E rëndë në Shkodër/ Vajza i bëhet mburojë nënës, babai i vë automatikun mbi fytyrë

21 Shtator 2017, 11:48Kronika TEMA

Dhuna në familje në Shkodër është një fenomen që nuk ka lindur vitet e fundit. Teuta Muçaj, nënë e 4 fëmijëve, sot 62 vjeçe tregon si bashkëshorti i saj Shefqet Muçaj e ka dhunuar sistematikisht që në momentet e para kur janë martuar duke tentuar edhe ta mbysë me thikë.Teuta shprehet se ka duruar deri tani për shkak të fëmijëve por edhe mungesës së një shtëpie ndërsa është e vetme, pa motër e vëllezër dhe me prindërit e vdekur.

 

 

Në një moment Shefqet Muçaj i ka kërkuar falje përmes djalit të tyre Teutës me gojë dhe me shkrim. 62 vjeçarja e ka pranuar faljen por sapo ka shkuar për t’i dërguar ushqim sërish e ka goditur.
“Pasi më kishte rrahur sërish, unë kam qëndruar në shtëpinë time sepse e kam marrë një shtëpi nga shteti i atëhershëm. Erdhi djali i vogël nga jashtë dhe shkoi për ta takuar babain e tij. Atje i ka folur duke i këshilluar se nëna të ka duruar gjithë këto vite dhe përse vazhdon kështu. Ai i ka kërkuar falje dhe i ka thënë se më kërkojë edhe mua. Shkova bashkë me djalin dhe u çua në këmbë, më përqafoi dhe tha më fal. Faljen e shkroi edhe në letër. Pasi djali iku nga Shqipëria unë mora gjellën dhe shkova për t’i dhënë me ngrënë sepse s’ka kush i gatuan. Erdhi dhe sapo më pa, ishte i dehur nisi të më shajë. Mora të iki kur më kapi në dorë dhe mori një levë hekuri duke më goditur derisa ashtu arrita të largohem prej tij”.

Teuta ka marrë një urdhër mbrojtje para afro dy muajve por bashkëshorti i saj e ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes duke e dhunuar 62-vjeçaren dhe duke i thënë se një pushkë e kam ruajtur për ty…
“E ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes duke më goditur. Herën e fundit kur i çova për të ngrënë më tha se e kam ruajtur një pushkë për ty. Unë lajmërova policinë. Kur erdhi policia dhe bëri kontroll në banesë i gjeti një pistoletë. Kjo ishte hera e tretë që kapej me armë”. Shefqet Muçaj është kapur tre herë me armë që nga viti 1998, ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes dhe sërish gjykata e Shkodrës e ka lënë në “arrest shtëpie”. Kjo e bën Teutën që të jetojë me frikë. 62 vjeçarja i ka dërguar letër Ministrisë së Drejtësisë duke i bërë të ditur se janë paguar para që bashkëshorti i saj të mos mbesë në burg. Teuta Muçaj kërkon vetëm drejtësinë që deri tani i është mohuar.

“Unë jetoj me shumë frikë sepse burri im është kapur tre herë me armë, dy herë ka thyer urdhërin e mbrojtjes dhe sërish gjykata e Shkodrës e ka lënë me masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Kur lëshohet tre herë pasi kapet me armë dhe pas dy herësh që thyen urdhërin e mbrojtjes normalisht që fare mirë mund të vijë dhe të më vrasë. Unë pasi u la me ‘arrest shtëpie’ i kam dërguar letër ministrisë së drejtësisë sepse dikush ka paguar para që bashkëshorti im të mos dënohet sepse nuk është dënuar asnjëherë deri tani. Unë nuk kërkoj asgjë tjetër veçse drejtësi që deri tani më është mohuar”.
Si Teuta në Shkodër ka edhe shumë gra të tjera të cilat janë pre e dhunës për vite me radhë dhe jeta e tyre është në rrezik. Policia e Shkodrës çdo ditë në komunikatat për shtyp konfirmon 3-4 raste në ditë të dhunës në familje, kryesisht burra që dhunojnë gratë e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje