Ismail Kadare: E shkuara e mban peng Shqipërinë. Ka shumë pengje që nuk zbulohen, rryma të fshehta që gëlojnë akoma

12 Shtator 2017, 16:58Politika TEMA

Debati në lidhje me të shkuarën dhe zgjedhjet e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë ka përfshirë këto ditë figura të njohura të Shqipërisë.

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Studio e Hapur”, në “News 24”, e cila do të transmetohet të premten e kësaj jave, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare i ka thënë gazetares Eni Vasili se e shkuara e mban peng të ardhmen e Shqipërisë.

“Çdo gjë që ka lidhje me krimet e një tiranie mban një seri pengjesh dhe në Shqipëri ka shumë pengje, që ne nuk na shkon në mendje, mbahen nga kjo gjë, nuk zbulohen nga kjo gjë, veprimtari, rryma të fshehta që gëlojnë akoma, që ne nuk i dimë nga e kanë burimin, sigurisht që mbahen të fshehta”, është shprehur Kadare.

Ndërkohë, po dje në këtë emision, ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka cilësuar provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama emërimin e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit shqiptar.

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në “News 24”, Nishani pohoi se emërimi i Ruçit në këtë post është vendim politik i Ramës, duke e perifrazuar disa herë si ‘provokim radikal nga Rama’.

“Rama me këtë qëndrim ka bërë një provokim radikal dhe kërkon një përgjigje radikale. Ne kemi nevojë të kryejmë lustracionin të të gjithë njerëzve. Për sa kohë jemi në ketë status, unë mendoj se këta njerëz nuk duhet të vendosen në institucione”, tha Nishani.

Mes të tjerash, Nishani tha se ka bindjen e tij se pse Rama ka marrë këtë vendim.

“Parlamenti dominohet nga qeveria, pjesë e maxhorancës. Nuk duhet të ishte kështu. Nuk ka dominim nga ana e qeverisë tek opozita. Kryetari i Kuvendit duhet të negociojë dhe vendimi politik është i zotit Rama, për të sjellë në vëmendje që ka votuar formatin e zotit Ruçi, përbën provokim radikal. Unë kam bindjen time pse e ka bërë”, pohoi ai. “Është provokim i memories së shqiptareve.

Sot ka ende njerëz të humbur dhe të ekzekutuar. Unë fola për mekanizmin, ku Ruçi ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Do ishte gabim nëse ne i ngarkojmë të gjitha të zezat e një sistemi një personi. Ne flasim për një proces të mungesës së gjykimit të veprimtarisë kriminale të këtij mekanizmi”, tha Nishani. “Të mos harrojmë se kemi pasur deri në vitin 1990 ekzekutime të të rinjve.

Ai ka qenë pjesë e mekanizmit dhe në gjykimin tim në këtë pozicion është i papërshtatshëm. Parlamenti shqiptar është i niveleve të larta. Ruçi do shkojë në Asamblenë e BE dhe në Parlamentin Evropian, çfarë do u thotë atyre? Nuk është çështja vetëm e simbolikës, por e sjelljes së politikës”, u shpreh ish-presidenti.

Lini një Përgjigje