Data në Kushtetuese/ Pensionet e ushtarakëve, gati përballja në Gjykatë

23 Shtator 2017, 14:52Sociale TEMA
Data në Kushtetuese/ Pensionet e ushtarakëve, gati përballja

Kur nuk është bërë ende një muaj nga depozitimi i padisë së ushtarakëve, të cilët kanë kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, Kushtetuesja ka caktuar datën për seancën dëgjimore.

Sipas kreut të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Thoma Konduri, gjyqi do të zhvillohet më 10 tetor. Njoftimi është përcjellë edhe në faqen zyrtare të institucionit më të lartë gjyqësor, në hapësirën e dedikuar kalendarit të punimeve për javët në vijim.

Në seancën e datës 10 nuk do të lejohen të marrin pjesë përfaqësues nga shoqatat, por vetëm avokati që ka marrë në ngarkim çështjen. Një gjë e tillë nuk ka kaluar pa ngjallur revoltë tek ushtarakët, të cilët kanë kërkuar të jenë të pranishëm.

Mospjesëmarrjen ata e shohin si sinjalin e parë negativ, duke shfaqur rezerva për qëndrimin që Kushtetuesja mund të mbajë ndaj kërkesë- padisë së depozituar në datën 5 shtator. “Gjykata Kushtetuese ka njoftuar nëpërmjet avokatit se në datën 10 tetor do të zhvillohet gjyqi. E shikojmë krejtë- sisht të pavend që në këtë seancë nuk do të lejohen përfaqësues të shoqatave”, pohon Konduri.

SI PREKET SKEMA

Ndërsa e kanë cilësuar tërësisht si antikushtetues, shoqatat e ushtarakëve kanë ngritur shqetësimin se vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, miratuar në muajin nëntor të vitit 2016, krijon debitorë të rinj në radhët e tyre.

Jo vetëm kaq, ai vendim bëhet shkak për uljen e masës së pensionit. Sipas shoqatave, janë rreth 4 mijë persona që kanë fituar gjyqin apo janë ende në proces që preken nga vendimi, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë shtetit shuma që variojnë nga 2 milionë deri në 37 milionë lekë të vjetër. Të gjitha këto pasoja e kanë bazën në mënyrën e përllogaritjes së pensioneve dhe veçanërisht rikthimin edhe një herë në skenë të nenit 29 dhe ligjit të 2009-s.

Sipas këtij ligji, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ushtarakët që plotë- sojnë vjetërsinë, përkatësisht 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, dhe që kanë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç. Masa e përfitimit llogaritet: 50% e pagës referuese, mbi të cilën është derdhur kontributi dhe për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese.

Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, e cila aktualisht është në vlerën e 26 mijë lekëve. Por për shoqatat, baza e pensionit të parakohshëm duhet të jetë 50% e pagës referuese mujore dhe jo pagës mbi të cilën janë derdhur kontributet.

Një tjetër pikë e kontestuar është ajo për llogaritjen e shtesës me 2% për çdo vit shërbimi në ushtri. Ushtarakët kërkojnë që ajo të bëhet mbi pensionin bazë dhe jo pagën referuese. Ndërsa pika e tretë ka të bëjë me kufizimin në masën e pensioneve të parakohshme.

Shoqatat pretendojnë se kufizimi i masës së përfitimit është vetëm për masën shtesë, atë që llogaritet me 2% për çdo vit shërbimi në ushtri, krahas 15 viteve. Është pikërisht kjo shumë që nuk duhet të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi dhe jo tërë masa e pensionit sikundër orienton Gjykata e Lartë.(panorama)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje