Shkatërimtari "Maria" i drejtohet Porto Rikos, metereologët: Uragan i dhunshëm

20 Shtator 2017, 09:38Bota TEMA

“Maria”, uragani i dytë i fuqisë maksimale që krijohet këtë sezon në Atlantik, është përplasur mbi ishujt Virxhin e po i drejtohet Porto Rikos.

Stuhia e kategorisë së pestë është lëshuar me të gjithë furinë e saj në ishujt St. Croix, një ditë pasi la pas një vazhdë shkatërrimesh në Dominika.

Uragani i dhunshëm po lëviz pothuajse në të njëjtën rrugë me Irmën, edhe ajo e kategorisë së pestë dhe me një formë shkatërrimtare.

Guvernatori i Porto Rikos i ka kërkuar 3.5 milionë banorëve të territorit amerikan të gjejnë strehim tani që stuhia po afrohet.

Zyrtarët atje druhen se mbetjet e lëna më herët nga Irma mund të kthehen tani në një element tejet të rrezikshëm nga erërat e forta të “Marias”. Ka gjithashtu shqetësime se reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, ndërsa në zonat e ulëta stuhia parashikohet të ngrejë dallgë deri në 3 metra të larta.

Porto Riko ka qenë një parajsë e mbrojtur për njerëzit që i janë larguar këto javët e fundit ishujve të tjerë të shkatërruar të Karaibeve, por tani, edhe ai vetë është në rrugën e një tjetër stuhie shkatërrimtare.

Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës për Porto Rikon dhe Ishujt e Virgjër, si dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjensinë Federale të Emergjencave për të koordinuar të gjitha përpjekjet e shpëtimit.

Një tjetër stuhi, stuhia tropikale “Lee”, po pason nga lindja urganin “Maria”, por nuk parashikohet nga metereologët që t’i afrohet Karaibeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje