodhi në Marinëz, ku shpërthyen ardhjet nëpër shtëpitë e fshatarëve, apo në Zharrëz ku shtëpitë morën plasaritje dhe që u justifikuan me gënjeshtra.

13 komente në “Nëntoka shqiptare e parë nga një inxhinier shpimi, sa të pasur jemi?”

  1. Hasan says:

    Ore po pse e hoqen nga nafta e permend.. qe e zuri gjumi dhe dhe qe per shkak te ketij u doq pusi I roskovecit per 10 vjet me rradhe. Do e kete haruar me siguri gje e vogel….

    1. Janullatos arxidoglyftis says:

      Ik o hasan beqiri

      1. mirel says:

        Iu doq hasanit

    2. Gabim! says:

      Faktikisht ka harruar ta permend kete gje, po sa per dijeni ngjarja ne fjale ka ndodhur ne pusin “Ca 37 ne vend-burimin e Cakranit (10 Shtator 1980)” Pra jo ne Roskovec.
      Sipas raportit te gjyqit te kohes eshte deklaruar qe Ing. Vlashi Fili nuk ishte prezent kur kishte ndodhur shperthimi, ishte larguar nga Sonda rreth ores 20:30 Minuta, ndersa shperthimi kishte ndodhur rreth ores 01:00, kohe ne te cilen Vlashi, ishte ne gjume ne fjetoren qe ishte ngritur per kete pune. Ai e ka harruar ta thoje kete gje, po ndoshta ka menduar se nuk ja ka vlen te permenden fakte jo te verteta ne nje interviste.
      Po kto mund ti gjesh dhe te libri qe ka shkruajtur ai.

  2. Bushi says:

    Respekt per inxhinjerin Vlashi Fili.Te gjitha keto probleme qe ai peraqiti ne ke te shkrim jane te verteta.Vendburimet naftembajtese shqiptare,po grabiten dhe shkaterrohen nga te huajet e pangopur.Firmat e huaja po e shfrytezojne naften shiptare,ne menyre barbare.Atyre nuk u dhimbset,se,jane ne shtepine e tjetrit,dhe vete i zoti i shtepise(qevrite e kaluara dhe te tashme),nuk kujdesen per shtepine tyre.Ata po rremnejne çdo gje.Qeveria e soteme me Edi Ramen,duhet t’a marin ne dore vete,e ta shfrytezojne per nevojat e vendit naften.Pershendetje zoti Vlashi.

  3. fieraku NGA ferrasi says:

    Or ti hasano
    Gjumi edhe mund ta kete zene
    Se njeri eshte
    Po’ qe eshte Specialist dhe po’ ti thote te gjitha me rradhe qe nga denimet e inxhiniereve dhe specialisteve e deri
    Te fitimet e bankers
    Po’ thote qe shteti MOS te jape edhe bythen me koncesion se pastaj
    Ngelet nje shtet bythjashte Sic ka ngelur
    Ka 27 vjet

  4. mirel says:

    Hajde, keta jane kuadro. Jo lepuj dhe pleshta si Ramuti dhe Ahmuti.
    Shqiperise i duhet e verteta. Dhe duhet ti degjojme.
    Grabitja qe po i behet naftes me koncesionet duhet denuar si krim kapital. Dhe jo te shitet si politike moderne ekonomike. Eshte maskim i krimit. Vjedhje dhe mashtrim me ne krye shtetin

  5. Turi says:

    Nje inxhinier cpimi eshte personi i gabuar per tu pyetur per reservat e naftes. Githsesi sasia e reservave nuk ka shume rendesi. E rendesishme eshte te kuptohet qe keto reserva i perkasin popullit shqiptar dhe qeveria duhet te beje detyrat qe keto reserva (qofte edhe nepermjet koncensioneve) te shfrytezohen ne dobi te popullit shqiptar.

  6. PLAKU says:

    Respektoj mundin djersen dhe kontributin e Vlashit ,gjithashtu mirkuptoj theksin e vene per marrje te pergjegjesive qe nuk i takonin nje inxhinieri ,(detyra qe vendoseshin nga komisariati i naftes pern komisaret ne puset e shpimit te v.b Cakran ,detyre te cilen ja ngarkuan edhe Vlashit ,per te cilen edhe u denua,mendoj se me gjykimin e sotem ky eshte njen absurd ,por atehere kjo ishte koha ,inxhinieret ,dhe jo vetem te shpimit ,ishin njekohesisht edhe kuadro te partise dhe zgjidheshin me te miret per perballimin me sukses te detyrave ne rastin konkret Vlashit i takoi pusi Ca 37 ,me kete fraze Vlashi nenkupton edhe ate qe komentuesit me siper kerkojne t’a permende ,por ne se nuk i njeh ndodhite ben edhe pyetje te cilat e kane nje pergjigjie ne interviste .) Doja te sqaroja se gjat intervistes ka dy lapsuse te cilat edhe Vlashi edhe botuesi nepermjet intervistuesit duhet te keregjohen E para Vendburimi i Kuçoves nuk ka 100 vjet qe eshte zbuluar ,pusi i pare i prodhimit ne kuçove eshte vene ne shfrytezim ne vitin 1928 pra i bie qe Kuçova ose ne emrin e origjines se vendosur nga AIPA Vendburimi DEVOLLI eshte 90 vjeçare ,Per sqarim shtoj duke theksuarse eshte tjeter kund ku nafta eshte zbuluar 100 vite me pare ,ajo eshte zbuluar ne Drashovice te Vlores ,dhe 100 vjetori qe pritet te festohet ka lidhje me kete zbulim . Dhe e dyta … Konçensionet e zonave per kerkim nafte e gazi ne Shqiperi nuk kane filluar gjat kohes se mbretit Zog por tentativa jane bere qysh me qeverisjen e Fan Stilian Nolit e me pas deri sa Zogu mori fuqine duke dhene kontratat e nisura me pare nga qeveria e Nolit me ato qe njihen Anglezet ,Italianet ,Francezet e deri me Amerikanet

  7. Novruz Limaj says:

    Urime kolegu im Vlash Fili, nje nga specialistet me te mire te shpimit te puseve te naftes, studjues e punonjes shkencor i apasionuar e skrupuloz, punetor i madh i dijes dhe aplikimit, kapacitet qe manifestohet edhe ne kete i interviste te sakte te tij. Urime e qofsh i fresket edhe shume e shume vite te tjera.

  8. Shpata says:

    Intevista nga jeta dhe deshmi te punes sone jane interesante por ato duhet te jene te verteta dhe Autorja duhet ti verifikonte!
    Vlash Fili ka punuar ne institutin teknologjik ne Patos per shpimet e puseve. Instituti i Naftes, per kerkimet gjeologjike dhe vendburimet ndodhej ne Fier. Vlashi nuk kishte asnje lidhje me kerkimet Gjeologjike, veçse biseda klubesh dhe naftetaresh !
    Pra çdo konklusion qe jeper per vendburimet eshte e perafert bile dhe disa here jane te gabuara !

    Por me e rendesishmje, qe Autorja nuk flet fare, eshte se Vlashi u denua per shperthimin e Pusit te Cakranit C47, ky pus shkaktoji humbje te konsiserueshme ne vendburimin e Cakranit.

    Fontana e hapur ne Cakran ndejti gati nje vit, derisa me ne fund u shemb dhe u mbyll vete, nga forcat natyrore sepse metodat e perdorura ishin jo efikase. Vlashi ndodhej ne pus sepse ishte caktuar te zevendesonte inxhinjerin e shpimit qe e kishin derguar ne zbor !

    Ai ishte pergjegjesi kryesor per shpershimin e pusit. Pa hyre ne hollesira teknike pusi shpersheu sepse rregulla elementare te punes dhe llogjika teknike nuk u zbatuan.

    Inxhinjere te asaj kohe si Zeqo Harruni, Vasil Pipa dhe inxhinjere te tjere te suksesshem ne punen e tyre ne te njejten Zone, do te ‘hidhen perpjete’ kur te lexojne kete artikull qe nuk flet fare per shpershimin e pusit C47 shkaktuar nga Vlash Fili.

    Per kete Vlashi ka bere disa vite burg dhe ka paguar shuma te medha ne leke per ate kohe.
    Denimi ishte shume i rende, por ne ate kohe ashtu veprohej !

    Nje gje eshte e pa kundershtuashme, kete e tregoji qarte shperthimi ne Cakran dhe avari te tjera te renda, qe inxhinjeret e instituteve ishin zgjedhur me partishmeri e biografi dhe nuk ishin aspak me te afte se ata qe shponin direkt puset. Po te mos kishte ikur ne zbor inxhinjeri i pusit ne C47 ai nuk do te kishte shperthyer : Kete nuk e thote dot Vlashi por nuk e permend fare as edhe autorja e shkrimit.

  9. Patosi says:

    Jam dakord me komentin e mesiperm sepse Vlashi per mos zbatim te regullave dhe dobesi ne inxhinjerine praktike shkaktoi djegjen e pusit C 37 dhe jo C 47. Kane kaluar 37 vjet dhe une nuk isha shume i sigurte per numerin.
    Novruz Limaj si koleg i tij ne Institutin Teknologjik Patos i ben qejfin me levdata. Por nuk duhet haruar se as Vlashi as Novruzi nuk kane marre pjese ne shpimin e puseve te thelle, praktikisht. Ishim ne inxhinjeret e puseve qe ndiqnim dite e nate procesin e shpimit, me te gjitha veshtiresite teknike dhe fizike maje maleve.
    Per sa i perket pedagogeve te Fakultetit te Gjeologjise dhe Minierave qe Vlashi i ngre ne piedestale te larta, si duket ka harruar Telat Arapin etj. qe kishe frike ta pyesje se nuk dinte te pergjigjej fare.
    Per mendimin tim situata e naftes ne ate kohe si dhe sot eshte trajtuar me syrin e nje teknokrati! Kurse « puna shkencore » qe benin ishte vertete qesharake.
    Jam inxhinjer shpimi dhe kam shpuar me sukses puse te thellesive te medha, dhe te rendesishme per kohen. Me indinjon fakti qe shume rrale lexoj artikuj reale per naften. Autorja duhet te ishte thelluar me teper per vertetesine e fakteve

  10. Patosi says:

    Jam dakord me komentin e mesiperm sepse Vlashi per mos zbatim te regullave dhe dobesi ne inxhinjerine praktike shkaktoi djegjen e pusit C 37 dhe jo C 47. Kane kaluar 37 vjet dhe une nuk isha shume i sigurte per numerin.
    Novruz Limaj si koleg i tij ne Institutin Teknologjik Patos i ben qejfin me levdata. Por nuk duhet haruar se as Vlashi as Novruzi nuk kane marre pjese ne shpimin e puseve te thelle, praktikisht. Ishim ne inxhinjeret e puseve qe ndiqnim dite e nate procesin e shpimit, me te gjitha veshtiresite teknike dhe fizike maje maleve.
    Per sa i perket pedagogeve te Fakultetit te Gjeologjise dhe Minierave qe Vlashi i ngre ne piedestale te larta, si duket ka harruar Telat Arapin etj. qe kishe frike ta pyesje se nuk dinte te pergjigjej fare.
    Per mendimin tim situata e naftes ne ate kohe si dhe sot eshte trajtuar me syrin e nje teknokrati! Kurse « puna shkencore » qe benin ishte vertete qesharake.
    Jam inxhinjer shpimi dhe kam shpuar me sukses puse te thellesive te medha, dhe te rendesishme per kohen. Me indinjon fakti qe shume rralle lexoj artikuj reale per naften. Autorja duhet te ishte thelluar me teper per vertetesine e fakteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje