“Era është sërish e favorshme për velat e BE-së”, Jean-Claude Juncker: Koha për reforma

13 Shtator 2017, 12:30Bota TEMA

“Era është sërish e favorshme për velat e BE-së”, thotë presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që sheh në këto momente një mundësi të mirë për reformimin e bllokut.

Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar unionit, Juncker foli për një dritare mundësish, që nuk do të qëndrojë gjithmonë e hapur.

“Ekonomia europiane po e merr veten dhe Bashkimit Europian iu desh ta kapërcente ‘Brexit’-in. Tashmë është koha që unioni të reformohet e të farkëtojë marrëveshje të reja tregtare. Kërcënimet ekzistenciale të tij nga shkëputja e Britanisë, kriza e emigrantëve dhe rritja e populizmit tashmë janë ulur”, tha Jean-Claude Juncker.

Juncker preku në fjalën e tij edhe çështjen e zgjerimit dhe tha se Europa duhet të ndjekë një projekt të besueshëm shtrirjeje lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kreu i KE-së shtoi më tej se është koha që Rumania dhe Bullgaria të bëhen pjesë e zonës së lëvizjes së lirë “Schengen”, dhe se Kroacia duhet të anëtarësohet gjithashtu sapo të jetë gati.

Juncker kërkoi veç të tjerash që pozicioni i tij i presidentit të Komisionit të shkrihet me atë të presidentit të Këshillit dhe zgjedhja e personit të realizohet duke ndjekur një fushatë paneuropiane. Ai shtoi, sidoqoftë, se ky propozim nuk shënjestron në asnjë mënyrë punën e mikut të vet të shkëlqyer, Donald Tusk.

Çdo përpjekje për t’i shkrirë të dyja këto role do të kërkojë ndryshimin e traktateve të bllokut europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje