ANALIZA/ Zgjedhjet në Gjermani, Merkel apo Schulz - Cilin dëshiron Brukseli?

14 Shtator 2017, 11:07Bota TEMA

Politikanët në BE po i ndjekin me interes zgjedhjet parlamentare në Gjermani, për shkak të ndikimit të madh në BE.

Martin Schulz ish-presidenti afagjatë i Parlamentit të BE-së, Merkel me reputacion të madh ndërkombëtar.

Europa është fokusuar tek Gjermania, se kush do të drejtojë. Kryeministrja me mandatin më të gjatë në Europë, Angela Merkel, apo politikani me përvojë i BE-së Martin Schulz?

Kush mund t’i japë më mirë tonin drejtimit në Europë në të ardhmen?  Ajo apo ai?

Kriza e refugjatëve herë-herë e ka izoluar kancelaren në nivelin evropian – asaj i duhej të gëlltiste akuza të ashpra – se ajo ka qeverisur pa u koordinuar me të tjerët duke i hapur kufijtë. Edhe sot e kësaj dite është e diskutueshme çështja se kush do t’i pranojë migrantët në Europë. A mund të fitojë më shumë pikë këtu sfidanti i saj Martin Schulz? Ai bën thirrje për sanksione kundër vendeve të BE-së, që në të ardhmen refuzojnë të pranojnë refugjatë. Por politologu Janis Emmanouilidis nga think tank-u “Qendra Europiane e Politikës” në Bruksel është skeptik.

Ai mendon, se masa të tilla mund të jenë kundërproduktive: “Besoj që veprime të tilla mund të çojnë në një kundërreagim. Në ato vende anëtare, ku në pushtet janë zotërinjtë Orban, Kuczynski, pra në Hungari e Poloni, ata do ta shfrytëzojnë këtë si argument për të thënë, pa shihni po na ushtrojnë presion nga jashtë, gjë që ne nuk e duam e as populli ynë nuk e do. Kjo bën që të mos gjenden kompromise në nivel europian.

Kompromise në nivel europian

Merkel përgjatë krizës financiare e ka drejtuar Europën, edhe sot kancelarja është për kursime në vend të investimeve, ndërkohë që tani presidenti i ri i Francës kërkon reforma të rrënjësore: një ministër Financash të BE-së, një buxhet për Eurozonën – a do të ishte i mundur ky ristrukturim me Merkelin gjatë një mandati të ri?

Eksperti Janis Emmanouilidis thekson: Unë mendoj, që kancelari Schulz, nëse ai do të bëhet kancelar, do të ishte më shumë i gatshëm për kompromise me Parisin e mbi bazën e këtyre kompromiseve edhe mund të gjejë konsensus, se si të ecet më tej me ekonominë dhe unionin monetar. Pra ai do të ishte më i predispozuar për kompromise.”

Gjoksin përpara e kokën lart

Në nivel ndërkombëtar Merkel gëzon reputacion të lartë, madje për të thuhet, se ajo ia del edhe me Putinin – por sa i përket politikës europiane ajo përballet me Schulzin – politikan ky europian me përvojë e që zotëron shumë gjuhë – në të njëjtin nivel.

Për Europën motoja tani duhet të jetë gjoksin përpara e kokën lart – vetëm një paraqitje e guximshme në skenën ndërkombëtare i bind edhe ata që ngurrojnë brenda vet BE-së: se kush mund t’ia dalë më mirë. Ajo apo ai – sido që të jetë ky do të jetë edhe një vendim për drejtimin që mund të marrë Europa. (DW)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje