Inaugurohet qendra e re e fshatit Pëllumbas, Veliaj: Në dy vitet e ardhshme fokusi te fshati

31 Gusht 2017, 12:20Sociale TEMA

Qendra e fshatit Pëllumbas dhe rruga hyrëse janë transformuar tërësisht duke e shndërruar këtë zonë në një nga pikat më të bukura të eko-turizmit shqiptar që do të tërheqë mjaft turistë vendas dhe të huaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar dhe nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, drejtuesja e USAID për Shqipëri,  Catherine Johnson si dhe ambasadorja e Vendeve të Ulëta në Tiranë,  Dewi Van de Weerd, mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të një nga ndërhyrjeve më të rëndësishme në kompleksin turistik Pëllumbas që i hap rrugën dhe një faze të re të turizmit të aventurës në Tiranë.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se investime të tilla janë një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e këtyre zonave. “Kemi nevojë për njerëz që kur shohin një problem, shohin gjithashtu një mundësi. Pavarësisht se këtu përpara disa muajsh ishte një zonë, e cila vetëm me llaf goje rrifej nga turistët, dikush pa një mundësi. Ndaj, dua të falënderoj gjithë organizatorët për punën fantastike që kanë bërë, duke na ftuar edhe ne të tjerëve që të jemi pjesë e këtij kontributi”, tha Veliaj, teksa shtoi se Bashkia ka ndërmarrë një sërë investimesh të rëndësishme. “Kjo është e disata herë në fakt që ne kthehemi në këtë zonë. Brenda kësaj jave ishim në Mushqeta, përpara pak ditësh ishim në Krrabë për rrugën e Krrabës. Tirana rritet çdo ditë, sot kur të shkoj ora 5 do të jenë regjistruar edhe 60-70 veta në Tiranë. Do të thotë që qyteti e ka të pamundur të vazhdojë të rritet në këtë mënyrë nëse ne nuk shfryhemi në zona të tjera me infrastrukturë, me investime urbane, por sidomos duke inkurajuar njerëzit e zonës ta gjejnë thesarin tek zona e vet”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në dy vitet e ardhshme do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që në dy vitet e ardhshme fokusin më të madh ta kemi tek fshati. Besoj se na keni parë nga shkolla në Shëngjergj, tek rrugën në Zall-Herr. Tek investimet që po bëjmë në zonat periferike të Tiranës, sepse besojmë vetëm kur punohet  me të njëjtë cilësi si në sheshin “Skënderbej”, si në Pazarin e Ri, si në Pëllumbas, si në Kërrabë, vetëm atëherë mund të themi që qyteti po ecën me të njëjtën cilësi”, tha ai, duke shtuar se ky ritëm pune është mënyra më e mirë për t’ju shprehur qytetarëve seriozitetin në mënyrën se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen. “Dhe ajo që po më rezulton nga ky kontribut i të gjithëve është që ne kemi punuar këtu në Pëllumbas, me qëndrën e fshatit, ashtu si edhe në fshatin Qeha, me të njëjtën cilësi siç është punuar dhe në të qëndër dhe kjo besoj është mënyra më e mirë për t’ju shprehur njerëzve seriozitetin në mënyrën se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni falënderoi kryebashkiaku Veliaj për mbështetjen, ndërsa theksoi se modele të tilla sikurse është qendra turistike në Pëllumbas, janë tregues i modelit të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit që ka zgjedhur Shqipëria. “Është si pjesët e një loje puzzle, që bashkohen edhe japin një model suksesi që mund të përsëritet në bashki të tjera, padyshim edhe mbështetja e jashtëzakonshme e Erionit dhe e të gjithë aktorëve. Ne si Shqipëri e kemi bërë zgjedhjen e duhur, turizëm të qëndrueshëm dhe padyshim të tilla modele e demonstrojnë këtë gjë. Fakti që  zyra e informacionit duke bashkëpunuar me biznesin, fakti që 4 bujtina që do të fillojnë punën brenda dhjetorit dhe të tjerat që do të ndërtohen këtu, do e bëjnë jetën tuaj këtu më të mirë. Krijojnë më shumë mundësi punësimi, sjellin më shumë turistë vendas dhe të huaj, e bëjnë më tërheqëse dhe më të bukur Tiranën tonë”, theksoi Gjermeni.

Në fshatin Pëllumbas u inaugurua dhe hapja e zyrës së menaxhimit të turizmit si dhe u prezantuan disa nga gatimet tradicionale të zonës.

2 komente në “Inaugurohet qendra e re e fshatit Pëllumbas, Veliaj: Në dy vitet e ardhshme fokusi te fshati”

  1. A. C. says:

    Ju lutem kur shkruani nje artikull, shkruani ne nje menyre te tille sikur fshati Pellumbas ose Qeha jane shume te njohur per lexuaesit. Sqaroni per ne qe nuk dime mire gjeografine e Tiranes se ku ndodhen keto fshatra te “famshem” . Falemnderit per artikullin.
    AC

  2. Nje URIM Kryetarit Velia sa nje kerkese,prag nisies se vitit Ri shkollor.
    ( Nje Mesues pesionist 81 vjecar ne mergim..).

    Ja modeli i nje kryebashkiaku te sukses-shem Erion Veliaj,
    qe e shohim per dite ne perurime veprash, ne kryeqytet
    dhe rrethinat e tij tashme NJE.
    Nje urim sa nje kerkes do i bej:
    -Pac uraten qe po shkon drejt zonave te thelle te Tiranes,
    nisur nga zona bri malit Priskes,sot Pellumbari ne Feste,atje ne perendim te Priskes mal.,
    Si nje ish mesues e drejtues shkollash ne ato zona;(nga 1991 pesionist aktiv),do ju lutesha;
    Nga sa po beni, nisni aksionin,tej malit Dajti,nga shkalla Tujanit, na sherroni ate plage disa vjecare,
    -“…po bejme rrugen e Arberit…” sllogon i paraardhesve tuaj.
    Neser me 1 Shtator,do te doja, si me 1 shtator 1967,atej ne Zall-Dajt, te behet nje feste e vertete;
    Eshte 50 vjetori i shkolles 8 vjecare,hapur per here te pare me 1967 e, nw vazhdimesi (1971) ,
    shkolla e mesme bujqesore,marre emrin e mesuesit vendas Hamdi Beqir mancaku”.
    Fatkeqesisht …pas viteve 90te-ani se ishte deri me konvik,eshte mbyllur.
    Faleminderi autoriteteve arsimdashaes te Zal-Bastarit,sa drejtuesve e mesuesvv te asaj zone te thelle,
    hapur atje shkollen e mesme…pas saj.
    Z.kryetar- kthejeni te pakten ate godine shkolle dykatshe ne qender te Zall-Dajtit,-model ne vite
    ndertuar me aksion nga administrata e shkollave te Tiranes, me urdhe diretk te ish kryetarit te kohes,
    Abdyll kellezi(sot me nje klase kolektive mesimi),ne nje MUZEUM “gjitheperfshires”
    te asaj zone ,kjo si perurim i rruges se “ARBERIT”,qe presim te nise.
    Urime mesues Nxenesve te atyre zonave(nje jete kaluar mes tyre),
    Vit te mbare shkollor dhe; me Ju mes Tyre, NISUR kete 11 shtator.
    Suksese ne punen tuaj drejtuese, nisur me SUKSESE
    -Ju pershendes nga Toronto e Kanadase,teksa, bere gati te uroj nxenesit emigrante ketu,
    ne 11 shkolla hapur,per te ruajtur gjyhen dhe historine kombetare.
    VO-Ju lutem ju te gazetes sone DITA -botoeni kete urim sa kerkese-ta lexojne:Kryetari miredashes,
    sa dashamiresit Tiranas.
    Toronto 31-08-2017 Ish drejtori i pare i shkolles Zall-Dajt( 7 vjet-1967-73.)
    81 vjecari- Dhimiter M. Xhoga

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje