Arben Imami: Basha ka shitur PD-në, mori para nga kandidatët që i futi në lista!

15 Shtator 2017, 09:25Politika TEMA

Pas kritikave të Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës, të tjerë zëra të rëndësishëm në PD kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj kreut të Partisë Demokratike.

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe bashkëthemelues i PD-së, Arben Imami ka akuzuar hapur Bashën për korrupsion me listat e deputetëve dhe pazar me kryeministrin Edi Rama.

Në një intervistë dhënë për ABC News, ish-ministri ka folur hapur për atë që e cilësoi si tradhti të Lulzim Bashës ndaj demokratëve.

Duke komentuar marrëveshjen mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ish-ministri Imami tha se Basha e ka shitur Partinë Demokratike në pazarin e 17 majit.

Imami deklaroi se në marrëveshjen Rama-Basha nuk ka asgjë pozitive.

Ai ka zbardhur dhe një pjesë të projektit që kanë ideuar Rama dhe Basha për ndryshimin e gjithë strukturës politike dhe kushtetuese të Parlamentit.

“Edhe ata që e mbrojnë marrëveshjen nuk e kanë idenë se çfarë flasin.

Rama dhe Basha u ulën bashkë me idenë se do bëjnë reforma të mëdha për shtetin.

Të dy nuk janë njerëzit që mund të jenë modeli i shtetndërtimit.

Kanë arritur deri në pikën sa kanë ideuar dhe ndryshime kushtetuese që u heqin mandatet deputetëve kur të duan”, tha Imami.

Ish-ministri i PD-së ka deklaruar se ide të tilla janë të rrezikshme dhe tregojnë se dy politikanët kryesorë nuk kanë asnjë “haber” nga ndërtimi i institucioneve.

Përkundrazi, sipas tij, të dy synoni që bashkë të ndryshonin tablonë politike jo me votë, por me diktatin e të dyve natën e 17 majit.

Akuza e dytë e fortë e Arben Imamit ka të bëjë me listën e deputetëve që ka sot Partia Demokratike.

Imami ka deklaruar se në grupin e PD ka njerëz që kanë paguar për mandatin e deputetit.

Sipas tij, kjo është dhe arsyeja se përse grupi i PD-së do të ketë vendime të çuditshme kundër qëndrimit zyrtar politikë.

“Një pjesë e deputetëve të Bashës, sepse nuk janë të PD, ka paguar për të qenë aty.

E dija që do të bënin gabime.

Ndaj dhe nuk me ka çuditur nisja e Kuvendit dhe votimi i PD-së për Ruçin”, tha Arben Imami.

Kjo është akuzë e fortë dhe e rëndë për lidershipin e PD.

Lidhur me qëndrimin e Sali Berishës, dy ditë më parë, Imami thotë se ish-kryeministri e ka goditur publikisht Bashën.

Sipas tij, Berisha foli për këshilltarët, por indirekt përgjegjësinë e shihte të Basha.

Lidhur me debatin nëse është Berisha apo Basha që vendos në PD, Imami ka deklaruar se Basha është njeriu që ka marrë të gjitha vendimet.

Sipas tij, ideja se ende në PD vendos Berisha është përdorur nga Basha dhe njerëzit e tij për të justifikuar shumicën e gafave që ka bërë gjatë katër viteve kryetari i ri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje